Më 28 tetor 2025, në sallën Doina Cornea të Bibliotekës Kombëtare të Rumanisë, u zhvillua një mbrëmje kulturore e veçantë në nder të poezisë dhe muzikës shqiptare. Ngjarja u organizua me rastin e promovimit të antologjisë “Păpușile-n concediu / Kukullat në pushim – Një antologji e poezisë shqipe nga fillesat deri në ditët tona”, përgatitur nga Dr. Luan Topçiu dhe Dr. Renata Topçiu-Melonashi.

Veprimtaria tërhoqi pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të jetës publike rumune, ndër ta Radu-Dumitru Antohi, zëvendësministër i Arsimit, si dhe deputetët Bogdan Alin Stoica dhe Iulius Marian Firczak. Në sallë ishin gjithashtu të pranishëm përfaqësues të komunitetit shqiptar në Rumani.

Rëndësia e këtij botimi u theksua nga prof. Aristotel Spiro, gjuhëtar, poet dhe përkthyes nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Radu-Cosmin Săvulescu, kryetar i ALAR, si edhe vetë hartuesit e antologjisë. Ky vëllim, me 83 poetë nga mbarë hapësira shqiptare dhe 730 faqe, u prit me interes të veçantë nga lexuesit rumunë.
Mbrëmja u pasurua me recitime nga aktori i Teatrit Kombëtar “Marin Sorescu”, Angel Rababoc, dhe me një mini-koncert të flautistes shqiptare Majlinda Spiro, duke i dhënë takimit një atmosferë të ngrohtë artistike e miqësore.

Poezia shqipe, muzika dhe dialogu kulturor u shkrinë në një përjetim të veçantë që fitoi vlerësimin e publikut, duke e shndërruar këtë veprimtari në një festë të miqësisë shqiptaro-rumune.