Thursday

30-10-2025 Vol 19

Gjuha shqipe dhe alfabeti i saj (Pjesa II)

 Gjuha shqipe, siç është provuar, është një nga gjuhët më të vjetra të gadishullit të Ballkanit, ashtu si edhe vetë populli shqiptar që është një nga popujt më të vjetër të këtij gadishulli. Mirëpo, nga ana tjetër, ajo është dëshmuar me shkrim mjaft vonë. I pari monument i gjuhës shqipe të shkruar një njihet gjer më sot, është libri i Gjon Buzukut, i vitit 1555. Ka mjaft dëshmi që ky nuk duhet konsideruar si fillim i shkrimit shqip. Fakte të ndryshme dëshmojnë se shqipja duhet të jetë shkruar shumë më herët në kohë përpara Buzukut. Për ekzistencën e një tradite të tillë shkrimi janë shprehur dijetarë shqiptarë dhe të huaj. Argumentat që kanë sjellë këta dijetarë për të vërtetuar se shqipja ka qenë shkruar edhe përpara Gjon Buzukut mbështeten në vetë gjuhën e veprës së këtij autori dhe në disa dëshmi historike. Është vënë në dukje se “gjuha e veprës së Buzukut nuk është një arë fare e papunuar më parë”. Sidoqoftë në krahasim me disa gjuhë të tjera indoevropiane, shipja ka nisur të shkruhet relativisht vonë. Po të kihet parasysh fakti që vendi ynë ka qenë nën sundimin shumëshekullor të pushtuesve të huaj që nga koha romake, kuptohen me lehtësi arsyet e kësaj vonese. Në të tilla rrethana të parëve tanë u është dashur të luftojnë me armë në dorë për të mbrojtur jetën krahas ekzistencës si komb, por edhe të ishin në mbrojtje të gjuhës amtare. Një rol negativë kanë luajtur në këtë drejtim edhe fetë e ndryshme për të përçarë popullin e për të rrënjosur ideologjinë dhe kulturën e huaj. Pra vetë rrethanat historike i kanë penguar të parët tanë që të lëvronin qysh herët gjuhën amtare. Autorët e veprave të para kanë përdorur një alphabet të mbështetur në alfabetin latin dhe të plotësuar edhe me disa shkronja cirilike. Ky alfabet u bë tradicional në një formë të përpunuar dhe ka vazhduar të përdoret gjer më 1909, para Kongresit të Manastirit. Në shekullin XVIII, në Shqipërinë e Jugut, disa shkrimtarë që ishin nën ndikimin e kulturës greke përdorën në veprat e tyre alfabetin grek, ose të tjerë akoma që ishin nën ndikimin e kulturës turk-arabe, përdorën në veprat e tyre alfabetin arab. Në historinë e shkrimit të shqipes vihet re edhe një prirje tjetër: përpjekja për të krijuar alfabete origjinale, siç qe ai i Anonimit të Elbasanit me 40 shkronja, i Theodhor Axhifilipit me 57 shkronja, i Kostë Beratit me 37 shkronja, ose i Naum Veqilharxhit etj. Kjo dëshirë për të krijuar alfabete origjinale lidhet me dëshirën për t’u shkëputur nga ndikimet politike të vendeve prej nga merrnin bazën e alfabetit. Në këtë mënyrë shekulli XIX e gjeti gjuhën shqipe me një seri alfabetesh. Në Veri përdorej alfabetin tradicional i Veriut, në Jug alfabeti me bazë greke dhe turko-arabo; përdoreshin gjithashtu edhe disa alfabete origjinale. Lëvrimi i gjuhës shqipe mori hov të madh gjatë shekullit XIX, në kohën e Rilindjes Kombëtare. Lufta për shkrimin dhe shkollën shqipe shndërrohet në një pjesë përbërëse të programit të rilindasve, të luftë së tyre për lirinë e popullit dhe përshkon si një fill ngjarjet më të rëndësishme të lëvizjes kombëtare shqiptare. Një nga çështjet kryesore, me të cilën u morën që në fillim patriotët e Rilindjes, ishte vendosja e një alfabeti të vetëm të përbashkët për të gjithë shqiptarët. Kështu më 1879, duke përfituar nga rrethanat e favorshme të kohës, patriotët shqiptarë si Sami Frashëri, Jani Vreto, Vaso Pasha, Koto Hoxhi etj, mundën t’ia arrinin qëllimit, për vendosjen e një alfabeti