Monday

27-10-2025 Vol 19

Pesë herë ra në zi për ty Shqipëria…


Nga Petrit RUKA (1954 – 2021)


VARRIMET E NAIM FRASHËRIT

Pesë herë ra në zi për ty Shqipëria

Nga që për Naimin nuk ngopej së qari,

çdo herë e më të lehta eshtrat e holla

gjithmonë e më i madh varri.

Gjithmonë e më i vogël arkivoli

a thua se varrosnin një violinë,

Ti fat i Shqipërisë që u ngrite si i marri

Kur kombi ish me një këmbë në greminë

Gatitu para eshtrave të tua një Mbret,

Jakomoni me stemat e arta fashiste,

Në rresht e gjitha me grushtin përpjetë

Byroja e ngjeshur komuniste.

Të gjithë kërkonin nga ty pak lavdi

Po ti atë me kohë e kishe dhënë,

Kur Shqipëria firasej si hëna nën mjegull

Ti thirre i pari: Zgjohu, moj Nënë!

Dhe ashtu si Krishti që ngriti Llazarin

Ti Atdheun e zgjove nga hashashi osman,

i vetën kaq gjë mund ta bënte veç Zoti

dhe ti grimca e tij, fati ynë naimian.

Nën furrën e ballit sa gjysmë e Tomorrit

shqipen e shkrive dhe e derdhe si ar,

një nga një me ujin e lumenjve të kulluar

na pagëzove e na dhe emrin shqip-ë-tar

Pesë herë ra në zi për ty Shqipëria

Nga që për Naimin nuk ngopej së qari,

Të gjashtin e te fundit sa shumë do ta desha

Në Frashër,…si Meka e çdo udhëtari…

Zbathur, në këmbë unë rrugën do ta bëja,

mbi sup si violinë t’i mbaja ato eshtra,

I dehur nga besimi se aty nëpër shekuj

Shqipëria do të derdhet nëpër mijëra rreshta…


Më poshtë po japin shpjegimin e ndryshimit të vendvarrimeve të Naim Frasherit nga poeti Petrit Ruka:

1- Poeti ynë kombëtar Naim Frashëri vdiq në 20 tetor të vitit1900 dhe u varros në Merdiven – Koj pranë një teqeje të vogël në Stamboll.

2- Varrimi i tij i dytë u bë më 3 qershor 1937 në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në Tiranë me rastin e festimit të 25 vjetorit të Pavarësisë, në një ceremoni madhështore të shtetit shqiptar dhe me interesimin e vet Mbretit Zog, i cili mori përsipër personalisht shpenzimet e sjelljes së eshtrave të tij prej Turqisë.

3- Varrimi i tretë u bë në 9 prill 1940, nën pushtimin fashist italian, me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së tij, nën kujdesin e Françesko Jakomonit (mëkëmbësi i mbretit Viktor Emanueli III për Shqipërinë) sërish në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve në Tiranë, por në një varr të ri monumental të ideuar dhe financuar nga Jakomoni. Mbi mermer u vendos ky shënim: “Dhuratë e Shkëlqesisë së tij, Mëkëmbësit të Përgjithshëm, Françesko Jakomoni”

4- Varrimi i katërt, u bë në 20 prill 1950 nga qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së poetit, në qendër të Tiranës aty ku janë ende sot tre bustet e vëllezërve Frashëri.

5- Varrimi i pestë u krye në Tiranë më 10 qershor 1978 në kuadrin e festimeve madhështore për 100 vjetorin e krijimeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Nga sheshi “Skënderbej” të vendosur në shtrat topi, eshtrat e dy vëllezërve Naim e Abdyl Frashëri të shoqëruar nga mijëra banorë, politikanë dhe qeveritarë u përcollën për në kodrat e liqenit, ku ishte përgatitur një varrezë monumentale për Abdylin e Naimin dhe një varr simbolik (pa eshtra) për Sami Frashërin.

Varrimi i gjashtë… një dëshirë hipotetike e imja, (!) që Poeti Kombëtar duhet të prehet përfundimisht një ditë aty ku lindi, në Frashër të Përmetit, duke e kthyer këtë fshat të shenjtë të Shqipërisë në një lloj Meke të shqiptarizmit…


perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *