Monday

27-10-2025 Vol 19

Sukses për Shqipërinë: Akademia e Shkencave pranohet anëtare nderi në Komunitetin Ndërkombëtar të Akademive


Pas vlerësimit unanim nga bordi i Koinon, institucionit më prestigjioz ndërkombëtar të shkencave humane dhe sociale, Akademia e Shkencave e Shqipërisë i bashkohet elitës akademike botërore.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka shënuar një arritje të rëndësishme në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar shkencor, duke u pranuar si anëtare nderi e Komunitetit Ndërkombëtar të Akademive Koinon. Ky institucion përfaqëson një federatë të madhe akademish kombëtare dhe ndërkombëtare nga mbi 60 vende të botës, që veprojnë në fushën e shkencave humane dhe sociale.

Vendimi për pranimin e Akademisë Shqiptare u mor unanimisht nga bordi drejtues i Koinon, duke vlerësuar kontributin e saj në zhvillimin e kërkimit dhe shkencës në rajon. Në letrën zyrtare të profesor Christos Zerefos, sekretar i përgjithshëm i Akademisë së Athinës dhe president i Bordit të Drejtorëve të Koinon-it, përgëzohen drejtuesit e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për aplikimin e suksesshëm dhe përfshirjen në një rrjet global bashkëpunimi akademik.

Sipas Zerefos, pranimi i Shqipërisë në këtë komunitet është një mundësi e madhe për shkëmbime ndërkombëtare dhe projekte të përbashkëta kërkimore në fushat e shkencave humane, sociale dhe kulturore. Ai shprehu bindjen se bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë do të sjellë kontribute të vlefshme në zhvillimin e dijes dhe shkencës në hapësirën mesdhetare e më gjerë.

Koinon synon të krijojë ura bashkëpunimi mes akademive anëtare, duke nxitur projekte afatgjata dhe rrjete shkencore që forcojnë rolin e kërkimit në zhvillimin e shoqërive moderne. Përfshirja e Shqipërisë në këtë strukturë prestigjioze konsiderohet një hap përpara për afirmimin e potencialit akademik shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Ky zhvillim përbën një njohje të rëndësishme të punës së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe një mundësi për ta bërë zërin e dijes shqiptare pjesë të dialogut shkencor botëror.

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *