Sunday

02-11-2025 Vol 19

Napoloni dhe Balzak për Ali Pashë Tepelenën

Do t’ia jepni vetë letrën e përmendur, në mënyrë që të siguroheni se do ta lexojë vetë. Pas kësaj, ju do t’i thoni atij se, pasi sapo kam pushtuar Maltën dhe duke u gjendur në këto dete (ujëra) me tridhjetë anije dhe pesëdhjetë mijë burra, do të kem marrëdhënie me të dhe se dua të di nëse mund të mbështetem tek ai; se do të doja që edhe ai të dërgonte pranë meje, duke e hipur në fregatë, një njeri fisnik dhe që do të kishte besimin e tij; se për shërbimet që u ka bërë francezëve, për trimërinë dhe guximin e tij, nëse më tregon besim dhe dëshiron të më ndihmojë, unë mund t’ia shtoj shumë lavdinë dhe fatin e tij. Duke kaluar nëpër Korfuz, ju do t’i thoni gjeneralit Chabot të na dërgojë anije të ngarkuara me dru dhe t’u bëjë një shpallje banorëve të ishujve të ndryshëm që t’i dërgojnë skuadriljes verë, rrush të thatë dhe se do të paguhen mirë për këtë. Një vlerësim tjetër për Ali Pashën na vjen po nga një francez, i magjepsur nga personaliteti i tij jo i zakontë. Honore de Balzak (1799-1850), do të shkruante plot adhurim për këtë figurë të Orientit i cili ishte i vetmi që po ngrente krye ndaj Portës së Lartë. Honore de Balzak ishte një shkrimtar francez dhe autor i mbi 30 novelave dhe i 5 pjesëve teatrore, me kryeveprën “Komedia njerëzore”, ku janë përfshirë rreth 95 romane. Ndërsa në veprën “Një fillim jete” nëpërmjet personazhit Zhorzh, trillon një histori tepër mbresëlënëse, dëshmitar i jetës pranë sundimtarit të Pashallëkut të Janinës Ali Pashait, duke dhënë situata thuajse të vërteta njohëse për mjedisin, njerëzit dhe ngjarjet. … Në atë kohë- vijoi Zhorzhi- Aliut të Tepelenës i duhej t’u shpëtonte kthetrave të “Shosre” (Sherif) Pashës, një pisqollë e vërtetë! Këu ju e keni quajtur Shosref, por emri i tij i vërtetë në turqisht shqiptohet Kosërë! Ndofta ju ka qëlluar të lexonit në atë kohë nëpër gazeta se si Aliu u dha një dru të mirë Shosreut, taman dajak. Po, në fakt pa mua, Aliu i Tepelenës do t’ish djegur e përcëlluar me kohë. Unë udhëhiqja krahun e djathtë dhe veç kur shoh Shosreun, dhelpër plakë, të depërtojë fill në qëndër… ç’të depërtuar, me një manovër të hatashme, si ato të Muratit! “…Pse u puthkan në Orient?-tha konti i Serizisë me pamje qesënditëse. – Po zotëri- ia priti piktori, puthen që ç’ke me të, kudo. – E kështu pra! E tërhoqëm Shosreun nja tridhjetë lega në thellësi… Mu si në gjueti! –vijoi Zhorzhi- Janë kalorës të përsosur turqit. Aliu ç’nuk më dha: jataganë, dyfeqe, kordha…Aliu deshte, që thoni ju, të më vinte në krye kudo, të më bënte bile edhe trashigimtarin e vet. Po mua më kish ardhur në majë të hundës me atë jetë; sepse, në fund të fundit, Aliu i Tepelenës është në konflikt me Portën. Prandaj edhe unë, e shihja me vend të merrja drejtimin për nga porta e të dilja jashtë. Por, hakun, ama, s’duhet t’ia ha zotërisë së Tepelenës. Se, në fakt, më dëndi me dhurata: diamante, sa të duash, 10.000 galera, 1.000 verdhushka, një greke të bukur për shërbëtore, një arnaut të vogël për shoqëri, dhe një kalë arab. Eh, Ali Pasha i Janinës është njeri që hajt ta marrësh vesh! Duhet historian që të flasë për të. Vetëm në Orient, ka shpirtra të tillë gur e shkuar gurit, që njëzet vjet të tëra bëjnë gjithçka për të vënë në vend një fyerje që u është bërë një ditë të bukur. Pale që kishte mjekrën më të bukur borë të bardhë që s’është parë ndonjëherë, në atë fytyrë të ashpër dhe të sertë…”Një fillim jete. Studim i dokeve. Libri i parë. Skena nga jeta private. Paris 1842. Le Moniteur Universel (1822): Ali Pashë Tepelena u tradhëtua nga njeriu më i afërt i tij, Thanas Vaja (Athanase Vaïa) “Le Moniteur Universel” ka botuar, të hënën e 25 marsit 1822, në ballinë, një shkrim në lidhje me vrasjen e Ali Pashë Tepelenës, duke dhënë kështu emrin e njeriut që e tradhëtoi. Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France Bavari. Nuremberg, 16 mars. Në këtë artikull shkruhet si vijon: Kufijtë e Italisë, 10 Mars. “Ne po marrim lajme të rëndësishme nga Epiri në këtë kohë. Ali Pasha u tradhtua me të vërtetë nga mbështetësit e tij, dhe iu dorëzua Chourschid-Pashës (Hurshid ose Hurshit), i cili menjëherë e ekzekutoi duke i prerë kokën dhe duke e dërguar kështu në Kostandinopojë. Qeveria angleze e Ishujve Jonianë mori lajmin zyrtar të kësaj ngjarje më 9 shkurt, dhe menjëherë ia komunikoi konsujve të huaj. Ekstradimi u bë më 2 shkurt. Të nesërmen trupat turke hynë dhe pushtuan fortesën e Janinës. Një shqiptar, me emrin Vaia (Athanas ose Thanas Vaja), një mik i ngushtë i Aliut, dhe në të cilin ai kishte besim të pakufizuar, e tradhëtoi, për interes të Hurshid Pashës. Ky i fundit drejtoi vëmendjen e tij kryesisht tek thesari i Aliut, i cili përbënte një shumë të madhe, si në para dhe në bizhuteri; A ia dorëzoi Vaja të gjithin? Besohet se Hurshid Pasha tani do të marshojë ndaj Suliotëve, të cilët ende nuk i janë nënshtruar Portës, siç pretendohej; por ata sulmuan shqiptarët myslimanë të cilët kohët e fundit mbështetën Hurshid Pashën, dhe kështu ata shkatërrojnë pronat e tyre. Lufta civile është më e ndezur se kurrë në Epir.” The litterary Gazette (1817): Një shkrim biografik për të famshmin Ali Pashë Tepelena, njeriun me kujtesë të jashtëzakonshme“La Quotidienne” ka botuar, më 29 nëntor të 1817, në faqen nr.4, shkrimin biografik të “The litterary Gazette” për Ali Pashë Tepelenën (Janinën), “Gazeta e njohur “The litterary Gazette” boton një shkrim biografik për të famshmin Ali Pasha, zot i Epirit, Thesalisë dhe një pjese të vendeve fqinje. Ky pasha nuk ka reshtur kurrë t’i paguajë Portës së Lartë, pjesët e të ardhurave publike që, sipas zakoneve të vjetra, i takojnë në pashallikun e tij, por njëkohësisht ai ka ditur të rrisë të ardhurat e tij personale, në atë pikë sa kanë vajtur në 15 milion ‘livres tournois’ (monedhë e vjetër franceze). Një pjesë e madhe e këtyre të ardhurave vjen nga pronat e tij publike dhe nga kopetë e deleve të cilat arrijnë deri në 50.000 kokë. Thesarin (pasurinë) e tij e ruan vetëm një arkëtar i thjeshtë që i thotë saktësisht se çfarë përmban kasaforta. Ali Pasha, i talentuar për një kujtesë të jashtëzakonshme, i njeh përmendësh të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e tij. Kjo mënyrë e mbajtjes së librave (llogarive) të tij shpesh i mundëson që të rrisë papritmas të ardhurat e tij. Një ditë, ai thirri një hebre, përgjegjës i pronave të tij, dhe i tha me një ton të rreptë : “Kam llogaritur në kokën time që për njëzet vjet ju më keni vjedhur rreth 5.000 piastra në vit; më sillni 100.000 piastrat menjëherë, përndryshe !” Një gjest me dorë që shoqëroi këtë fjalim, i mësoi hebreut fatin që e priste nëse ai do të guxonte të debatonte për saktësinë e këtij buxheti të veçantë. Ai u përul dhe solli disa minuta më vonë shumën e kërkuar. Ali Pasha mund të mbledhë deri në 40.000 trupa, por forca e ushtrisë së tij përbëhet nga 6.000 arnautë ose shqiptarë, të cilët i mban në trojet e tij, dhe që qëndrojnë me të për jetë a vdekje. Një oficer francez organizoi fonderinë e topave, nga e cila tashmë ai prodhon mortaja po aq të mira sa ato të çdo artilerie evropiane. Ali Pasha hyri në marrëveshje me tre fuqi kryesore evropiane për të marrë në zotërim ishujt jonianë; marrje të cilën ai me të drejtë e konsideron të nevojshme për të realizuar planin e tij për krijimin e një mbretërie të pavarur; por meqë u mashtrua disa herë mbi shpresat e tij për këtë temë, ai u kthye sërish pranë Portës osmane. Ali Pasha nuk e di se cilit nga tre djemve të tij do t’i lërë trashigiminë e “mbretërisë e pashallëkut” që ka formuar. Më i rrituri, Muftar Pasha ndërthur guximin dhe veprimtarinë e babait të tij me një karakter më bujar dhe sjellje më të buta; ai është i ndjeshëm ndaj dashurisë dhe miqësisë. Një bukuroshe greke, e lindur në një familje të shquar, e quajtur Eufrozine (Euphrosyne), i kishte rrëmbyer zemrën të riut Muftar; Tek ajo, ai merrte pjesë në mbrëmje ku gjendeshin individët më të dashur të të dyja gjinive, dhe ku zakonet orientale ishin të dëbuara. Një natë Ali Pasha urdhëroi që Eufrozina dhe pesëmbëdhjetë mikeshat e saj të kapeshin dhe të mbyteshin në liqenin afër Janinës. Askush nuk guxoi ta prekte me dorë Eufrozinën, nga frika që kishin ndaj reagimit të Muftarit, kështu Pashai shkoi vetë ta tërhiqte zvarrë këtë të pafat. Veli Pasha, djali i tij i dytë, është një njeri me shpirt të tretur, bujar dhe pa ndonjë talent të fortë. Ai përçmon publikisht zakonet, gjuhën dhe fenë e turqve; zakonisht, ai flet vetëm italishten dhe greqishten moderne; një ditë pyeti një udhëtar italian, duke i treguar atij xhaminë e madhe të Janinës; A mendoni se kjo ndërtesë është e mjaftueshme për të ndërtuar një opera si ajo në Itali ?Ai arriti të urrehej dhe të përçmohej nga shqiptarët dhe turqit, pa arritur të fitojë dashurinë e grekëve që kanë frikë nga mashtrimet e tij. Ali Pasha druhet nga veset e Veliut aq sa edhe nga virtytet e Muftarit. Ai do të dëshironte t’i lërë trashëgiminë djalit të tij të tretë, Sali beut, i cili është ende vetëm një fëmijë. Pallatet e Ali Pashës, ashtu si karakteri i tij, paraqesin një përzierje të gjithçkaje që është e madhe dhe gjithçka që është e tmerrshme dhe e përçmueshme. Përmes pasazheve (kalimeve) të errëta dhe të ngushta mbërrijmë në dhoma të mrekullueshme, ku qilimat janë prej kadifeje dhe perdet të qëndisura dhe me dantella; por syri tronditet papritur nga një afrim i çuditshëm; një perde prej kanavace është zbukuruar me copëza ari, ku një tapiceri e Goblinëve, që shërben si derë, është varur nga litarë të mëdhenj. Më tej, në disa magazina të vogla, pashai grumbullon kuriozitete të të gjitha llojeve, orë, vathë, shallë, enë kuzhine, pra, të gjitha llojet e objekteve, fryt i plaçkitjeve dhe ekstraktimeve të tij. Bëhet fjalë për një shpellë hajdutësh por me përmasa më të mëdha. Haremet ose serajet e pashait përmbajnë deri në pesëqind gra, megjithatë seksi i bukur nuk tërheq kapriçot e tij të tmerrshme, dhe mbetet plotësisht i përjashtuar në besimin e tij. Pasazhet nëntokësore të disa pallateve të tij përmbajnë burgje ku ai mban në pranga armiqtë e tij që i kanë rënë në duar, ose ato të subjekteve të tij, të cilët pasuria dhe ambicia e tyre i kanë bërë fajtor në sytë e tij. Këta njerëz të pafat zakonisht dalin prej aty vetëm për të vdekur. Disa grekë e krahasuan Ali Pashën me Pirron, dhe e ftuan këtë mbret të ri të Epirit të çlironte Greqinë dhe të shpallte veten monark; por nëse Aliu i urren turqit, ai nuk i vlerëson grekët dhe, ndërsa përdor talentet e tyre, ai sfidon njëkohësisht karakterin e tyre. Asnjë post i rëndësishëm në ushtri nuk i jepet një greku. Sidoqoftë, pashai e di se skllevërit e shkolluar dhe të zellshëm paguajnë më shumë taksa sesa skllevërit injorantë dhe dembelë : kështu që ai favorizoi krijimin e shkollave greke dhe një universitet në Janinë. Vetëm shqiptarët gëzojnë besimin e bashkatdhetarit të tyre të frikshëm : me ta, në momentet e tij të lira, ai është i gëzuar, komunikues dhe familjar; por, kur ai vesh petkun e komandantit, shqiptar, grek, mysliman, gjithçka dridhet para tij, veçanërisht kur ai përdor këtë shprehje : “Bë atë që po të them, ose gjarpri i zi do të të hajë sytë.” Është një kërcënim pas të cilit vijon tortura, në rast mosbindjeje.” Timoleo GURI

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *