Hedh këto rreshta falë teknologjisë, ndonëse e di që kjo pjesë aq e rëndësishme e zhvillimit mendor është trajtuar dikur në “Historinë e librit”. Në familjen time më kanë treguar se prindërit e mi, si shumë nxënës të atyre viteve, mësonin të shkruanin mbi një pllakë guri me tebeishir, që e mbanin në çantë çdo ditë. Librat dhe fletoret hynin në përdorim vetëm nga fundi i klasës së parë. Ishte koha kur mësimi dhe puna shkonin dorë për dore, jo përmes ekraneve, por përmes prekjes, përpjekjes, gabimit dhe përmirësimit.
Sot, falë teknologjisë, ndjehemi “afër botës”, do të thoshte dikush. Por qëllimi i këtij shkrimi nuk është as krahasimi me të kaluarën dhe nuk ka lidhje as me koleksionistët, antikuaristët, apo mbylljen e disa degëve në universitetet tona…
Dua të ndalem te fati i popujve prodhues të teknologjisë, që kanë ngritur identitetin e tyre kombëtar mbi filozofinë e inteligjencës industriale.
Si ndihen italianët kur po zhduket prodhimi i veturave “Fiat”? Si ndihen japonezët kur markat e tyre tradicionale rrezikojnë nga konkurrenca aziatike? Apo gjermanët, kur “Benz”-at e tyre përzihen në treg me makinat elektrike të lira të Kinës e Koresë? Kjo nuk është një pyetje ekonomike, por kulturore dhe identitare. Këto vende u ngjitën në majat e zhvillimit botëror jo për shkak të pasurive nëntokësore, por sepse kishin vizion për të ardhmen. Ata kuptuan se mbijetesa e një kombi nuk varet nga ajo që gjen nën tokë, por nga ajo që ndërton në mendje. Për këtë arsye, hapën shkolla teknike, institute kërkimore, fabrika eksperimentale. I paraprinë kohës, duke përgatitur breza që prodhuan teknologji, marka, patenta. Dhe sot, këto shkolla ruhen si thesare kombëtare. Kur qytetarët e atyre vendeve pyeten se si ndihen që po humbasin markat kombëtare(?), përgjigjja është e njëjtë: ndihen të poshtëruar. Sepse për ta, inteligjenca teknologjike është pjesë e identitetit kombëtar, jo thjesht e tregut.
E gjithë Azia sot dëshiron të jetojë si Perëndimi. Dikush mund të thotë: “Ata vetëm kopjojnë”. Jo më. Sot kërkojnë cilësi, origjinalitet dhe markë të vërtetë. Këtë ua ka mësuar hapja ndaj botës dhe interneti. Po ne, shqiptarët? Kur na pyesin se çfarë prodhimi origjinal kemi dhe me çfarë teknologjie e realizojmë, shpesh mbetemi pa fjalë. Dhe megjithëse jemi një vend i vogël me pasuri të mjaftueshme, nuk na falet që të mos jemi të lidhur me përpunimin, me industrinë, me teknologjinë.
Në Shkodër ende dëgjon shprehjen “ora e inglisit”, një kujtim i kohëve kur kishte punëtori, kombinati, mjeshtra. Sot politika ka ndërhyrë për të prishur gjithçka që prodhonte. U shkatërruan uzinat, fabrikat, repartet mekanike, duke e kthyer vendin në një ekonomi që “eksporton” veç emigrantë, dhe si pasojë, edhe një përqindje të vogël trafikantësh e kriminelësh. Rrugët e Tiranës janë të mbushura me mallra nga çdo cep i botës, por shumë pak me produkte shqiptare.
Pyes veten: pse panelet diellore nuk janë të përhapura në shumë vende të Evropës? Përgjigjja është e thjeshtë: ato prodhohen për vendet me shumë diell dhe temperatura mbi 5 gradë, sepse në të ftohtë pasqyrat thyhen. Pra, teknologjia prodhohet sipas klimës së vendit. Ne kemi klimën ideale, diell, ujë, det, por nuk e vlerësojmë këtë dhuratë të natyrës. Kemi bregdet të gjatë, por asnjë kantier për riparimin e anijeve. As flotë moderne peshkimi. Duket sikur ky popull s’ka pasur lidhje me detin, kur në fakt, në lashtësi, paraardhësit tanë ishin zotër të Mesdheut. Kur mungon mendimi politik afatgjatë dhe nisma private për zhvillim teknik, gjithçka përfundon te bageri, leja e ndërtimit dhe kulla. Politikanët bashkë me ndërtuesit bëhen bashkautorë të një ekonomie që nuk prodhon asgjë, veç betoni dhe borxhi.
Mesdhetarët dikur përçuan kulturë e teknologji në gjithë botën. Ne jemi kthyer te origjina e hershme, sikur historia jonë mbaron aty. Por pa prodhim, pa shkenca, pa teknologji, nuk ka pasuri, nuk ka dinjitet. Duhet të hapet një ekspozitë për historinë e prodhimit shqiptar: nga përpunimi i metaleve, barutit e armëve, deri te veglat bujqësore, porcelani, qelqi, instrumentet muzikore e punimet artizanale. Një ekspozitë që të zgjojë ndër breza besimin te vetja. Sepse nuk mund të mburremi vetëm me lakrorin e qoftet, si “prodhime origjinale shqiptare”.
Sot po shkoj të shoh një peshore me gurë për peshime mbi 100 kilogramë, që përdorej në Tiranë nga familja Mema në vitet 1900. Radiot dhe televizorët që prodhoheshin dikur janë zhdukur. Ka mbetur ndonjë peshk prej qelqi nga fabrika e Kavajës, apo ndonj[ qyp prej poerisë së saj… Para disa ditësh është shitur edhe traktori fundit i prodhuar në vend… Gjithashtu, ndonjë copë porcelani nga Korça, disa mbetje plastike nga NISH Goma e Durrësit. Dhe e them me ironi: antikuarët e huaj nuk hanë bar… Një ditë do vijë ndonjë i huaj, do hapë ekspozitë me prodhimet tona të harruara, dhe ne do i admirojmë me habi, ashtu siç dikur i shikonim albanologët që “zbulonin” Shqipërinë romantike.
Ne nuk kemi mungesë talenti, as mungesë dritash në mendje. Ajo që na mungon është vullneti për të projektuar të ardhmen. Një komb që nuk prodhon, që nuk shpik, që nuk ka shkolla teknike, mbetet konsumator i përjetshëm i botës. Dhe kush konsumon pa krijuar, humbet edhe shpirtin. Dikur, çdo qytet kishte një mjeshtër. Sot kemi qendra tregtare, por jo më ustallarë. Kemi diploma, por jo më zanate. Në vend të fabrikës kemi “franchise”-n; në vend të mendjes, markën e huaj. Po humbim kujtesën e dorës që punon.
Nëse duam të jemi pjesë e botës moderne, duhet të fillojmë nga rrënjët e prodhimit: nga teknika, nga shkenca, nga dijet praktike. Të rikthejmë në kujtesë makinat që prodhonim, energjinë që përdornim, mjeshtrit që shpiknin. Sepse teknologjia nuk është luks. Është formë identiteti. Nëse nuk e ringjallim trashëgiminë tonë teknologjike, një ditë të huajt do të na e ekspozojnë historinë si kuriozitet muzeal të një populli që s’e deshi kurrë mjaftueshëm veten. Dhe atëherë, do të admirojmë nëpër vitrina atë që duhej ta kishim mbrojtur me krenari.

Kastriot KOTONI