Në librin “LIDERSHIP” me autor Henri Kisinger një vëmendje e veçantë midis gjashtë figurave të studiuara nga ai, i është kushtuar edhe Presidentit të Egjiptit Anuar Sadat. Në kapitullin “Revolucioni i korrigjuar”, diplomati i shquar Henri Kisinger na ka dhënë një qasje krejt të ndryshme, si në rrugëtimin e tij politk, por edhe vizionin largpamës të Presidentit të Egjiptit Anuar Sadat, i cili edhe në ceromoninë e përurimit të tij si president mbeti në hije nga funeral i Naserit. Ideja e përgjithshme e ambasadës sonë në Kajro, ishte se Sadati qe zgjedhur në këtë post kryesisht sepse ishte një njeri i parëndësishëm, dhe si i tillë, nuk përbënte ndonjë kërcënim për udhëheqjen e Naserit. Në dy vitet e para të presidencës, kundërshtimi ndaj SHBA-ve dukej se mbetej një tipar kryesor i politikës së Sadatit. Ai e trajtoi Izraelin sikur të ishte maja e shtizës së imperializmit amerikan. Në fillim të vitit 1971, ai i quajti propozimet e kryeministres së atëhershme izraelite Golda Mejer, “një ëndërr çmendurake, të mbështetur në kompleksin e fitores”. Pasi kishte shërbyer mjaftueshëm kohë si president, poltikanët amerikanë e shihnin tashmë Sadatin si një version më pak dramatik të Naserit. Mendimi Uashingtonit dhe i Inteligjencës, ishte se Sadati nuk do ta kishte të gjatë si president. Anuar Sadat, për shkak të natyrës së tij të qetë dhe miqësinsë me Naserin, nuk kishte pasur prirjen tipike të politikanëve për të krijuar një rreth miqsh për mbështetje politike dhe aftësia për të bërë politikë nuk i vinte natyrshëm. Kalonte më shumë kohë duke reflektuar dhe duke u lutur, sesa duke ligjëruar nëpër podium, shkruan Kisinger. Brenda gjashtë muajve nga zgjedhja si president, Sadati mori një sërë vendimesh të njëanshme, që binin ndesh me pikëpamjet e atyre që kishin kërkuar të ushtronin veto ndaj tij. Ai shfuqizoi me dekret konfiskimin dhe sekuestrimin e pronës private, la të kuptohej se do të bënte një xhest paqeje kundrejt Izraelit dhe shpalli një marrëveshje federimi me Sirinë. Grupi i Asamblesë Kombëtare i kryesuar nga Sabri dhe Goma u ndien të kërcënuar dhe thurrën komplot kundër Sadatit. Por Sadati me një goditje të vetme, në një lëvizje që do të njihej si “Revolucioni Korrigjues”, burgosi brenda 24 orëve shumicën e komplotistëve. Siç do të shprehej një diplomat: Ata gabuan shumë në lidhje me Sadatin, nëse kishin pandehur se ai do të ishte i nënshtruar. Harruan se ai mbante bomba në xhep kur kish qenë revolucionar i ri. “Revolucioni Korrigjues” i dha mundësinë Sadatit të konsolidonte pushtetin, duke e çliruar atë edhe ndaj kotrollit të kolegëve. Por ai ishte ende i lidhur me trashëgimin e Naserit. Lëvizja e parë ishte nënshkrimi i Traktatit të Miqësisë me Bashkimin Sovjetik në maj të vitit 1971, një hap politik që shkonte përtej lëvizjes ekononmike të Naserit për pranimin e ndihmës sovjetike për digën e Asuanit në vitin 1956. Në një fjalim të Asmblesë Kombëtrae, menjëherë pas emërimit si president më 7 tetor, Sadati njoftonte se do të vijonte “të ndiqte rrugën e Gamal Abdel Naserit në çdo rast dhe nga çdo pozicion” Në shtator të po atij viti, Sadati ndoqi traditën e Naserit, duke ndjekur formalitetet e krijimit të një federate me Libinë dhe Sirinë. Gjatë gjithë kohës, ai vazhdoi breshërinë e zakonshme të kritikave ndaj Izraelit dhe Amerikës, sipas stilit të Naserit. Si shumë nga lëvizjet e Sadatit, kjo e fundit kishte një qëllim të dyfishtë: të qetësonte sovjetikët për shkarkimin dhe arrestimin e prosovjetikut Ali Sabri në një kohë, kur Egjipti