Monday

27-10-2025 Vol 19

Durrësi në kujtime: Një ekspozitë fotografike që ringjall historinë e një qyteti në zhdukje


Në fasadën e ish-hotel “Vollga” janë shfaqur 120 fotografi që dokumentojnë Durrësin e dikurshëm, një udhëtim në kohë që risjell pamjet, kujtimet dhe shpirtin e një qyteti që po humb rrënjët e veta historike.

Mbrëmjen e kaluar, dritat e ish-hotel “Vollga” ndriçuan jo thjesht një ndërtesë, por kujtesën e të gjithë Durrësit. Rreth 120 fotografi të rralla, të skanuara dhe përzgjedhura me kujdes, janë shfaqur mbi fasadën e godinës për të treguar historinë e një qyteti që ndryshon çdo ditë dhe që rrezikon të harrojë veten.

Fotografia më e vjetër daton në vitin 1912, duke dokumentuar muret antike pranë Torrës Veneciane, një pjesë e të cilave sot nuk ekziston më. Ajo, si shumë pamje të tjera të ekspozitës, është dëshmi e qartë e transformimeve që kanë fshirë ngadalë gjurmët e Durrësit historik.

Gjatë paradites së sotme, dhjetëra qytetarë dhe turistë ndaluan përballë 20 tabelave me foto, të vendosura përgjatë shëtitores, duke kërkuar në to fytyrën e dikurshme të qytetit, rrugicat e hershme, ndërtesat e shkatërruara, shatërvanin e zhdukur të sheshit “Liria” dhe shkollën e parë të Durrësit, që sot nuk ka asnjë shenjë përkujtimore.

Punonjësit e bashkisë ndërkohë po punojnë për shtrimin e trotuarit pranë ekspozitës, që pritet të ndriçohet gjatë mbrëmjeve, në mënyrë që fotot të jenë të dukshme për kalimtarët dhe vizitorët e huaj.

Një pjesë e imazheve paraqesin ndërtesa ikonike të qytetit, si fabrika e cigareve “Stamles”, dikur një simbol i zhvillimit industrial në Ballkan, sot e kthyer në institucion arsimor, pa asnjë shenjë të së kaluarës së saj.

Por më e ndjera ndër mungesat është fotografia e shatërvanit të projektuar nga arkitekti Kristo Sotiri rreth 80 vite më parë. E hequr në mesin e viteve 2010 për t’i lënë vendin rindërtimit të sheshit, ajo mbetet në kujtesën kolektive si simbol i një Durrësi plot jetë e elegancë.

Ekspozita, e vendosur përballë Torrës veneciane, është realizuar me kontributin e Brunilda Liçajt, pedagoge në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, e cila ka mbledhur për vite me radhë imazhe nga botime të vjetra dhe arkiva ndërkombëtare, përfshirë edhe revistën National Geographic.

Në heshtje, çdo fotografi flet për rrugët e zhdukura, për shtëpitë që nuk janë më, për njerëzit që u rritën me erën e detit dhe tingujt e trenit. Ekspozita nuk është vetëm një rikthim në të shkuarën, por edhe një thirrje për ta mbrojtur atë që ka mbetur nga kujtesa e qytetit bregdetar, përpara se historia e Durrësit të shndërrohet në një kujtim pa adresë.

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *