Poeti ynë Gavril Dara i Riu e quan Italinë një mbretëreshë të bukur. Ai godet gjithë tradhëtarët dhe u bënë thirrje bijve të saj të bashkohen rreth vetes. Mbretërit nuk kanë asnjë të ardhme. Së shpejti ata do të zhyten në baltë dhe prej andej nuk do të ngrihen më. Në parlamentin e Mbretërisë kushtetuese të Napolit, si deputet shqiptar nga shqiptarët e Italisë qenë zgjedhur Gulielmo Toçi, Domeniko Mauro, Muço Paçeja dhe Xhuzepe Mashi autori i librit “Teoria e qeverimit të popujve” që u botua më vonë në Napoli, në vitin 1860. Mbreti i Napolit më 15 maj e tradhtoi betimin që i kishte bërë kushtetutës dhe Asamblesë Legjislative dhe masakroi revolucionarët, deputetët e Kalabrisë që shpëtuan nga reprezaljet u larguan nga Napoli dhe erdhën në Kozencë, për të vazhduar kryengritjen për të mos lejuar restaurimin e dinastisë së Burbonëve. Që me shpërthimin e revolucionit në Kozencë ishte krijuar Garda Kombëtare, komandant i së cilës u zgjodh shqiptari Muço Paçe. Ne shqiptarët, do të formojmë një trupë ushtarake të veçantë i tha Muço Paçe, shkruhet në një shkrim të De Radës. Më 17 maj, pas masakrës së Napolit, me iniciativën e Domeniko Mauros u krujua “Komiteti i Shpëtimit Kombëtar Publik”. Nën drejtimin e Xhuzepe Paçes një fuqi prej 500 vetash, në Kastrovilar detyroi xhandarmërinë të dorëzohej. Më tej u zhvilluan luftime të ashpra në malin Kampoteneze me trupat e gjeneralit të Burbonëve, Busaka i cili kishte me vete 2500 ushtarë. Në këtë betejë u erdhi në ndihmë kryengritësve shqiptari Xhovani Moshari. Në kujtimet e tij Garibaldi thotë: “Hodha në sulm trimat kalabrezë të Paaçes… të cilët luftuan me gjithë mend shkëlqyeshëm” Shumica dërmuese e këtyre “trimave kalabrezë” ishin shqiptarë. Dhe më 2 tetor Garibaldi u shpreh kështu: “Shqiptarët janë heronj, që janë dalluar në të gjitha luftimet kundër tiranisë” Një revolucionar tjetër shqiptar i shquar ishte edhe Xhenaro Plako. Ai mësimet e para i kishte marrë në kolegjin e San Demetrios dhe në moshën 16 vjeçare iu bashkua forcave kryengritëse në Kampoteneze, ku edhe u plagos dhe për arsye se nuk ishte në gjendje të përdorte armët u kap dhe u burgos. Para gjyqit mbajti një qëndrim burrëror. Në burg krahas të burgosurve shqiptarë zuri miqësi me shkrimtarin italian Setembrini. Në veprën e tij ”Kujtime të jetës sime” Setembrini shpreh fjalët më të mira për qëndrimin në burg të këtij të riu shqiptar. Francesko De Simone i burgosuri njëzetëeshtatëvjeçar, dhe Setembrini janë bashkë në burg. Ashtu si lëvizja e Kozencës e 15 marsit 1844 kishte ndikuar direkt në zbarkimin e ekspeditës së vëllezërve Bandiera në Italinë e Jugut, atentati i 8 dhjetorit 1856 do të ndikonte aty për aty në zbarkimin e ekspeditës në Sapri (Italia e Jugut) të revolucionarit italianit Karlo Pizakane. Pizakaneja u nis për në Jug së bashku me revolucionarin Italian Nikolerën dhe me shqiptarin e Italisë Batista Falkonen. Gjatë rrugës ekspedita qëndroi në Ponzë, ku shpërtheu burgun dhe liroi rreth 300 të burgosur politkë dhe së bashku me ta zbarkuan në Sapri në provincën e Salernos. Pizakaneja ishte