
…s’është më rastësi, por simptomë e një shoqërie që nuk do ta shohë veten në sy.

Nga Kastriot KOTONI
Një tjetër ngjarje absurde në Durrës u shfaq si pasqyrë e një shoqërie që dita-ditës po rrëshqet në banalitet e dhunë… Një krim i pabesueshëm, por më i frikshëm se vetë ngjarja është apatia me të cilën e presim një tjetër kronikë të zezë, se kjo që ndodhi do të harrohet në pak orë…
Po kush jemi, dhe nga cila shpellë e nënvetëdijes vijmë? Cilat jehona primitive na fryjnë në vesh urrejtjen dhe na yshtin në sedrën e cubit apo bajraktarit? Dikur Shqipërinë e vizitonin antropologë për kullat e gjakmarrjes; sot mjafton një fjalë goje që të ndizet gjaku. Motivi s’ka pikë rëndësie…, problemi është pse jeta vlen kaq pak.
Pas çdo tragjedie, shfaqen gazetarë, psikologë, prokurorë e “ekspertë” që analizojnë gjithçka nëpër studio televizive. Por kur vrasjet janë bërë si reshjet e shiut, a mjafton ky ritual i përsëritur për të qetësuar ndërgjegjen kolektive?
Shoqëria shqiptare është e përçarë, pa një frymë të qëndrueshme reagimi. Protesta është lënë në dorë të partive, ndërsa zëri qytetar shfaqet vetëm sporadikisht, zakonisht kur dhunohet ndonjë grua apo vajzë.
Në vend që të kultivojmë ndjeshmëri, shfaqim spektakle dhune, nga fadromat në Theth e deri te aksionet televizive që tregojnë forcën e shtetit “kur i do qejfi”.
Por ligji ka vlerë vetëm kur zbatohet çdo ditë.
Qytetari kërkon qetësi e siguri, jo frikë e pasiguri nga individë të paekuilibruar apo nga shteti vetë.
Mungesa e politikave serioze në shëndetin mendor ka sjellë një shfaqje të frikshme: njerëz të turbullt, agresivë, që enden si sociopatë në hapësirën publike, ndërsa shteti bën sehir.
Në qytetet tona jeta shpirtërore është zbehur: mëngjes, drekë e darkë, kafenetë plot…, kultura e sporti të lënë pas dore. Media ka harruar misionin edukues dhe jetojmë në një shoqëri që e konsumon lajmin si spektakël, jo si vetëdije.
Edhe në kohën kibernetike, shteti nuk e përdor hapësirën dixhitale për të ngritur kulturën qytetare, por për propagandë.
Një ndeshje e kombëtares ndez për pak gëzim mbarëshqiptar, por pastaj heshtet gjithçka. Artet, aktivitetet kulturore dhe jeta publike jashtë Tiranës janë harruar. Ky centralizim krijon bullizim territorial dhe ndjenjë përjashtimi në qytetet e tjera.
Krimineli nuk trembet nga kamerat apo reformat.
Problemi qëndron te mungesa e qëndrueshmërisë në policinë e shtetit, te ndërrimet e shpeshta, te dobësimi i figurës së punonjësit të ndershëm.
Kur humbet ky model, bie besimi. Dhe kur publiku hesht, ose, më keq, kthehet në tifozeri, atëherë çdo ngjarje idioteske s’është më rastësi, por simptomë e një shoqërie që nuk do ta shohë veten në sy.