varej ende nga Bashkimi Sovjetik për paisje ushtarake. Gjithashtu vinte në provë nëse mund të shfrytëzohej aleanca sovjetike për t’i nxitur amerikanët të ushtronin presion ndaj Izraelit për të arritur një zgjidhje në Lindjen e Mesme. Ai vazhdoi, madje i bëri edhe më të mprehta, sulmet ndaj Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, në gjurmët e Naserit. Në fjalimin përpara Asamblesë Kombëtare në vitin 1972, Sadati deklaronte: “Kolonializmi i armatosur që po dëshmojnë në Izrael dëbon një popull nga toka e vet… dhe mjetet që përdorin për t’i larguar ata janë gjenocidi dhe skamja”. Përsa u përket SHBA-ve, edhe pse janë “autoritare, të fuqishme dhe tiranike”, Sadati i quajti edhe “të pafuqishme”. Pak më shumë se një vit më vonë, në korrik të vitit 1972, politka e përshkallëzuar e Sadatit, papritur u zëvendësua nga një lëvizje e beftë: ai dëboi nga Egjipti rreth 20.000 këshilltarë sovjetikë, pa paralajmëruar Moskën dhe pa u këshilluar me ndonjë shtet tjetër perëndimor për lëvizjen apo pasojat e saj, madje as me SHBA-në. Megjithëse ndikimet e plota të këtij ndryshimi të strategjisë do të ndiheshin më ngadalë, ai do të bëhej një pikë kthese në diplomacinë e Lindjes së Mesme. Me dëbëmin e personelit sovjetik nga Egjipti, Sadati kishte hequr qafe pengesën kryesore për pjesëmarrjen amerikane në procesin e paqes. Me zbehjen e ndikimit sovjetik, do të ishte më e lehtë rruga diplomatike me Amerikën si ndërmjetëse. Në shkurt 1973, si shenjë e parë e dialogut, këshilltari i Sadatit për Sigurinë kombëtare, Hafiz Ismaili, vizitoi Uashingtonin dhe më ftoi në Kajro, nëse bisedimet tona do të përparonin, shkruan Kisinger në vazhdim. Aty për aty i kalova një shënim me shkrim një kolegu: “A do të ishte e pahishme po ta pyesja se cili është çmimi i dytë?” Propozimi për afrim nga Egjipti nuk na bindte për një sërë arsyesh. Së pari, për shkak të deklaratave të vazhdueshme antiamerikane të Sadatit në vitet 1971-1972, Kajro nuk na dukej si një vend premtues për të zhvilluar bisedime për paqen. Dukej se Sadati po përpiqej të përfshinte SHBA-të në arritjen e një marrëveshjeje të re në Lindjen e Mesme, sipas kushteve arabe, të cilat kërkonin që para çdo fillimi negociatash për njohje të Izraelit, ky i fundit të tërhiqej në kufijtë territorial të vitit 1967. Sfida më e madhe në procesin e paqes arabo-izraelite ishte se të dyja palët kërkonin një lëshim të pakthyeshëm, si kusht për të hyrë në bisedime. Pavarësisht këtyre pengesave Niksoni i cili tashmë kishte kryer nënshkrimin e përfundimit të luftës në Vietnam dhe i kishte premtuar kryeministres së Izraelit Golda Mejer, se bisedimet e ardhshme, nuk do të ndodhnin para zgjedhjeve të ardhshme izraelite, ra dakord për një takim me Hafiz Ismailin, për të analizuar terrenin. Takimi u mbajt më 23 shkurt 1973 dhe Ismaili na sqaroi se çfarë do të thoshte për Sadatin dëbimi i trupave sovjetike. Egjipti ishte gati të normalizonte marrëdhëniet me SHBA-në. Niksoni u përgjigj se ishte i gatshëm ta shqyrtonte këtë mundësi me mirbesim. Niksoni në mbyllje të takimit i përshkroi vështirësitë e bisedimeve për Lindjen e Mesme si “një forcë e papërmbajtshme që ndeshet me një objekt të palëvizshëm”. Ai vuri në dukje se zgjidhja do të duhej të përmbushte si kërkesën për sovranitet të Egjiptit ashtu edhe kushtin thelbësor të sigurisë së Izraelit. Ndryshe nga metodat diplomatike të deri atëhershme ku qasja për Lindjes së Mesme ishte gjithpërfshirëse, një qasje hap pas hapi do të kërkonte që mosmarrëveshja izraelito-palestineze të zbërthehej në çështje të veçanta. I përshkrova Ismailit se si mund të ndërrmerreshin hapat, për shembull, duke i ndarë kushtet e sovranitetit të Egjiptit dhe Izraelit nga trajtimi i shqetësimeve të ndërsjellta të sigurisë. Në kapitullin e librit “LIDERSHIP”, me titull: “Lufta e vitit 1973”, në nisje të faqeve të para, del në pah ideja pse e filloi luftën Sadati. Që në korrik, në një seancë të Kongresit të Bashkimit Arab, Sadati kishte deklaruar se ai nuk do ta “pranonte këtë gjëndje, as luftë dhe as paqe”. Vetëm diku rreth viti 1972, ai vendosi të ndryshojë strategji, por, në atë kohë, ende nuk mund të kishte një qasje hap pas hapi me botën arabe. Ai vendosi të niste një luftë, ndoshta shpresonte të arrinte qëllimet me një goditje të vetme. Por me shumë gjasa, po niste këtë konflikt me shpresën se mund të legjimonte mundësitë alternative diplomatike. Sipas gruas së tij Jehan Sadat, e cila kujton që sipas Anuarit, situata ishte e tillë ku “nevojitej edhe një luftë më shumë për të fituar dhe për të hyrë në bisedime si të barabartë”. Dy herë Sadati kishte luajtur me bllofin e kërcënimeve ndaj Izraelit dhe kostot e këtij të fundit për manovrimin e trupave kishin qenë shumë të larta, dhe kur ndodhi pushtimi në tetor ministri i atëhershëm i Mbrojtjes së Izraelit Moshe Dajan, kur u pyet pse nuk i kishte mobilizuar trupat ushtarake në tetor, ai u përgjigj se Sadati “më detyroi dy herë, secila me një kosto 10 milion dollarësh. Kështu që herën e tretë mendova se nuk e kishte seriozisht, por ja që më mashtroi”. Më 6 tetor të vitit 1973, Egjipti dhe Siria nisën një sulm të koordinuar kundër Izraelit. Ditën e parë të luftës, më komunikoi, asokohe isha sekretar i Shtetit, se qëllimet e tij ishin të kufizuara dhe se donte të bënte përpjekje për të lehtësuar bisedimet për paqen pas përfundimit të armiqësive, shkruan Henri Kisinger. Në ditën e dytë të luftës iu përgjigja: “Ju po luftoni me armë sovjetike. Kini parasysh se paqen do të duhet ta bëni me diplomacinë amerikane”. Duke arritur suksesin ushtarak që nuk e kishin provuar me Naserin, forcat egjiptiane ngritën ura të përkohshme kalimi përgjatë Kanalit të Suezit dhe kaluan vijën Bar-Lev. Ato përparuan më shumë se 15 kilometra në Gadishullin e Sinait, duke rimarrë territorin e pushtuar nga Izraeli në vitin 1967. Në të njëjtën kohë, forcat siriane depërtuan në pikat ushtarake izraelite në Lartësitë Golan. Izraelitët pësuan viktima të shumta dhe humbën shumë pajisje ushtarake. Suksesi fillestar egjiptiano-sirian mahniti botën duke i vendosur të dyja palët në rrethana të papritura. Gjendja në terren ndryshonte thuajse çdo ditë. Këshilli Sigurimit nuk kishte vendosur për t’u mbledhur për një armëpushim, derisa SHBA dhe Bashkimi Sovjetik të binin dakord mes tyre për hartimin e një teksti armëpushimi më 22 tetor, më shumë se dy javë pas shpërthimit të luftës. Në të njëjtën kohë kur nisi lufta e vitit 1973 në Lindjen e Mesme, në Amerikë plasi skandali i “Watergate” dha dorëheqjen zëvendëspresidenti i Amerikës Spiro Egnju. Pavarësisht problemeve të brendshme, Niksoni e ruajti kontrollin në politikën e jashtme. Ai vendosi dy synime parësore: t’u jepte fund armiqësive sa më shpejt të ishte e mundur dhe, siç u shpreha publikisht në emër të tij, ta bënte këtë “në një mënyrë që do të na mundësonte të jepnim një kontribut të madh në heqjen e kushteve që kishin shkaktuar katër luftëra midis arabëve dhe izraelitëve gjatë 25 viteve të fundit”. Sadati i shtyrë nga besimi i tepërt në aftësitë ushtarake të Egjiptit