Ndër emrat më të spikatur dhe të respektuar të gazetarisë shqiptare dhe jo vetëm si gazetar, por edhe si përkthyes, poet, publicist dhe shkrimtar, patriot e intelektual me integritet të lartë moral e profesional dhe me perfomancë të fortë, shumë të fortë, një figurë poliedrike e gazetarisë, është Xhevdet Shehu.
Gabriel García Márquez gjithmonë pohonte se gazetaria është “puna më e mirë në botë” dhe ai u përpoq të prodhonte një vepër të jashtëzakonshme në të cilën standardet themelore të gazetarisë, të tilla si objektiviteti ose dokumentimi, konvergojnë me burimet e letërsisë, duke iu bashkuar kështu lëvizjes së njohur si Gazetaria e Re, puna e të cilëve na lejon të rizbulojmë një profesion humanist, të bazuar në të vërtetën, profesionistë të talentuar që ende arrijnë të ekzistojnë përtej padobishmërisë së mençurisë absolute të fituar përmes masterave, doktoraturës dhe teksteve universitare që mësojnë jetën ashtu siç nuk ekziston – një realitet paralel.
Padyshim që Xhevdet Shehu është përfaqësues i denjë i kësaj “gazetarie të re” të Marquez- it, e cila “na lejon të rizbulojmë një profesion humanist, bazuar në të vërtetën…”
Pikërisht në këtë vizion do të përpiqem të evidentoj në këtë shkrim profesionalizmin gazetaresk dhe jo vetëm të Xhevdetit, i cili është i “çimentuar” në dy atribute – kreativiteti dhe përvoja, të cilat të shoqëruara me pasion ndjen “atë eksitim të jashtëzakonshëm që të ngjall lajmi, dalldinë e mirëfilltë që vjen e të pushton kur sheh frytet e para të punës tënde, por edhe sfilitjen morale që mbart dështimi”, siç thoshte Marquez:
“Gazetaria është një pasion që s’njeh kufij, që mund të përvetësohet e të humanizohet vetëm nëpërmjet një përballjeje që nxjerr shkëndija kur ndeshet me realitetin. Vetëm ata që e kanë këtë pasion në gjak mund ta kuptojnë këtë tërheqje magnetike që ushtron ajo, pasion që ushqehet nga paparashikueshmëria e jetës. Kurrkush që nuk ka lindur për këtë gjë dhe nuk është i përgatitur të jetojë për të, sepse vetëm kështu mund të kapesh pas këtij profesioni, i cili përndryshe ngjan krejt i pakuptueshëm dhe shterues, ku puna mbaron pasi lajmi është nisur drejt destinacionit, por vetëm për një çast, pasi gjithçka nis sakaq nga e para, madje me vrull më të madh, duke mos falur as edhe një grimë prehjeje”
I tillë është Xhevdeti përsa i përket profesionalizmit dhe besnikërisë ndaj kauzës gazetareske e cila, siç thoshte Nietzchen, se: “…për të dëmtuar atë [një kauzë] është ta mbrosh atë me argumentet e gabuara në mënyrë të qëllimshme”. Kjo është rruga më e pabesë ndaj publikut.
Dëshmi e kësaj rruge të besnikërisë ndaj kauzës është “varfëria” monetare, jo aq e shpeshtë në qarqet e shkrimtarisë.
Gazetari i shquar italian, Indro Montaneli, në leksionin e tij të fundit për gazetarinë, mbajtur në Universitetin e Torinos, në 12 maj 1997, thotë:
“… në rast se takoni një gazetar të pasur, mos e besoni! Gazetaria nuk të çon në pasurim, mund të të çojë në një nivel mirëqenie, për hir të së vërtetës. Unë nuk ankohem, kam aq sa më mjafton, bile edhe ca më shumë për të jetuar mirë.
Por, një gazetar pasanik është një gazetar që qelbet erë, sepse ka shfrytëzuar zanatin për të arritur qëllime të tjera. Një gazetar që shpërdor zanatin, ndjesë prokurorit, unë do ta pushkatoja”.
Përkundrejt një mjedisi të tillë “erëqelbur” gazetaresk, në vendin tonë, që “shpërdorojnë zanatin” për hir të parave dhe të tjetërsuar nga “priftërinj të së vërtetës” në “alkimistë të kuletës”, qëndrojnë “montanelianët” (nga Montanelli) të paktë, por ekzistojnë – gazetarë, opinionistë, analistë, moderatorë e publicistë me identitet individual dhe mendor, me integritet moral, mendje inteligjente, analitike dhe objektive, që nuk nisen nga qëndrime emocionale, subjektive, instinktive apo personale për të vërtetën, duke bërë kujdes ta servirin atë si “opinion publik” para njerëzve, qartë dhe me fjalë të thjeshta.
Një montanelian i tillë për të cilin, “…standardet themelore të gazetarisë, të tilla si objektiviteti ose dokumentimi, konvergojnë me burimet e letërsisë” (Marquez) dhe i cili “nuk ka shfrytëzuar zanatin për të arritur qëllime të tjera” (Montanelli) midis të cilave edhe pasurimi, e meriton ta quash gazetari “sui generis”- duke u krenuar që është jo vetëm miku im Xhevdet, por edhe i shumë lexuesve të tij që nuk i ka tradhtuar asnjëherë.
Por a është në të vërtetë e mundur që një gazetar t’i “shërbejë” vetëm lexuesit?
Indro Montanelli thoshte: “Kushdo prej jush që dëshiron të bëhet gazetar, mos harroni të zgjidhni zotin e tij: lexuesin”. A jeni dakord me Montanellin?
Montanelli kishte të drejtë. Gjithmonë ka një mënyrë për ta respektuar këtë rregull.
Në lidhje me këtë problem të “besnikërisë” ndaj lexuesve i bëra këtë pyetje Xhevdetit:
Cila është gjëja më e rëndësishme për t’u marrë në konsideratë në editorialet tuaja mbi politikën e brendshme, një temë që konsiderohet mjaft e “ndjeshme”, sidomos tek ne?
Dhe përgjigja e tij:
“Ne u drejtohemi lexuesve, të cilët kanë pikëpamje të ndryshme. Por të gjithë duhet ta kuptojnë se jemi të sinqertë kur paraqesim qëndrimin tonë. Dhe edhe nëse nuk pajtohen, duhet ta dinë se nuk kemi ndërmend t’i mashtrojmë. Vetëm në këtë mënyrë një marrëdhënie mund të forcohet me kalimin e viteve. Por nuk duhet shumë që ajo të përkeqësohet. Kjo është arsyeja pse duhet të jemi besnikë.”
Në këtë përgjigje, qartë, thjesht dhe direkt, spikat një cilësi thelbësore e një gazetari profesionist – nuk do që t’i imponohet lexuesve, por nuk do as t’i bindi me lloj-lloj marifetesh dogmatike lexuesit e vet.
Si gazetar i besueshëm dhe i talentuar, ai përshfaqet edhe si analist, fejtonist, intervistues, ku spikat saktësia dhe qartësia e mendimit, argumentimi i hekurt, racionaliteti dhe objektiviteti – elementët më themelorë të publicistikës së tij, të cilin e bëjnë Xhevdetin unikal në llojin e vet.
Gazetaria për të nuk është vetëm profesion dhe dinjitet, por edhe mision, i cili nuk rrëmbehet nga dallgët e ngjarjeve, cilatdo qofshin ato, të trishtura, hidhëruara apo të gëzuara.
Sikurse e thotë vetë në mënyrë ekselente:
“Ai vetëm sa e sodit atë dhe fikson harlisjet e ngazëllimit të pafund njerëzor, një shpresë si ringjallet, një jetë si rilindet. Pikas edhe trandjet. Është e pamundur të mos i pikasë ato, ndryshe nuk mund të jetë në lartësinë e misionit të tij”.
Është prononcuar me guxim intelektual në mbrojtjen e shtresave të të varfërve e të pambrojturve si dhe në denoncimin marrëzive të politikanëve dhe pushtetarëve, që kërkojnë të “dehin” dhe t’i hedhin në “detin e lumturisë” njerëzit e varfër e të pandriçuar me “Filozofinë e rrobave të reja të mbretit” dhe “deformimin e të vërtetave” si parime themelore më të shëmtuara të këtij “demonizimi mediatik”, duke kryer një, “tradhti ndaj arsyes, inteligjencës e shoqërisë me tautologji dhe banalitete të lezetuara, me marrëzi paradoksale e fjalë bombastike që kuptohen me vështirësi”.(K.Popper).
Ndërkaq Xhevdeti me gjuhën e vet kërkon ta shkundë tjetrin nga dremitja dogmatike, ta provokojë për të formuar mendimin e lirë, të cilin e respekton edhe atëherë kur e konsideron krejt të gabuar. Ai “provokon” shpesh diskutimin kritik si gurëthemeli i mendimit të lirë të individit, duke i qëndruar besnik filozofisë së K.Popper- it në lidhje me këtë problem:
“Se diskutimi kritik mund të na ndihmojë për ta parë një problem apo çështje nga më shumë e më shumë anë dhe për ta vlerësuar drejt atë”. .
Gazetar i vërtetë, misionar në shërbim të publikut, i integruar profesionalisht e moralisht, racional e objektiv, që e konsideron jetën publike si Shpirtërim.
Sa keq që gazetarë e publicistë të tillë si Xhevdeti janë me pakicë, “në zhdukje e sipër”, por të njohur e të respektuar nga shumica e popullit.
Dëshmi e qartë e cilësive të mësipërme është vepra e tij origjinale e shumëllojshme si dhe një mori librash të shqipëruar prej tij. Po përmend disa prej tyre:
Në biografinë e tij krijuese shënohen më shumë se dhjetë libra si autor, nga të cilët veçojmë disa libra me poezi, prozë dhe publicistikë si: “Blerimet e marsit” poezi (‘Naim Frashëri’, 1977), “Rini e bukur” poezi (‘Naim Frashëri’, 1984), “Peneli i çuditshëm” poemë për fëmijë (‘Mësonjëtorja’, 2005), “Pararendës”, eseistikë (‘Ombra GVG’, Tiranë, 2001), “Ambasadori VOA”- publicistikë (‘Ombra GVG’, Tiranë, 2002), “Zenel Hekali” monografi (me bashkautorë) (‘Ilar’, 2002) “Prapaskena – Hulumtime në historinë e Shqipërisë komuniste” CadPrint, 2015), “Izet Haxhia përballë Sali Berishës”, (Julvin 2, 2016), “Nga janari në dhjetor”, publicistikë 2021, “Koha e pamëshirshme”, sprova dhe shënime kritike, Enja, 2022. etj.
Disa nga librat që ai ka përkthyer janë: “Midis serbëve dhe shqiptarëve – Një histori e Kosovës” nga Miranda Vickers (‘Toena’, 2005); “Çështja Shqiptare – Riformësimi i Ballkanit” nga James Pettifer dhe Miranda Vickers (‘Bota Shqiptare’, 2007); “Misioni Amerikan në Shqipëri” nga Peter Lucas (‘Bota Shqiptare’, 2008) ; “Ç’po bëhet me Çështjen Çame?” nga Miranda Vickers (‘Bota Shqiptare’, 2008); “Shqiptarët – Një histori moderne” nga Miranda Vickers (‘Bota Shqiptare’, 2008); “Enigma e historisë malazeze” nga James Pettifer dhe Averil Cameron, (‘Bota Shqiptare’, 2008) “Jetë dhe Vdekje në Ballkan” nga Bato Tomasheviç, (‘Onufri’, 2009); “Woodhouse, Zerva dhe Çamët” nga James Pettifer, (‘Onufri’ 2010), “Në syrin e ciklonit – Vitet e mia në CIA” nga George Tenet, ‘Weso’ 2012), “Etapa e re e çështjes çame”, nga James Pettifer dhe Miranda Vickers (“Naimi” 2013), “Grekët – Vendi dhe njerëzit që nga koha e luftës” nga James Pettifer (Iceberg, 2013) etj.
Unë do të veçoja disa nga tutuj e sipërcituar: Përmbledhja e publicistikës së tij – ” Nga janari në dhjetor” – ku përmes një analize profesionale, një artikulimi të qartë dhe një gjuhe ekspresive evidenton me mjeshtëri artistike e gjuhësore këto cilësi meritore dhe këtë mision fisnik të këtij gazetari të shquar dhe të talentuar.
Po kaq si shkrimtar i talentuar, Xhevdeti spikat edhe në letërsinë publicistike, ku midis librave të tillë veçoj – “Ambasadori VOA”- që flet për periudhën e Shqipërisë para dhe pas vitit ‘90, mbështetur në përvojën e tij si gazetar i Zërit të Amerikës në Tiranë.
Janë shkruar lloj-lloj librash nga autorë të vendit dhe të huaj, për këtë periudhë duke e parë atë në optika të ndryshme. Por ajo që e bën të veçantë këtë libër është përmbajtja e tij, linja origjinale e trajtimit dhe krahasimi me të kaluarën në ngjarje analoge, që shfaqen si farsë në këtë periudhë, të cilat autori i sjell me mjeshtëri përmes retrospektivës historike.
E gjithë kjo “kronikë eteriane” e kësaj periudhe mbështetet në një arkiv të pasur unikal që autori e kish grumbulluar nga zakoni gazetaresk, ku skedimi dhe fiksimi i ngjarjeve në kujtesë apo me mjete dixhitale janë instrumenta kryesorë të një gazetari apo shkrimtari profesionist…
…”Disa mijëra faqe dorëshkrime, materiale të transmetuara (ose jo), shënime, fletë ditari etj., si dhe disa qindra kaseta me intervista, biseda, dëshmi, kronika mbledhjesh, seanca parlamentare, greva urie, konferenca shtypi, gjyqe etj., etj., kishin ngrirë si zogj në fluturim. Pashë se ato përbënin një provë autentike të zhvillimeve që kanë ndodhur në Shqipëri në një nga pikat kyçe të historisë së saj”- shkruan autori.
Kjo është metoda e tij e të shkruarit, e cila për kohën, përbën një risi. Ai mban një mal me shënime, bën disa dhjetëra telefonata kontrolli dhe verifikimi, konsultime ligjore me specialistët e ligjeve, këshillohet me enciklopeditë.
Kjo është metoda e tij e të shkruarit për një problem që përbën aktualitet. Vetëm pasi të ketë bërë këto hapa paraprakë, vendos të ulet para makinës së shkrimit apo kompjuterit për të shkruar perla të vërteta profesionale gazetareske.
Ai, kur shkruan diçka të rëndësishme për fenomenet që i përkasin gjithë shoqërisë, nuk takon vetëm parlamentarët e qeveritarët, por takon edhe opozitarët. Pra, i dëgjon të gjitha palët, të gjitha versionet.
Karakteri i tij është shumë energjik. Ai bën një jetë shumë intensive dhe të palodhshme në kërkim të lajmit dhe të informacionit. Ka një pasion të veçantë edhe për çështjet historike. Argumentet historike, të cilat i studion, i akumulon për t’i publikuar më vonë një e nga një në formën e urtësive.
I distancuar nga militantizmi, nga partitë politike dhe protagonizmi, letërsia publicistike e Xhevdetit përshkohet nga objektiviteti dhe humanizmi bëhet tepër tërheqëse dhe e pëlqyeshme për publikun.
Ka edhe më për të shkruar për Xhevdetin si përkthyes e si poet, për vlerësimet e bëra nga gazetarë e shkrimtarë të huaj të njohur me veprën e tij, gjë që të cilën ata e kanë pasqyruar në shkrimet e tyre si kolegë profesionistë
Por për mua ajo që më ka tronditur dhe që evidenton cilësitë e mësipërme të një gazetari profesionistë është artikulli i Xhevdetit me të njëjtin titull të librit “Koha e pamëshirshme”.
Jam emocionuar nga mesazhi filozofik, që përcjell me mjeshtërinë e tij të fjalës artistike dhe publicistike, në atë artikull, që të krijon një ndjesi të tillë në fund të leximit, njëjtë me atë që ka thënë Moxarti: “Gjithçka unë insistoj, dhe asgjë tjetër, është që t’i tregosh gjithë botës se nuk ke frikë. Hesht, nëse zgjedh; por kur është e nevojshme, fol – dhe fol në mënyrë të tillë që njerëzit ta mbajnë mend atë.”
Ai thotë atë që nuk thuhet, por që duhet të thuhet. Bën atë që nuk bëhet, por që duhet të bëhet. Thotë atë që mendohet edhe pse mendimi i tij është i rrezikshëm për pushtetarët e grabitqarët e parasë dhe në të njëjtën kohë i dobishëm për shoqërinë e civilizuar. Ai e kërkon të vërtetën dhe kur e gjen këtë të vërtetë e përcjell me pasion, profesionalizëm edhe tek qytetarët e tjerë.
Stili i tij gazetaresk është një model për t’u imituar edhe sot. Njerëz të tillë mbeten një frymëzim dhe një ideal edhe për shumë breza pas epokës së tij.
Gazetarët më të mirë mbijetojnë, nëse arrijnë të prodhojnë gazetarinë më të mirë, që i shërben shoqërisë.
Xhevdeti është një i tillë, i përkushtuar për profesionin, i palodhur për të kërkuar dhe për ta thënë të vërtetën. Ai është një intelektual i madh që lexon shumë për të kaluarën, dëgjon shumë në lidhje me të tashmen dhe shkruante vizione për të ardhmen.
Se…”Koha është e pamëshirshme”!
Prandaj jam i bindur se jo vetëm ky libër, por edhe e gjithë vepra e botuar nga Xhevdeti (Prapaskena, Ambasadori VOA, Nga janari në dhjetor, Pararendës etj.) është një udhëtim emocionues, mjeshtëror, shpesh kundërintuitiv, i domosdoshëm, që shërben si pikë referimi pasi jam i bindur se do ta udhëzojë qartë lexuesin në kuptimin e epokës sonë të “përbindshave”, të shkatërruar nga kriza dhe nga pandemia e re intelektuale e “Refuzimit për të menduar”!
Koha do të jetë e pamëshirshme kundër psikopatisë politike, grabitqarëve të parasë e promovimit të një qeniejr iracionale, atë që Hannah Arendt e quajti “dështim për të menduar” duke i bërë jehonë mësuesit të saj, Heidegger-it, i cili e përkufizoi atë në mënyrë më holistike, si “harresa e qenies” – jo vetëm i “mendimit”, por edhe i ndjenjës.
Në tërësi, Xhevdeti me pak fjalë ngelet një figurë poliedrike, ku dy vargjet e Migjenit përshkruajnë linjën shpirtërore, humane e patriotike të tij për Shqipërinë dhe dashurinë për njerëzit:
“Përditë shoh qartë e ma qartë/dhe vuej thellë e ma thellë…”
Dëshmi e kësaj është intervista e shkurtër e bërë nga unë në klubin e Agollit aty ku mblidhen shpesh edhe “Zylot”.
Në vend të një interviste me Xhevdetin, një bisedë e lirshme me të në kafe-librari Agolli në Tiranë.
