Ilir MBORJA
(Replikë me autorin e shkrimit: “Çfarë i tremb prokurorin Gjergji Ceka dhe gjyqtaren Megi Strakosha…?!”)
Në shkrimin e publikuat të tij, Besmir Çollaku ngre një pyetje provokuese: “Çfarë i tremb prokurorin Gjergji Ceka dhe gjyqtaren Megi Strakosha, kur avokati Ulian Barjami, u drejtohet në seancë gjyqësore, se me konstatimin e akteve të falsifikuara, ai do të bëjë padi penale ndaj tyre?!”, duke sugjeruar se reagimi i tyre ndaj avokatit Ulian Bajrami ka qenë i motivuar nga frika dhe jo nga nevoja për të ruajtur rendin gjyqësor. Por, një analizë e këtij ligjërimi, nga këndvështrimi i jurilinguistikës na jep një pamje, jo vetëm më të qartë dhe më të ekuilibruar të ngjarjes, por, krejt të kundërt me atë që thotë gazetari Basmir Çollaku, të cilit dua t’i kujtoj se jurilinguistika nuk merret me emocione apo me supozime mbi frikën e gjyqtarëve e prokurorëve. Ajo analizon gjuhën e përdorur në kontekst ligjor: çfarë u tha, si u tha dhe në çfarë rrethanash…?
Në këtë rast, deklarata e avokatit Bajrami: “Do merrem personalisht me ty e oficerët, do bëj kallëzim…!”, nuk është thjesht një njoftim për padi. Përdorimi i fjalës “personalisht” në një sallë gjyqi, ku çdo komunikim duhet të jetë profesional, është një devijim serioz nga etika gjyqësore. Kjo frazë, e shoqëruar me ton të lartë dhe kontekst tensioni, sipas standardeve të pragmatikës ligjore, përbën një akt ligjërimor kërcënues…
Çollaku, kur e quan këtë “të vërtetë që kërkon ta hetojë drejtësia”, harron se nuk është përmbajtja e deklaratës që u ndëshkua, por forma dhe mënyra e komunikimit. Avokati ka të drejtë të kërkojë hetim për çdo akt të dyshuar, por kurrsesi të përdorë gjuhë kërcënuese në sallë të gjyqit. Madje, edhe jashtë saj, është plotësisht e dënueshme çdo gjuhë që mund të përmbajë edhe nota intimidimi ndaj përfaqësuesve të sistemit…
Për më tepër, krahasimi i “dorës në pranga” me “dorën në plumb”, është një hiperbolë e rrezikshme që e ngatërron ndërhyrjen ligjore për ruajtjen e rendit me dhunën fizike. Kjo lloj gjuhe nuk ndihmon në analizën e drejtësisë, por e politizon dhe e dramatizon në mënyrë të frikshme atë.
Gazetari i shkrimit në fjalë dhe gjithë ata që e posedojnë videon e publikuar nga avokati Llangozi mund të dëshmojë vetëm për atë që dëgjohet, por, gjithsesi, nuk mund të përjashtojnë momentin kur fjalëve që dalin nga goja i bashkëngjiten gjeste që, shpeshherë, shumë më shumë se fjala e folur, transmetojnë një kumt kërcënues. Jurilinguistika na mëson se një fjali mund të jetë formalisht e ligjshme, por praktikisht e rrezikshme, nëse ajo synon të frikësojë apo të ushtrojë presion. Pra, duhet kuptuar se audioja nuk na jep gjithçka. Ajo nuk përçon gjuhën e trupit, gjestet, mënyrën e vështrimit, drejtimit apo pjesëve fizike, që janë elementë thelbësorë për të kuptuar nëse një deklaratë është thjesht verbale, apo shoqërohet me qëndrime kërcënuese(???).
Në analizën e ngjarjes, këto elementë jo-verbalë janë po aq të rëndësishëm sa vetë fjalët…
Në këtë kontekst, autorit të shkrimit dhe, sidomos Kolegjit të Avokatëve që kanë dalë në mbrojtje të kolegut Bajrami, nuk mund të mos i kujtojmë edhe ngjarjen e rëndë të ndodhur vetëm pak ditë më parë: vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit në Tiranë nga një palë e pakënaqur me vendimin…, atë akt ekstrem që ka tronditur sistemin gjyqësor…
Në këtë klimë tensioni dhe pasigurie, çdo deklaratë që perceptohet si kërcënuese, qoftë edhe verbale, merr një peshë shumë më të madhe…. Dhe është plotësisht e kuptueshme, pse gjyqtarët dhe prokurorët, me plot të drejtë, janë më të ndjeshëm ndaj gjuhës që mund të nxisë kërcënim apo destabilizim…
Prandaj, sjellja e avokatit Bajrami nuk mund të shihet si një “e drejtë për të kërkuar hetim”, por si një devijim nga komunikimi institucional, që në kushtet aktuale të sigurisë, përbën rrezik të shtuar. Duhet ta kemi të qartë se, gjyqtarja Strakosha nuk reagoi ndaj një “të vërtete”, por ndaj një formulimi që në kontekstin e seancës, përbënte kërcënim verbal të pastër… Dhe kjo, sipas standardeve të një drejtësie që duam të ndërtojmë, është arsye e mjaftueshme për ndërhyrje të tilla nga ana gjyqtarëve.
Nëse duam drejtësi të fortë, duhet të mbrojmë jo vetëm të drejtën për të folur, por edhe normat që e bëjnë atë fjalë të vlefshme në sallën e gjyqit. Liria e shprehjes nuk është leje për të cenuar integritetin e procesit gjyqësor.