pas kalimit të Kanalit, qoftë nga dëshira për të lehtësuar presionin mbi aleatin Asad, apo nga një humbje e sensit të masës, vendimi për të ndërmarrë këtë nismë ushtarake përtej territorit të mbuluar nga brezi i raketave SAM solli pasoja katastrofike për Egjiptin. Forcat ajrore izraelite, që ndodheshin jashtë rrezes së raketave tokë-ajër, së bashku me tanket, shkatërruan rreth 250 tanke të Egjiptit. Nga ana tjetër, kjo u dha mundësinë tankeve izraelite që të zbrapsnin Armatën e Tretë Egjiptiane drejt Kanalit të Suezit. Në dy ditë luftimesh të ashpra, forcat izraelite kapërcyen Kanlin dhe filluan të shkatërronin pikat e raketave tokësore dhe ajrore, të ngritura nga sovjetikët në bregun perëndimor të Kanalit. Armata e Tretë e Egjiptit kishte mbetur e bllokuar dhe Sadatit i duhej të shfrytëzonte Rezolutën 340 për të furnizuar Armatën e Tretë të Egjiptit me anë të bisedimeve me izraelitët. Pas luftës, më 1 nëntor 1973, kryeministrja Mejer erdhi Uashington. Nga gjithë udhëheqësit izraelitë me të cilët jam, marrë mund të them se ajo ka qenë më sfiduesja dhe njeriu që ka ndikuar më tepër tek unë, shkruan Kisinger ndër të tjera. Izraeli i lindur në një copëz toke, si një shtet i pasigurt, i përjashtuar, i kërcënuar nga fqinjët armiqësorë të paepur, historikisht ia kishte dalë të mbijetonte me shumë vështirësi. Sytë e lodhur të zonjës Mejer dukeshin gjithnjë sikur ishin në pritje të sfidave të papritura, veçanërisht nga aleatët e vrullshëm amerikanë. Mejeri erdhi në Uashington menjëherë, pas armëpushimit. Së pari, ajo na shprehu pakënaqësinë që ne kishim këmbëngulur për të furnizuar Armatën e Tretë Egjiptiane. Mejeri nuk ishte kundër politkave të tilla të veçanta, por protestonte ndryshimin e realitetit strategjik: pra, faktin që kishte dalë në shesh dobësia e Izraelit dhe se Egjipti ishte pranuar si një aleat amerikan në bisedime. Në thelb ne po i kërkonim Mejerit, që Egjipti, shteti që kishte sulmuar vendin e saj, të lejohej të evolonte në një drejtim më paqësor. Kjo kërkesë nuk ishte e kuptueshme për të. Pretendimet e një kombi për autonomi të plotë janë thjesht një lloj nostalgjie. Sepse realitet i dikton çdo kombi (edhe atij më të fuqishmit) që të përshtasë sjelljen e vet me aftësitë dhe qëllimet e fqinjëve dhe rivalëve. Fakti që kryeministrja Mejer në fund veproi në përputhje me rrethanat është dëshmi e aftësive të saj të larta udhëheqëse. I vumë përpara planin me 6 pikat të cilat ajo më në fund i pranoi. Vizioni i Sadatit për bisedime të reja nuk mund të realizohej pa pjesëmarrjen e kryeministres izraelite Mejer. Duke hyrë në bisedime ajo po pranonte mundësinë për të hequr dorë nga një pjesë territori, për herë të parë në historinë izraelite. Kur u pajtua për furnizimin joushtarak të Armatës së Tretë egjiptiane, ajo hapi mudësinë që Izraeli të arrinte një fitore vendimtare ushtarake. Më 7 nëntor 1973, vetëm katër ditë pas vizitës së Mejerit, takova për herë të parë Sadatin. Ai kishte përgatitur tashmë terrenin për diplomacinë amerikane, duke mos kërkuar ndërhyrjen ushtarake të sovjetikëve kur u cënua armëpushimi. Siç e zbuluam më vonë, objektivi strategjik i Egjiptit me nisjen e luftës ishte të ndryshonte psikologjikisht situatën, me synimin për të arritur një paqe të qëndrueshme. Hapja e Sadatit ndaj bisedimeve ndryshoi mendimin që kishim për të. Në sytë tanë, ai nuk ishte më më një udhëheqës radikal. Takimi u zhvillua në Pallatin Tahra, në një periferi të Kajros, dikur mjaft në modë. Në dukje tejet i shtendosur, Sadati mbushi