
Shoqata “Gjergj Kastrioti” në Zvicër dhe Konsullata e Republikës së Kosovës në Zyrih bashkojnë artin dhe historinë në një ngjarje që nderon figurën e Skënderbeut dhe vlerat e lirisë e bashkimit kombëtar.
Në prag të Festave të Nëntorit, në Zyrih do të hapet ekspozita artistike “Nëntori i Parë”, një ngjarje që synon të risjellë në kujtesë lavdinë historike të shqiptarëve dhe figurën madhështore të Kryeheroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Ekspozita organizohet nga Shoqata “Gjergj Kastrioti” Zvicër, në bashkëpunim me Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih dhe nën patronatin e Konsullit të Republikës së Kosovës, Vigan Berisha.
Përmes veprave artistike që do të ekspozohen, organizatorët synojnë të përcjellin emocionin dhe frymën e lirisë, bashkimit dhe krenarisë kombëtare që përfaqëson muaji i nëntorit për çdo shqiptar, pavarësisht se ku ndodhet.
Ekspozita do të hapet më 15 nëntor 2025, në ambientet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, në adresën Eugen-Huber-Strasse 19A, 8048 Zürich. Pritja e mysafirëve do të nisë në ora 19:00, ndërsa programi zyrtar do të fillojë në ora 19:30.
Kjo ngjarje kulturore, e cila ndërthur artin me historinë dhe patriotizmin, pritet të mbledhë bashkatdhetarë, artistë dhe dashamirës të kulturës shqiptare nga e gjithë Zvicra.