Në Shqipëri, jeta e qytetarit duket se është lënë në dorë të fatit, ose më saktë, në dorë të Zotit. Siguria personale është bërë një luks, jo një e drejtë. Dhe ndërsa disa e shohin gotën gjysmë plot, duke besuar se vendi po ecën përpara, realiteti na përplaset në fytyrë sa herë ndodh një ngjarje e rëndë kriminale. Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit është vetëm maja e ajzbergut.
Ngjarje të tilla nuk janë të izoluara. Vetëm pak javë më parë, një qytetar hyri në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Vlorës, duke sfiduar institucionin pa asnjë analizë publike mbi motivet apo pasojat. A ishte kjo një akt trimërie apo një sinjal alarmi për degradimin e autoritetit institucional? Kur një individ merr guximin të përballet me shtetin në mënyrë të paligjshme, pa ndëshkim e pa reflektim, atëherë jemi përballë një fenomeni që po merr formën e një orteku.
Nëse ai qytetar do të ishte i armatosur, a do të kishim folur për një masakër? Nuk jemi këtu për të bërë parashikime, por për të kuptuar se mungesa e reagimit institucional dhe shoqëror është vetë ftesa për rrezik. Opinioni publik nuk duhet të zgjohet vetëm kur ndodh tragjedia, duhet të jetë vigjilent për ta parandaluar atë.
Kemi zgjedhur të jetojmë në një shoqëri me ligje dhe rregulla, jo në një realitet ku “Hajde o burra!” bëhet thirrja për drejtësi spontane. Kurajoja për të hyrë në institucionet e drejtësisë pa leje po përhapet si një virus nga Veriu në Jug. Nëse kjo bëhet normë, atëherë me të drejtë thuhet: “Shqiptarët i ruan Zoti”…
Por nuk mjafton të lutemi. Duhet reflektim. Dhe të parët që duhet të reflektojnë janë qytetarët. Të binden ndaj ligjit – i mirë apo i keq – dhe të kërkojnë përmirësimin e tij përmes kanaleve demokratike. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një shtet funksional, siç e kërkojmë prej dekadash.
E kemi provuar çfarë ndodh kur shteti dështon. Kujtojmë “Operacionin Alba”, kur iu lutëm forcave të huaja të na sillnin rendin. Më mirë një shtet me dobësitë e veta, sesa pa shtet fare.
Ndërkohë, mediat dhe platformat virtuale kanë harruar një thënie të Umberto Ekos: “Sot të gjithë bëhen gazetarë.” Por kur preket interesi publik, nuk është më çështje dufi apo inati personal. Nuk themi më “O lele, o nëna ime!”, por “O lele o nëna jonë!” Sepse kur preket shteti, preket secili prej nesh.
Shoqëria jonë ka heshtur kur janë dhunuar mjekët, mësuesit, policët. Nuk kemi ngritur zërin për pagat e tyre, për pensionistët, për ata që mbajnë barrën e shtetit. A ka zyra shtypi në institucionet tona? A ka ndonjë reagim për të hequr baltën e perceptimit publik? Kur qytetarët ngrejnë zërin në Vlorë apo Shkodër, a dëgjohet ai zë?
Komunikimi me publikun duhet të jetë prioritet. Një institucion pa zë e pa gojë, nesër mund të bëhet bashkëpunëtor në krim. Dhe atëherë, nuk na mbetet tjetër veçse të themi: “Na ruajt Zoti!”…