
Karl Gega (Carl Ritter von Ghega) ishte një inxhinier i shquar me prejardhje shqiptare, i njohur për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ndërtimin e hekurudhave në Evropë gjatë shekullit XIX. Ai lindi më 10 janar 1802 në Venedik dhe vdiq më 14 mars 1860 në Vjenë. Prindërit e tij kishin emigruar nga Shqipëria e Veriut pas pushtimit osman.
Në moshën 15-vjeçare u regjistrua në Universitetin e Padovës dhe u diplomua në inxhinieri vetëm një vit më vonë. Në moshën 17-vjeçare mori titullin Doktor i Shkencave Matematikore. Filloi karrierën si inxhinier në ndërtimin e rrugëve dhe ujësjellësve në Venedik. U angazhua gjithashtu në ndërtimin e rrugës “Strada d’Alemagna” dhe më vonë në projektin hekurudhor “Kaiser-Ferdinand-Nordbahn”.
Gega është më i njohur për ndërtimin e hekurudhës së Semmeringut në Austri, një nga projektet më të guximshme të inxhinierisë së fundshekullit XIX. Kjo hekurudhë lidhi Gloggnitz me Mürzzuschlag dhe konsiderohet një mrekulli teknike e kohës.
Ai u emërua inspektor i linjave jugore të hekurudhave shtetërore. Pas një përvoje ku u njoh me punën e inxhinierëve hekurudhorë dhe mekanikëve të lokomotivave, mori drejtimin e planeve për ndërtimin e hekurudhave. Menjëherë mori përsipër ndërtimin e hekurudhës Vjenë–Grac–Trieste. Me rastin e inaugurimit të linjës së Gracit më 21 tetor 1844, vetë Karl Gega drejtoi lokomotivën.
Në kulmin e arritjeve të tij inxhinierike nisi të hartojë planet për ndërtimin e hekurudhës së Semmeringut, vepër madhështore që do të lidhej përjetësisht me emrin e tij. Austria, për të dalë nga kriza e thellë që e kishte pllakosur, hapi një front të gjerë pune për këtë vepër. Mbi 20 000 punëtorë u punësuan nga profesione dhe kombësi të ndryshme. Vitet që Karli kishte shëtitur në ato zona i shërbyen për të studiuar terrenin, të cilin ai e përshtati me natyrën dhe bukuritë e saj të veçanta. Projekti ishte një sintezë e goditur midis teknikës dhe natyrës.
Shumë e paragjykuan ndërtimin e kësaj hekurudhe për shkak të terrenit të thyer malor, me lartësi dhe pjerrësi të konsiderueshme, si dhe lumenjve të rrëmbyeshëm. Por Karl Gega u mbështet në parimin e aderimit dhe sfidoi lartësitë e maleve dhe kthesat e forta, duke vërtetuar se nuk ishin të pakapërcyeshme. Popullsia vendase nuk e mirëpriti fillimisht punën, duke thënë: “Ndërtuesit e hekurudhës janë të mëdhenj, por malet tona janë edhe më të mëdhenj e nuk kapërcehen dot.” Edhe shumë nga kolegët e tij e shihnin me mosbesim këtë vepër, duke ia atribuuar shpenzimeve të mëdha. Për më tepër, paragjykimet ndaj një të huaji ushqyen kundërshtitë kundër tij. Por Gega nuk u mposht, falë karakterit dhe virtyteve të tij.
Traseja e hekurudhës ngjitej gjithnjë e më lart. Duheshin hapur 15 tunele me gjatësi të përgjithshme 4 520 metra, u ndërtuan disa qindra ura të vogla dhe 16 viadukte me gjatësi 1 600 metra. Për to u hodhën në erë rreth 1 500 000 metra kub dheu dhe u përdorën mbi 65 mijë tulla e 85 000 metra kub gurë. Sfida më e madhe ishte tuneli i Semmeringut, 890 metra mbi nivelin e detit, i cili u hap me mjete dore. Punimet u zhvilluan si horizontalisht, ashtu edhe vertikalisht në 6 zona, duke krijuar galeri si puse për nxjerrjen e dheut.
Karl Gega shfrytëzoi zhvillimet e metalurgjisë dhe mekanikës për të realizuar këtë projekt. Ai ishte i bindur se lokomotivat, me anë të aderimit, mund të ngjiteshin në të përpjeta deri në 250 për mille, por kjo varej edhe nga fuqia tërheqëse e tyre. U shpall konkurs midis konstruktorëve për lokomotiva më të fuqishme.
Pak kohë para përfundimit të hekurudhës, Gegën e transferuan në Sibenburg, gjë që e tronditi rëndë. Ishte një manovër për ta larguar pikërisht në momentet kur vepra po finalizohej, pasi “i huaji” nuk duhej të kurorëzohej dhe të njiheshin meritat e tij. Kjo ndikoi negativisht në gjendjen e tij shëndetësore. Dikush i dha qëllimisht lajmin e rremë se dy anët e tunelit nuk ishin bashkuar drejt. Ky lajm e tronditi thellë, pasi do të thoshte dështim i gjithë jetës së tij shkencore.
Megjithëse hekurudha e Semmeringut përfundoi me sukses, Karl Gega nuk arriti të gëzonte inaugurimin e saj. Ai vdiq në rrethana tragjike, duke vrarë veten. Në varrimin e tij morën pjesë mijëra njerëz — punëtorë, inxhinierë dhe të tjerë që vlerësonin aftësitë e tij. Ai ishte dekoruar dhe nderuar nga shumë institucione, por mbeti deri në fund punonjës i thjeshtë dhe pa pretendime.
Shkrimet për Karl Gegën nisën të shtohen pas vdekjes së tij, madje edhe nga kundërshtarët që e kishin luftuar sa ishte gjallë. Më 1867, eshtrat e tij u rivarrosën në varrezat e njerëzve të shquar në Austri, ku u ngrit edhe një përmendore me portretin e tij. Në stacionin e Semmeringut, pas dy vjetësh, u vendos një tjetër monument në kujtim të tij. Më vonë u emetuan pulla me fytyrën e tij.
Ashtu si me shumë gjenij, disa përpiqen t’i mohojnë origjinën shqiptare, duke pretenduar se ishte italian apo gjerman. Por studiues austriakë, si Frederik Valish, kanë argumentuar objektivisht prejardhjen e tij shqiptare. Në librin “Neuland Albanien” (Stuttgart, 1931), në faqen 113, ai shkruan: “Karl Gega, ndërtuesi gjenial i hekurudhës së Semmeringut, ka qenë me prejardhje shqiptare, siç e dëshmon mbiemri i tij ‘Gega’, që do të thotë nga Shqipëria e Veriut.”
Të gjithë udhëtarët që kalojnë në Semmering nuk mund të mos e admirojnë mjeshtërinë e lartë të kësaj vepre të përkryer, që ka ndërtuar shqiptari ynë Karl Gega.
Nga Timoleo GURI