
Në qytetin Moosburg pranë Mynihut, shqiptarët e diasporës bashkuan kujtesën historike dhe traditën kulturore në një mbrëmje plot emocione, në prani të përfaqësuesve diplomatikë dhe autoriteteve gjermane.
Dy ngjarje të veçanta, të mbushura me frymë atdhetarie dhe krenari kombëtare, u zhvilluan në Moosburg, afër Mynihut, me pjesëmarrjen e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës. Aktivitetet u organizuan nga Shoqata Shqiptare “Bekim Berisha – ABEJA”, me mbështetjen e bashkatdhetarëve dhe institucioneve vendore.
Në kuadër të programit, organizata For New Life Kosovo prezantoi ekspozitën me fotografi nga masakrat e luftës në Kosovë, e cila sjell në vëmendje kujtimet e dhimbshme, por edhe dëshmitë e sakrificës dhe qëndresës së popullit shqiptar. Ekspozita u cilësua si një kontribut i çmuar për ruajtjen e kujtesës historike dhe identitetit kombëtar, duke nënvizuar rëndësinë e brezave që sakrifikuan për lirinë.
Pas ekspozitës, mbrëmja festive “Darka e Lamës” në Sofrën Dardane mblodhi dhjetëra bashkatdhetarë në një atmosferë të ngrohtë dhe tradicionale. Muzika, vallet, këngët dhe gatimet shqiptare krijuan një mjedis të gjallë që solli në kujtesë zakonet dhe mikpritjen shqiptare.
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të institucioneve gjermane dhe kosovare, përfshirë Kryetarin e Komunës së Moosburgut, Josef Dollinger, Kryetarin e Komunës së Bruckbergut, Rudolf Radlmeier, dhe Kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj. Ata vlerësuan rolin e komunitetit shqiptar në ruajtjen e identitetit kulturor dhe kontributin e tij në jetën shoqërore të Bavarisë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Mynih, Afrim Nura, theksoi rëndësinë e ruajtjes së traditës, kujtesës dhe kulturës shqiptare në diasporë, duke i quajtur këto vlera ura të forta që lidhin brez pas brezi me atdheun.
Konsullata shprehu mirënjohje për Shoqatën “Bekim Berisha – ABEJA”, kryetarin Faton Ismajli dhe sekretarin Arif Arifaj, për përkushtimin e tyre në promovimin e kulturës dhe shpirtit shqiptar në Gjermani, duke e kthyer Moosburgun në një qendër të vogël të kulturës shqiptare në Bavari.