

Nga Qamil Gjyrezi
Më datë 17 tetor 2025, ditën e premte, zhvillohet në Muzeun Historik Shkodër performanca “Piktura dhe muzika në muzeum”.
Në këtë aktivitet do të zhvillohet ekspozita personale e piktorit Ahmet Malevija me temë: “Dialog me ngjyrat, nëpërmjet ekspresionizmit dhe abstraktes”, me kuratore Profesoreshë Ermira Jahja, si dhe koncerti i flautistes Majlinda Spiro me titull: “Magjia e tingujve të flautit në muzeum”, me pjesëmarrjen e muzikantëve shkodranë.
Në këtë aktivitet, znj. Majlinda Spiro do të interpretojë për spektatorët shkodranë:
Bach – Sonata në A minor, për flaut solo
Debussy – Sirinx, për flaut solo
Skica nga kompozitori, muzikologu dhe akademiku shqiptar Vasil S. Tole – Skica për flaut solo
Zonja Spiro, krahas aktiviteteve pedagogjike dhe koncertore në Shqipëri, Francë dhe në nivele të larta në Greqi, ka marrë pjesë në ekspedita kërkimore etnologjike-gjuhësore me ekipe kërkimore ndërkombëtare.
Ajo është diplomuar gjithashtu në Institutin e Lartë Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit (1989), në degën e Mësuesisë.
Majlinda Spiro ose Anna-Majlinda Spiro (lindur më 1968 në Fier, Shqipëri) është flautiste shqiptare dhe studiuese e muzikës.
Ajo studioi flaut në Shkollën e Mesme Artistike “Onufri” të Elbasanit (1978-1986). Debutimin artistik e bëri në fillim të studimeve të saj, duke luajtur solo për flaut dhe orkestër në TVSH (1982).
Në vitin 1993 u pranua me konkurs në Konservatorin e Athinës, ku studioi me bursë në klasën e flautit me profesorët Urs Rüttiman (Zvicër) dhe Dimitris Fotopoulos (Greqi).
Për rezultatet e larta në flaut fitoi Çmimin e Konservatorit të Athinës.
Në vitin 1997 mbrojti diplomën me notën shkëlqyeshëm me votim unanim.
Pas përfundimit të studimeve ka ndjekur disa kurse speciale për flaut, ndër të cilët kursin e flautistit të njohur francez Alain Marion.
Anna-Majlinda Spiro është shpallur profesore e flautit nga Ministria e Kulturës e Greqisë dhe ka dhënë mësim si profesoreshë në Konservatorin Kombëtar të Greqisë, si dhe në shkolla të tjera muzike të këtij vendi.
Ajo ka qenë profesoreshë e ftuar në Konservatorin e Iraklios (Kretë) (1999–2000).
Në vitet akademike 2010–2014 ka qenë pedagoge e ftuar në Universitetin e Arteve, Tiranë.
Majlinda Spiro, themeluese e Shoqatës së Flautistëve Shqiptarë
Në vitin 2013, Anna-Majlinda Spiro themeloi Shoqatën e Flautistëve Shqiptarë, me synimin për të koordinuar përpjekjet për zhvillimin dhe konsolidimin e shkollës shqiptare të flautit.
Në të njëjtin vit ajo organizoi një master class për flaut me studentë dhe flautistë nga Shqipëria dhe Kosova.
Përveç repertorit klasik, Anna-Majlinda Spiro ka interpretuar edhe muzikë tradicionale popullore.
Ajo ka qenë për vite me radhë pjesëtare e Ansamblit Muzikor “Isuf Myzyri” (Elbasan, Shqipëri) dhe e Ansamblit të Muzikës Tradicionale Greke të Aristidhis Moskos (Athinë, Greqi), me të cilët ka realizuar mjaft regjistrime muzikore.
Anna-Majlinda Spiro ka marrë pjesë në ekspedita kërkimore etnologjike-gjuhësore me ekipe ndërkombëtare, si dhe ka kumtuar në konferenca ndërkombëtare në Shqipëri.
Flautistja Majlinda Spiro luan me një teknikë të lartë, me tingull të pastër e të ndjeshëm, dhe me formim të thellë muzikor.
Ajo ka interpretuar veprat më të njohura të repertorit të flautit, duke filluar nga baroku, klasikja, impresionizmi, deri te veprat bashkëkohore dhe ato të kompozitorëve shqiptarë.
I uroj Zonjës Spiro suksese në koncertin e saj në Muzeun Historik Shkodër.
(shkodrazone.com)