llullën, e ndezi dhe e nisi bisedën duke më thënë se e kishte pritur prej kohësh një takim kokë më kokë: “Kam një plan për ty. E kam quajtur Plani Kisinger”. Me të thënë këtë, u ngrit dhe u afrua te një kavaletë ku ishin vendosur disa harta me grafikë. Duke qëndruar përballë tyre, filloi të më kujtonte bisedat e mia të mëparshme me Hafiz Ismailin. Siç e kujtoj i isha përgjigjur propozimit të Ismailit për tërheqjen e Izraelit nga i gjithë Sinai, duke këshilluar që në vend të kësaj, të arriheshin marrëveshje të përkohshme, për të lejuar përshtatjen ndaj një paqeje përpara se të merreshin vendimet përfundimtare. Ismaili nuk e kishte pranuar propozimin tonë me metodën tonë hap pas hapi. Tani Sadati po e pranonte, duke e quajtur “Plani Kisinger”. Ai këshilloi si hap fillestar që Izraeli të tërhiqej nga dy të tretat e territorit të Sinait, në një vijë që shtrihej nga El-Arish. Ishte një hapje mahnitëse negociatash ne kishim pritur se do të ishin të zgjatura dhe të vështira. Kjo nuk kishte të bënte me faktin se propozimi i Sadatit ishte i jashtëzakonshëm, por sepse ai po shprehte vullnetin për të shqyrtuar fazat e përkohshme të tërheqjes nga konflikti. Nuk më kishte qëlluar asnjë rast kur pala përballë të pranonte të hapte rrugë që në lëvizjen e parë. Çdo udhëheqësi arab të cilit ia kisha parashtruar idenë e një zgjidhjeje të përkohshme nuk e kishte pranuar. Në mendjen e Sadati, Izraeli nuk ishte kërcënim për ekzistencën e Egjiptit, por lufta me të. Ky kërcënim mund të pakësohej dhe të eleminohej përfundimisht, duke ndërtuar një lloj tjetër sigurie, të mbështetur në procesin e paqes me kundërshtarin e Egjiptit, dhe jo në asgjesimin e tij.I ldohur nga mosmarrëveshjet ndërarabe dhe mosbesues ndaj sovjetikëve, ai nuk pranoi qasjen e pjesëmarrjes së shumë vendeve në bisedime, nga frika se mos shumëfishimi i vetos mund të pengonte marrëveshjen dhe se rivalitetet e Luftës së Ftohtë mund të linin në hije përparësitë e vendeve arabe. Kisingeri udhëtoi shpesh në Lindjen e Mesme, dhe ato i përshpejtuan jashtëzakonisht bisedimet. Sadati do të dilte me një ide gjeniale për të shmangur debatet se çfarë ishte dorëzuar kujt. Izraeli dhe Egjipti, në vend që ta përshkruanin marrëveshjen si një sërë detyrimesh ndaj njëri-tjetrit, duhej t’i shprehnin ato si zotime të ndërsjellta ndaj presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë mënyrë marrëveshja do të garantohej tërthorazi. U deshën vetëm dy takime të tjera për të përpiluar marrëveshjen e parë të tërheqjes në formë përfundimtare. Pas muajsh lufte dhe manovrash taktike, Sadati i kish mjaftuar vetëm një javë dialogu për të krijuar çastin e duhur kur të dyja palët të mund të shqiptonin fjalën “paqe”. Kisinger ndër të tjera na përcjell një letër private të kryeministres së Izraelit e cila shkruan: Jam thellësisht e vetëdijshme për rëndësinë e një mesazhi të dërguar nga presidenti i Egjiptit për kyreministren e Izraelit. Të dy popujt tanë kanë nevojë për paqe dhe e meritojnë atë. Jam thellësisht e bindur se paqja është qëllimi drejt të cilit duhet t’i orientojmë të gjitha energjitë tona. Më lejoni të përsëris atë që thatë në mesazhin tuaj: “Kur flas për një paqe të përhershme mes nesh, e kam me gjithë mend”. Një arsye se përse mbijetuan dispozitat e së ashtuquajturës Marrëveshje e Golanit ishte sepse Asadi nuk i shkeli kurrë ato, edhe pse mund ta bënte. Pa ndihmën e Sadatit, Asadi nuk do të kishte mundur të arrinte as qëllimet e jashtme dhe as ndryshimet e brendshme. Hapi i ardhëshëm më logjik do të