ideolog dhe revolucionin kombëtar e shihte të lidhur ngushtë me ndryshimin shoqëror. Sipas tij Italia duhej patjetër ta evitonte zhvillimin kapitalist dhe të kalonte në socializëm. Ekspedita e Pizakanesë përgatiti ekspeditën e “Të njëmijtëve” të Garibaldit. Midis republikanëve siçilianë, dy ishin ata që luajtën një rol të rëndësishëm në përgatitjen e ekspeditës së të “Të njëmijtët”: shqiptari Francesko Krispi dhe italiani Rozolino Pilo. Krispi dhe Piloja i propozuan Garibaldit që të ndërrmerte ekspeditën për në Siçili, por ai u përgjigj se një gjë e tillë ishte e parakohshme dhe e rrezikshme. Ky hap duhej bërë në kohën e duhur dhe i organizuar mirë, përndryshe dështimi i kompromentonte çshtjen për bashkimin e Italisë e shtynte për më tutje. “Duhet pritur, – u përgjigj ai”. Kryengritja plasi në Palermo më 4 prill 1860. Iniciatori dhe organizatori i saj ishte punëtori Françesko Pizo. Në Piana u formua “Komiteti i fshehtë revolucionar” i lidhur ngushtë me atë të Palermos. Në të bënin pjesë shqiptarët Spiridon Peta, Xhovani Karnezi, Xhorxhio Zalapi, Xhorxhio Piediskalci, Pietro Piediskalci, Masi Notar Dionisoja, Françesko Alezi etj. Skuadra e Pianës përbëhej nga 400 burra dhe udhëhiqej prej Pietro Piediskalcit, Andra Sakutës, Luigji Zalapit, të cilët sulmuan trupat burbone. Më 25 mars të vitit 1860, Macini arrit në Palermo dhe inkurajoj kryengritësit dhe mbërriti në Pianën e shqiptarëve i shoqëruar nga Antonio Guzeta. Ata njoftuan se zbarkimi i Garibaldit për në Siçili ishte i shpejtë, prandaj kryengritja duhej të mbahej gjallë. Piloja i shkruante Krispit që të “sigurojë gjeneral Garibaldin, se Siçilia është në kryengritje të plotë. Lutju që ai të mbledhë sa më shumë të rinj që mundet dhe, të cilëve u mungon vetëm një prijës që t’i udhëheqë në beteja”. Një ditë përpara nisjes, Garibaldi nga Gjenova, u lëshoi një proklamatë italianëve, në të cilën, midis të tjerash u thoshte: “Siçilianët po luftojnë kundër armiqve të Italisë dhe për Italinë, është detyrë e çdo italiani që të ndihmojë me fjalë, me ar, me armë dhe, mbi të gjitha, me krahun e vet” Në mëngjesin e 6 majit ekspedita u nis me dy anije nga Gjenova për në Siçili. Në këtë ekspeditë që mori emrin “Të njëmijtët”, sepse afërsisht aq vullnetarë, merrnin pjesë këta shqiptarë të Italisë: Françesko Krispi, Domeniko Damisi, vëllezërit Domeniko dhe Rafaelo Mauro nga San Demetrio, Aleksandër Toja nga Xhizera e Katanxaros. Me rastin e luftës së dytë për liri kundër Austrisë më 16 korrik 1859, poeti shqiptar i Italisë, Vinçenco Stratiogoi, në pjacën e Lungros, mbajti një fjalim të zjarrtë kundër sundimit burbon. Për kokën e tij pushteti i Burbonëve kishte caktuar 2000 dukate, e donte të gjallë apo të vrarë. Në të njëjtën kohë filloi të qarkullonte në tërë Kalabrinë oda e tij “Jam shqiptar”. Rrallë mund të gjendet një poezi ku këndohet fort dhe me dhembje krenaria kombëtare, malli për atdheun. Për Stratigoin të jesh shqiptar, do të thotë të dashurosh gjithçka të bukur. Në përbërjen e ekspeditës ishte një grua e vetme, bashkëshortja e Krispit. Nga përbërja