Një ndeshje futbolli ka bukurinë e vet, sidomos kur ka gola në të dy portat dhe një gol shprese në minutën e fundit lumturon një popull të tërë. Por kur në lojë përzihen politika (nacionalizmi) dhe sporti, dukuri të tejkaluara në arenën europiane, si në rastin e ndeshjes Serbi-Shqipëri, atëherë nuk të bëhet as ta shikosh ndeshjen në ekran. Thua me vete: “Ishalla mbaron sa më shpejt me rezultat të bardhë 0-0, ore edhe barazim 5-5, vetëm të mos fitojë asnjë nga ekipet,” që t’u bien pendët tifozëve ekstremistë, sharlatanëve që hiqen si kombëtaristë të thekur nga të dyja palët.
Uroj që arbitri rumun Istvan Kovacs të jetë në lartësinë e duhur të arbitrimit dhe, si ballkanas, të mos i marrë koka erë. Të mos ndëshkojë me kartona pa kriter dhe, i ndihmuar nga anësorët dhe sistemi VAR, të mos na varrosë ndeshjen me gola të pamerituar. Shkurt, vëllai rumun i të dy popujve tanë, mbaje “tezaro” këtë ndeshje, thjesht dy orë punë ke! Por je edhe i privilegjuar, se në stadiumin e Leskovacit me 6500 vende, ja, edhe nëse dalin nja dy tifozë “trima” që provokojnë lojtarët…? Ruaje gjakftohtësinë dhe jepi drejtim, sepse lojtarët kanë jetën e tyre në këtë ndeshje.
Dikush do të ndërrojë ekip për më mirë, dikush do të shpalosë talentin në ndeshjen e parë, të tjerët me përvojë duan të dalin me kokën lart, me nder, sepse luajnë ndeshjet e nderit. Të tjerë mezi presin të aktivizohen, dhe ku ka më mirë se në një ndeshje që ka prekur interesin e të dy popujve?
Sensibilitetin nacionalist dhe oreksin për dhunë le t’ua lemë një grushti ekstremistësh, të cilët as e shijojnë futbollin dhe as ua ka varur njeri në jetë. Kanë komplekse inferioriteti psikik dhe nxiten nga nevoja për identitet, vëmendje në internet dhe protagonizëm.
Nëse ka një tifozeri që medemek imiton anglezët, turqit, argjentinasit apo brazilianët, ua ulin stekën ekipeve të tyre shumë poshtë. Sidomos tifozeria e ekipit kombëtar serb, e cila nuk ka qasje të denjë sportive dhe shpesh sjellje të dhunshme e huliganizëm të orientuar politikisht — të instrumentalizuar nga politika. Kjo sjellje nuk është e njëjtë ndaj çdo ekipi. Fakti që janë dënuar nga FIFA dhe UEFA dhe nuk reflektojnë, tregon se problemi nuk është futbolli, por nacionalizmi ekstremist i emetuar nga partitë politike serbe.
Futbolli ka treguar qindra herë se është një lojë si çdo lojë tjetër, ku përveç argëtimit, ka edhe vëllazëri dhe miqësi mes popujve. Kujtojmë filmin “Escape to Victory”, ku ekipet angleze dhe gjermane u ndeshën në kohën e Luftës së Dytë Botërore, megjithëse ishin kundërshtarë për jetë a vdekje.
Kombëtarja shqiptare, si ekip mik, do të luajë ndoshta ndeshjen më të rëndësishme të sezonit. Nëse ia del, hyn në lojë për një shans në eliminatoret e kampionatit botëror. Kjo ndeshje ka ngarkesën e vet emocionale, por lojtarët e grumbulluar nga trajneri Silvinjo kanë shumë avantazhe krahasuar me brezat e mëparshëm. Janë pjesë e ekipeve më cilësore, më të aktivizuar, me më shumë minuta dhe përvojë ndërkombëtare.
Përvoja është pasuri dhe na siguron qetësinë e domosdoshme për administrimin e ndeshjes. Nuk kanë komplekse inferioriteti, pasi shumë prej tyre i njohin mirë lojtarët serbë dhe janë pjesë e të njëjtave skuadra në kampionatet ku luajnë. Shkurt, kozmopolitizmi i skuadrave ku aktivizohen nuk mund të mposhtet nga 6500 tifozë serbë, sado ekstremistë të jenë. Rezultati i ndeshjes, nëse ekipi shqiptar do të luajë vetëm në mbrojtje do jetë fatal. Sulmi është mbrojtja më e mirë…
Trifon DAFA