Jorgo- Si filloi karriera juaj në gazetari? A e keni menduar gjithmonë të bëheni gazetar?
Xhevdet- Nuk mund ta them ekzaktësisht se kur kam filluar të ëndërroj për t’u bërë gazetar. Fakt është që fjala e shkruar, e shtypur në libra dhe gazeta më ka magjepsur qysh herët, që kur kam mësuar të shkruaj e lexoj. Shkrimet e para në gazeta i kam botuar në vitet e shkollës së mesme. Unë kam bërë shkollë të mesme bujqësore në Fier dhe botoja në gazetën lokale që kishte një emër shumë tingëllues “Drapër e çekan” si dhe kam botuar në Zërin e Rinisë. Pastaj në shkollën e lartë, prapë për agronomi, (më vonë mbarova dhe degën e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës) u bëra një bashkëpunëtor i rregullt i shtypit qendror, deri sa në nëntor 1977 fillova punë si gazetar, kryeredaktor i gazetës “Studenti i Bujqësisë” për të vazhduar mandej në Zërin e Rinisë, Zërin e Amerikës, Drita, Albanian Daily News, Telegraf, e deri tek DITA ku punova së fundmi për më shumë se dhjetë vjet..
J- Çfarë këshille do t’i jepnit dikujt që mendon të ndjekë karrierën e tij në të ardhmen?
Xh- E kam shprehur vazhdimisht që gazetaria është një nga profesionet më të vështira dhe më të bukur njëherësh. Gazetaria është pasion, dashuri, këmbëngulje… Ndaj dhe unë nuk iu ndava këtij zanati. Punova thuajse pa ndërprerje si gazetar 46 vjet më radhë. Çfarë t’u them të rinjve? Nëse e doni vërtet këtë profesion, punoni për të, studioni sa më shumë dhe mësoni nga mjeshtrat e mëdhenj të gazetarisë. Mos u dorëzoni përballë vështirësive. Profesioni ynë është si një maratonë: shumë në fillim dhe pak në finish. Por kini kujdes, duhet ta dini se pas finishit vjen një fillim i ri. Kur bëheni gazetar, çdo ditë është një garë: ajo që bëmë dje nuk ka më rëndësi. Ajo që ka rëndësi është ajo që bëjmë nesër. Dhe gjyqtarët tanë janë lexuesit tanë. Nëse bëjmë gabime, rrezikojmë historinë tonë. Kështu e shoh unë.
I dashur Jorgo, gazetar duhet të jetë i paanshëm dhe sidomos jo partiak. Kam shkruar diku për dallimin mes gazetarit dhe politikanit. Në kushtet e një politizimi të skajshëm, sikurse është shoqëria shqiptare pas përmbysjes së diktaturës komuniste, kur njerëzit e rëndomtë hiqen më politikanë se politikanët, kur zhvillohet një luftë e egër dhe e paprinciptë midis forcave të ndryshme politike, përcaktimi i qartë i pozicionit të gazetarit në raport me shoqërinë në tërësi dhe sidomos me partitë politike, është i vështirë të bëhet. Ky është një kurth i rrezikshëm për gazetarët.
J- Po ju si e ruajtët pavarësinë, pra si i shpëtuat këtij kurthi?
Xh- Si i kam shpëtuar unë këtij kurthi? Fare e thjeshtë. Unë nuk u bëra pjesë e asnjë partie, as i partisë së punës dhe as të bijave të saj në pluralizëm. Pra, me shaka unë them ndonjëherë më shokët se ngela pa nënë parti tërë jetën Rastësi? Jo. Unë e doja këtë profesion që zgjodha dhe desha të mbetem një idealist. Joshja për pasurim dhe privilegje të prish, të humbet ekuilibrin dhe besueshmërinë. Gazetari është një vëzhgues i vëmendshëm i ngjarjeve, të cilat i shikon dhe pasqyron sipas një pikëvështrimi të caktuar. Megjithatë ai synon drejt realizmit, i cili i siguron atij auditorin e domosdoshëm, lexuesit apo dëgjuesit e shumtë. Sepse gazetari bën politikë, por nuk është politikan. Dhe ka një dallim të dukshëm, thelbësor, midis gazetarit dhe politikanit. Gazetari në përgjithësi flet me gjuhën e bindjeve që i kalojnë kufijtë e një partie, ndërsa politikani flet me gjuhën e partisë që i bindet. Politikani është “rob” i vendimeve dhe programit të partisë; gazetari, më shumë se partinë, respekton ligjet e fjalës së shkruar. Ndaj politika që bën gazetari është më jetëgjatë se ajo e politikanit. Sepse, politikani u flet njerëzve për ta dëgjuar në të tashmen, gazetari u flet që ta besojnë në të tashmen dhe të ardhmen. Politikani synon pushtetin, gazetari të vërtetën. Makiaveli thotë te Princi se për të njohur mirë natyrën e popujve është e domosdoshme të jesh princ, ndërsa për të njohur mirë princërit, duhet te jesh popull. Gazetari ka privilegjin të ndodhet midis princit dhe popullit. Ose, më saktë, ai duhet thënë se ndodhet sa midis princërve, aq dhe midis popullit. I barazlarguar nga të dy palët dhe midis të dy palëve njëherësh, gazetarit, si askujt i jepet mundësia të njohë mirë princërit (domethënë pushtetarët, politikanët) dhe nga ana tjetër popullin, mes të cilit ai jeton përditë si pjesë e pandashme e tij.
J-Si e trajtoni çdo polemikë që mund të lindë nga botimi i njërit prej artikujve tuaj?
Xh- Me vendosmëri: ndaj lexuesve, të cilët janë gjyqtarët tanë; dhe ndaj politikanëve, të cilët janë përfaqësuesit e qytetarëve dhe që meritojnë respekt. Por respektimi i tyre nuk do të thotë fshehja e përgjegjësive të tyre. Ligji parashikon të drejtën e përgjigjes dhe kushdo që beson se një artikull është i pasaktë mund t’i shkruajë gazetës. Gazetari është përgjegjës për t’u përgjigjur: nëse gabohet, ka detyrë ta pranojë; përndryshe, ai i qëndron besnik shkrimit të tij.
Deri disa dekada më parë, bota e gazetarisë ishte e mbushur me profesionistë të konsideruar nga të gjithë si figura kyçe: Unë kam pasur si idhuj të mi në këtë fushë ku përfshij në radhë të parë publicistët e Rilindjes sonë Kombëtare si disa emra shumë të njohur bashkëkohorë si Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Ismail Kadare, Xhevahir Spahiu, Ymer Minxhozi… Kam patur gjithashtu idhuj të mi Indro Montanelin, Kurcio Malaparten, Stefan Cvajgun e sa e sa të tjerë. Xhevat Lloshi më ka dhënë lëndën e Stilistikës në gazetari dhe i jam mirënjohës për ndihmesën e çmuar që më ka dhënë për t’u bërë gazetar. Unë kam mësuar shumë prej tyre.
J- Sot, sipas mendimit tuaj, a ka gazetarë që mund të zënë vendin e tyre? Nëse po, kush? Nëse jo, pse?
Xh -Ndonëse janë shumë të paktë, prapë gazetarë të mirë ka. Disa prej tyre i kam pasur kolegë. Pra jam optimist, pavarësisht se jetojmë një kohë me zhvillime interesante edhe në lëmin e gazetarisë, me mundësi të pakufizuara të shprehjes dhe lirisë së mendimit. Këtu dua të hap një parantezë: Shpesh ankohemi me të drejtë për shpërdorimin e lirisë së fjalës. Pse? Sepse jo të gjithë janë gazetarë ata që shkruajnë e flasin. Kemi inflacion të fjalës saepse kemi edhe inflacion gazetarësh. Ka shumë të punësuar, që marrin rrigë nëpër gazeta dhe media, por shumë pak prej tyre janë gazetarë. Në dhjetra universitete publike dhe private tashmë ka medoemos një fakultet apo degë gazetarie. Dhjetëra apo qindra prej tyre marrin çdo vit diplomën e gazetarit, por që nuk bëhen kurrë gazetarë. E dini pse? Pak më parë unë përmenda Xhevat Lloshin që më ka dhënë stilistikën, një lëndë bazë për formimin e gazetarit. Mjafton të përmend se këtë lendë e kanë dhënë para tij Jakov Xoxa dhe Dritëro Agolli. Në fund profesor Xhevati. Them në fund, pasi në degët e shumta të gazetarisë nëpër universitete sot është “harruar” kjo lëndë. E, unë nuk mund ta imagjinoj se si mund të bëhesh gazetar pa ditur stilistikën.
J- Si ka evoluar bota e gazetarisë në vitet e fundit? Dhe si po reagon ajo ndaj këtij evoluimi?
Xh- Gazetaria sot duhet të bashkëjetojë me mediat sociale. Çdo gjë bëhet online, madje të duket ndonjëherë se edhe se gomarët fluturojnë. Por ideja se të gjithë janë gazetarë është e gabuar dhe madje e rrezikshme. Rreziku nuk është aq shumë të shkruash se gomarët fluturojnë. Rreziku është se ka njerëz që e besojnë atë. Pasojat mund të jenë katastrofike.
Gazetarët janë të nevojshëm për t’i dhënë besueshmëri një historie. Prandaj, është e rëndësishme që ata të jenë të besueshëm dhe të ndershëm me lexuesit. Sidomos në një kohë si kjo, gazetarët duhet të informojnë pa rënë në sensacionalizëm, i cili është mallkimi i profesionit tonë.
Dhe në vitet e fundit, gazetaria jonë është e infektuar me këtë sensacionalizëm, që është tradhti ndaj kauzës së gazetarisë profesionale dhe humane.
J- Sipas mendimit tuaj, cila është marrëdhënia midis të rinjve dhe gazetave?
Xh- Fatkeqësisht, thjesht nuk ekziston. Dhe unë nuk e di se si mund të rindërtohet kjo, por gjithsesi u them të rinjve se të qenit i informuar është mënyra më e drejtpërdrejtë për të qenë të lirë dhe të aftë për të zgjedhur. Përndryshe, do t’i besojmë personit të parë që pretendon se ka parë gomarë të fluturojnë dhe se edhe ne mund të fluturojmë.
J- Sipas disa vëzhguesve, gazetat e shtypura janë në krizë. Të rinjtë, veçanërisht, mbështeten te gazetat online ose te media të tjera pak a shumë të besueshme. Sipas mendimit tuaj, a po i afrohemi një shoqërie dixhitale që do t’i çojë gazetat të pësojnë të njëjtin fat si radioja, e cila ka rënë në harresë për shkak të ardhjes së televizionit?
Xh- Media e shtypur është në krizë, por gazetat më të rëndësishme – si Dita, Sot, e ndonjë tjetër- po gëzojnë sukses me gazetat online. Bota po ndryshon, por historia na mëson se disa gjëra kthehen. Në mënyra të ndryshme, por ato kthehen. Unë mbetem optimist. Dhe sidoqoftë, të mbash një gazetë në duar, të nuhasësh bojën që përzihet me letrën, është një përvojë e mrekullueshme.
Të dashur lexues, vazhdoni të lexoni!
Këtu është fundi i intervistës dhe i artikullit njëkohësisht.
Me modesti shpresoj të kem evidentuar sado pak personalitetin e një prej atyre personazheve të historisë, që dinë ta tregojnë atë, pavarësisht se kanë qenë apo jo pjesëmarrës në të.
Mirënjohje dhe Respekt, Xhevdet, për këtë kontribut publik gazetaresk, intelektual e qytetar.
Jorgo Mandili, 19 tetor 2025