ekspedita përbëhej nga borgjezia e mesme dhe zejtarët.të cilët kishin përvojën e dy luftërave asaj të 1848 dhe asaj të 1859-të. Në Salemi Garibaldi u shpall “kryekomandant i forcave kombëtare në Siçili”. Më tej Garibaldi nxjerr disa dekrete si ai i mobilizimit të burrave nga mosha 17-50 vjeç, të aftë për të mbajtur armë, një dekret se njihte ligjet e rregullat që ishin vendosur para 15 majit të vitit 1848, ditës së restaurimit të Burbonëve. Pothuajse të gjitha këto dekretet ishin hartuar prej shqiptarit Franko Krispi (lindur më 4 tetor 1818 vdekur më 11 gusht 1901). Fatkeqësisht Krispi në vitin 1865 u shkëput nga Macini dhe zgjodhi parrullën që shpejt a vonë do ta çonte në marrjen e pushtetit dhe në bashkimin njëherë e mirë me monarkinë: “Republika na ndan, monarkia na bashkon” u bë motoja e Krispit, sepse edhe për Garibaldin, nuk kishte rëndësi, se cili do të ishte regjimi, ai kërkonte bashkimin e Italisë me çdo kusht. Krispi kishte shkruar në gazetat e kohës për këtë çështje dhe e quan Viktor Emanuelin mbretin tonë, “a mund të dyshohet për republikanizëm?” këtë ide e mbronte kur thoshte se “Siçilianët kanë luftuar në emër të Italisë dhe të Viktor Emanuelit. Në këtë çështje, mund të ketë luajtur rolin e vet edhe Garibaldi, i cili çështjes së regjimit në periudhën e atëhershme të luftës kundër armikut të jashtëm, nuk i vinte rëndësi formës së regjimit dhe thoshte, se nuk i imponohej kujt me dhunë, ndonëse e ndjente veten republikan. Garibaldi, Bretani dhe Krispi ishin ata që e bashkuan Italinë nën Viktor Emanuelin. Që Italia të bashkohej me republikën duhej të ishte mobilizuar e gjithë fshatarësia në ushtri, por kjo kërkonte një reform agrare të thellë. Garabaldi dhe Krispi nuk kishin ndërmend ta bënin reformën agrare, sepse pronën private e konsideronin të shenjtë, dhe mbrojtjen e saj të domosdoshme. Siç shkruan Antonio Gramshi një tjetër intelektual me origjinë shqiptare ndër të tjera: ”verpimtaria politike e garibaldinëve në Siçili udhëhiqej nga Krispi”. Pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 1877, Krispi u zgjodh president i parlamentit italian. Ky ish bashkëluftëtar i Garibaldit dhe i Macinit, ishte shprehur në letrën që i dërgonte Kongresit Linguistik Shqiptar në tetor të vitit 1895, që zhvillohej në Koriliano Kalabro se, ishte”shqiptar me gjak dhe me zemër”. Ai ishte nipi i Xhuzepe Krispit, autorit të punimit “Kujtesë mbi origjinën dhe themelimin e Palaco-Adrianos, në vitin 1927. Françesko Krispi filloi të punonte si avokat, por njëkohësisht u bë drejtues i lëvizjes revolucionare kundër sundimit të Burbonëve. Ai themeloi gazetën “Apostulli” dhe ishte nga të paktët që propogandonte idetë e Macinit në Siçili. Garibaldi i është shprehur kështu Krispit në një letër që i dërgonte nga Kapera dy vjet para vdekjes, midis të tjerash i thoshte:” Shumë i dashur dhe i dëgjuar Krispi. Prej shumë vjetësh i lidhur me ju nga dashuria e përbashkët për Italinë tonë, së cilës patëm fatin t’i shërbenim bashkë në fushë të betejës, unë ju detyroj bashkëpunimin zemërgjerë në kryerjen e detyrës