për të gjithë shqiptarët dhe që ka hyrë në histori me emrin “alfabeti i Stambollit”. Meqënëse alfabeti latin nuk i plotësonte të gjitha kërkesat fonetike të shkrimit të shqipes, autorët e alfabetit të Stambollit qenë të detyruar ta plotësonin atë me shkronja të tjera. Këto ose i sajuan vetë ose i morën nga alfabeti grek. Ky alfabet ka lojtur një rol të madh për përhapjen e shkrimit shqip ndër shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë. Me të u shtypën mjaf libra e gazeta. Mirëpo puna e alfabetit nuk mori fund me kaq. Më 1899 krijohet në Shkodër shoqëria “Bashkim” të cilën e drejtonte Abati i Mirditës Prend Doçi dhe më vonë Gjergj Fishta me Luigj Gurakuqin. Kjo shoqëri përdori gjithashtu një alfabet të sajin, të mbështetur vetëm në shkronjat latine. Më 1901 Ndre Mjeda u largua nga shoqëria “Bashkimi” dhe themeloi shoqërinë “Agimi” e bashkë me të një alfabet të ri, që mbështetej mbi kritere të reja. Mjeda ishte njohës shumë i mirë i çështjeve të gjuhës, dhe sot ne kemi prej atij shkronjën “ë”. Ai u mbështet në alfabetin latin dhe tingujt që nuk i kishte ky alfabet i krijoi kryesisht me anë të shenjave diakretike. Mungesa e një alfabeti të vetëm të gjuhës shqipe ishte nga pasojat e mungesës së unitetit ekonomik dhe politik të vendit tonë, të ndikimit të ideologjisë së huaj që krijonte përçarje kombëtare, për të gllabëruar tokat tona. Në këto kushte çështja e alfabetit të vetëm të gjuhës shqipe qe shndërruar në një çështje politike, zgjidhja e së cilës do të varej nga zhvillimi i përgjithshëm i lëvizjes kombëtare në Shqipëri. Kjo gjendje e pakënaqëshme shqetësonte patrotët e kohës. Filluan të diskutojnë e të shkruajnë nëpër revista e gazeta për nevojën e një mbledhjeje për një alfabeti të përbashkët. Rasti i përshtatshëm u paraqit më 1908, kur filloi lëvizja e turqëve të rinj dhe u shpall Kushtetuta. Shqiptarët përfituan nga kjo gjendje dhe u mblodhën në Manastir në një kongres nga (14-22 nëntor, 1908), që kishte si detyrë të parë caktimin e një alfabeti të përbashkët. Që në fillim aty u vendos që alfabeti i shqipes do të ishte një alfabet me bazë latine. Komisioni, duke parë vështirësitë që dilnin, vendosi që të përdoreshin dy alfabete: alfabeti i Stambollit dhe alfabeti thjesht latin. Komisioni u përpoq që t’i afronte dy alfabetet e pranuara, ai i bëri ndryshime si alfabetit të Stambollit ashtu edhe alfabetit latin. Dy alfabetët ndryshonin kështu vetëm në 9 shkronja, ndërsa 27 shkronja i kishin të njëjta. Më vonë vetë përdorimi i alfabeteve e zgjidhi përfundimisht problemin e alfabetit. Alfabeti latin i papërzierë, i përpunuar nga Kongresi ishte i lehtë në të shkruar dhe mjaft i volitshëm për shtyp. Kjo qe arsyeja kryesore që shumë shpejt alfabeti i Stambollit mbeti në një përdorim gjithnjë e më të  kufizuar, ndërsa alfabeti latin i Kongresit të Manastirit u bë alfabet i përbashkët i gjithë shqiptarëve, alfabeti i vetëm i shqipes dhe alfabeti i sotëm i gjuhës sonë. Kongresi i Manastirit hyri në histori si “Kongresi i Abecesë”, Kongresi i alfabetit. Ai mori vendime të rëndësishme në punë të shkrimit të gjuhës sonë: i dha fund kaosit që ishte krijuar në çështjen e alfabetit, i hapi rrugën njësimit të plotë të tij u përpunua alfabeti që përdorim sot. Duke zgjidhur këtë problem që nuk ishte i lehtë, thjesht gjuhësor apo letrar-kulturor për kohën, ai ishte një problem më i mprehtë politik, Kongresi i Manastirit i dha një ndihmë të madhe lëvizjes sonë kombëtare. 


Timoleo GURI 

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *