
Nga av. Edmond PETRAJ
Gjykata Kushtetuese vendosi sot të pezullojë përkohësisht pjesën e dekretit të Presidentit për datën e zgjedhjeve në Tiranë. Pra, data është…, por nuk është. Dekreti është…, por s’është. Dhe kërkuesi është Erion Veliaj, një kryetar në ikje që kërkon të shpallet “organ kushtetues me një nënshkrim personal”.
Por le të jemi seriozë! Kushtetuta nuk është pasaportë për zgjatje mandati.
Neni 134 e thotë qartë: vetëm Presidenti, Kryeministri, deputetët apo organet e vetëqeverisjes lokale mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Një individ, edhe nëse quhet “Erion”, nuk është “organ”. Ai është thjesht një person pa legjitimitet kushtetues që nuk do të lëshojë zyrën…
Ky vendim, që pezulloi një dekret presidencial ende pa u gjykuar ligjshmëria e kërkesës, ngjan më shumë me një akt politik se juridik.
Sepse në çdo shtet normal, gjykata nuk mund të ndalojë një dekret kushtetues për t’i bërë qejfin një kërkuesi pa legjitimitet.
Në fund, kemi një realitet absurd:
Zgjedhjet janë të dekretuara, por të pezulluara;
Kryetari është në detyrë, por pa mandat;
dhe Kushtetuta, si zakonisht, pret në radhë që dikush ta lexojë.
Nëse ky precedent vazhdon, nesër çdo drejtues bashkie mund të kërkojë pezullimin e dekretit që nuk i pëlqen.
Kështu, Republika kthehet në Republikë të kërkesave personale dhe kjo është më e rrezikshme se çdo krizë politike.