sime të shenjtë”. “E kaluam… natën në Marsalë, ku fillova të vlerësoja Krispin, siçilian i ndershëm dhe me aftësi të mëdha, i cili më ndihmoi jashtë masës në punët qeveritare dhe me lidhjet e domosdoshme me vendin (Siçilinë), të cilën unë nuk e njihja.” Ky republikan ishte kthyer në monarkist. Në këtë drejtim nuk ishte as i pari dhe as i fundit. Ndërsa Garibaldi ishte krejt i palëkundur për themelimin e Akademisë Shqiptare në Kalabri, Krispi nuk po interesohej shumë për të, shkruan në komunikimin e saj me De Radën, Dora d’Istra. Krispi në kohën e krizës lindore në gazetën e ti ” La Riforma”, e konsideron Italinë një shtet të fortë që duhet të thoshte fjalën e vetë me vendosmëri. Në takimin që pati me kancelarin e Gjermanisë, në Belin, Bismarkun, ky i fundit i propozoi Krispit të merrte Shqipërinë, në qoftëse se Austro-Hungaria do të shtrihej në Bosnjë dhe Hercegovinë. Të njëjtin propozim i bëri në Londër edhe ministri i jashtëm i Anglez Derbi. Por ai iu përgjigj se një gjë e tillë nuk ishte dëshirë e italianëve. Ai e dinte se Italia, qoftë edhe në masën e feudalëve shqiptarë, nuk kishte asnjë influencë. Italia do të haste një rezistencë e fuqishme te shqiptarët dhe shpresat për ta pushtuar atë ishin fare të pakta. Por edhe kundërshtimi i Austro-Hungarisë do të ishte i fortë dhe i vendosur, përderisa ky shtet kishte ndër mend të shtrihej deri në Vlorë. Qeveria Austro-Hungareze e kishte paralajmëruar Romën se ajo nuk do të lejonte asnjë ndryshim në Adriatik, d.m.th në Shqipëri, prandaj ajo duhej t’i drejtonte sytë drejt Tunizis ose Tripolit. Krispi shkruante në maj të vitit 1900, në gazetën e Palermos, “Lora”: “Shqipëria i ka të gjitha elemente për të qenë një shtet autonomy, më mirë se ç’mund të ishte Sërbia dhe Bullgaria, dhe duke i dhënë asaj të njëjtën autonomi. Lidhjet e një miqësie intime dhe të përzemërt, të kultivuar prej më shumë se pesë shekujsh, e bëjnë atë më të afërt më ne (me Italinë), sesa me Perandorinë Austriake. Më kot shpresonte Sami Frashëri teksa shkruante në Kamus-ul- Alam se “Në Itali kanë ardhur nga gjaku shqiptar shumë dijetarë, poetë e shkrimtarë… Kujtoj se është mjaft të përmendim se është bir i këtij kombi edhe Krispi që ka sot në dorë frenat e administratës së Italisë (në atë kohë Krispi ishte kryeministër i Italisë)”. Po ashtu poeti ynë kombëtar Naim Frashëri i kushtoi poemën “Parajsa”, Krispit, duke e lavdëruar e që i jepte nder Italisë, si djalë i Shqipërisë. Krispi në një prononcim për një gazetë greke ishte prononcuar se ishte grek, dhe ky ishte një zhgënjim I madhë për të gjithë shqiptarët, të cilët e shihnin këtë lloj sjelljej të tij për ta ndarë Shqipërinë në mes Italisë dhe Greqisë. Kur kujtojmë gjestin e Garibaldit që si shpërblim, jo vetëm për një heroizëm që shqiptarët kishin treguar në luftë, por edhe për faktin që njihet mirë nga vetë Garibaldi se kolegji i San Demetrios kishte qenë me të vërtetë një çerdhe revolucionarësh shqiptarë, me dekrtetin nga Kazerta, më 20 tetor 1860, ai shpalli :”Diktatori, duke pasur parasysh shërbimet e shënuara që shqiptarët trima me zemërmëdhenj i kanë dhënë çështjes kombëtare, dekreton: “Pasi të mbarojmë nevojat e luftës së tanishme dhe pasi të formohet Italia…thesari i Napolit do të vërë në dispozicion menjëherë 12 mijë dukate për zgjerimin e kolegjit të San Adrianos. Kombi dhe sovrani zemërgjerë do të jenë garant për zbatimin e këtij dekreti” Caserta, 28 tetor 1960. Këtej e tutje Kolegji shpallej i pavarur dhe nuk do të njihte më autoritet tjetër të lartë për çështjet administrative përveç Ministrisë së Kultit Fetar dhe të Drejtësisë. Sipas këtij dekreti u rizgjodh drejtues i kolegjit Antonio Markiano, sepse thuhej në dekret, ky ishte hequr për shkak të ngjarjeve të vitit 1848 (për shkak të pjesëmarrjes në revolucionin e vitit 1848), dhe sepse kishte qenë i zhveshur nga ajo detyrë, për një kohë i burgosur dhe i persekutuar. Respekti i thellë i Garibaldit edhe për shqiptarët e Greqisë të cilët kishin dhënë një kontribut shumë të çmuar për lirinë e atij vendi, ja si i shkruante Garibaldi Dora d’Istria për shqiptarët: “Po të kishim ne, – thoshte ai-heronj të tillë si: Karaskaqi apo Kolokotroni, Italia nuk do të qëndronte nën sundimin e të huajve”Timoleo Guri
Francesko Krispi
Uncategorized, Dosier
October 09, 2025
perpjekjashqiptare.al
Related Posts
September 25, 2025
Uncategorized, Dosier, Editorial, Opinion, Politikë, Uncategorized
by perpjekjashqiptare.al
Problematika e pronës private në Shqipëri – një plagë e hapur që pengon zhvillimin
Nga Trifon DAFA Problemi i pronës private në Shqipëri mbetet një nga çështjet më të ndërlikuara dhe më të debatueshme…
LUFTA E PARË BOTËRORE
Konkurenca në kapitalizmin paramonopolist çoi në mënyrë të përshpejtuar përqëndrimin gjithnjë e më të madh të prodhimit dhe të kapitalit…
Agjenti “Ciceroni”
Iliaz Bazna Ciceroni (Cicëroni) agjenti i mashtruar në Luftën e Dytë Botërore Nga Kastriot KOTONI I ftuar të punonte në…
Ulërima e heshtur e Marigo Posios dhe heshtja ulëritëse e një kombi
Fundi i zonjës Marigo nuk është thjesht një dramë individuale, është një akuzë morale për të gjithë ne, pasi një komb që nuk nderon sakrificën e grave dhe burrave...
Dorëzimi i Shkodrës nga Esat Pashë Toptani
Megjithatë Shkodra mbahej shkruan në kujtimet e tij Syrja bej Vlora, por ai e kishte të vështirë të largohej prej…
Branko Merxhani dhe Traktati i Lozanës
Branko Merxhani në një jetëshkrim të jetës së tij, shkruan: për instiktin dhe shpirtin e tij prej gazetari qysh në…
Pesë herë ra në zi për ty Shqipëria…
Nga Petrit RUKA (1954 – 2021) VARRIMET E NAIM FRASHËRIT Pesë herë ra në zi për ty Shqipëria Nga që…
Shqipëria – “Mesapotamia” e Ballkanit
Fjala naftë vjen nga persishtja (nefata), si dhe nga greqishtja e vjetër (nafdha), që do të thotë “filtrues”. Kështu e…
Lufta e Vlorës dhe Ahmet Lepenica
Presidenti amerikan Wilson, me notën e tij të 6 marsit 1920, deklaroi se ishte i gatshëm të pranonte që “kufijtë…
Refleksionet e Koçi Lubonjës në “Letrën e Mbyllur të Disidentit” (Pjesa II)
Një nga temat kryesore në librin e Koçi Lubonjës me titull Letra e Mbyllur e Disidentit 1986, drejtuar Ramiz Alisë…