kishte qenë një marrëveshje për Bregun Perëndimor të Lumit Jordan, i pushtuar nga Izraeli gjatë luftës së qershorit 1967. Por ky hap u pengua nga përçarjet e brendshme politike arabe. Më 28 tetor 1974, pas nënshkrimit të marrëveshjes me Sirinë, Liga Arabe njohu organizatën militante OÇP si përfaqësuesin e vetme të palestinezëve. Ardhja e presidentit Ford në Shtëpinë e Bardh, nuk i ndryshoi parimet e paqes në Lindjen e Mesme, të krijuara gjatë mandatit të Niksonit. Në Izrael kryeministër ishte zgjedhur Jitzhak Rabin. Rabini ishte një ushtarak i respektuar dhe ishte bërë hero kombëtar. Mbetet i famshëm fjalimi i parë i tij si kryeministër, kur ndër të tjera tha: “Në atë çast të jashtëzakonshëm tensioni, pak para se gishti të tërheqë këmbzën, pak para se fitili të digjet, në qetësinë e tmerrshme përpara fundit, ka ende kohë për t’u menduar, për të pyetur veten. A është vërtet e domosdoshme të veprosh? A nuk ka asnjë rrugë tjetër?” Në vitin 1975, Rabini i dërgoi një letër Sadatit nëpërmjet meje shkruan Kisinger. Bindjet e tij ishin të ngjashme me ato të Mejerit në letrën e vitit 1974, por të shprehura sipas mënyrës së Rabinit, si më poshtë: “Nga ana ime, jam i vendosur të bëj çdo përpjekje për të nxitur paqen mes nesh dhe në këtë frymë kam shpresën se së bashku do të arrijmë një marrëveshje që do të nderojë të dy popujt tanë”. Presidenti Ford nuk ishte marrë asnjëherë me diplomacinë e Lindjes së Mesme, ai u takua me të dy udhëheqësit, Rabinin dhe Sadatin. Duke mos e fshehur shqetësimin e tij, ai kishte vendosur t’i jepte kohë Rabinit për të zgjidhur mosmarrëveshjet e brendshme në kabinetin izraelit, në mënyrë që të rinisnin bisedimet mes Egjiptit dhe Izraelit. Me presidentin amerikan Karter politika e të cilit për Lindjen e Mesme ishte gjithpërfshirja e shumë faktorëve ndërkonmbëtar dhe organizimi i një Konference në Gjenevë. Më 9 nëntor 1977, Sadati mbajti një fjalim në seancën hapëse të parlamentit të ri egjiptian, duke iu përgjigjur letrës së Karterit. Aty përmendi shprehje familjare si “do të shkojmë deri në skajet e botës”, për të arritur paqen. Por këtë herë hodhi tinëz edhe idenë e një vizite në Izrael. Të shtunën, më 19 nëntor, pas rënies së muzgut, avioni i Sadatit u ul në Izrael, si gjest respekti ndaj Ditës së Shabatit. Vizita ngjalli habi anembanë botës. Kisingeri e kishte uruar një ditë më parë për këtë hap të guximshëm. Ajo që do t’i linte mbresa ishte ish kryeminsitrja Mejer e cila ishte pjesë e delegacionit izraelit që kishte dalur për ta pritur Sadatin. Të nesërmen në mëngjes, Sadati u ul në Xhaminë AL-Aqsa dhe më pas vizitoi Kishën e Varrit të Shenjtë dhe Yad Vashem-in, përkujtimoren dhe Muzeumin e Holokaustit në Izrael. Më pas, akti i parë zyrtar ishte mbajtja e një fjalimi para Parlamentit izraelit, Kneset. Udhëtimi i Sadatit në Jeruzalem ishte një ngjarje e rrallë, ku thjesht fakti i një ngjarjeje përbën një ndërprerje të historisë e për pasojë ndryshon hapësirën e së mundshmes. Për Sadatin ky udhëtim ishte revolucioni më i madh, më i rëndësishëm dhe më kuptimplotë për udhëheqjen e tij, se sa edhe vetë grushti i shtetit i korrikut 1952, ”korrigjimi” i prillit 1971, dëbimi i sovjetikëve në korrik 1972, apo lufta e tetorit e vitit 1973 dhe pasojat e saj. Vizita shënoi përmbushjen e nacionalizmit të veçantë të Sadatit, i cili e shihte paqen si një formë çlirimi të brendshëm. Në Kamp David, Sadati pranoi marrëveshje të veçantë me Izraelin, e cila, edhe pse nuk zgjidhte dretëpërdrejt çështjen e paqes, përmbante disa hapa të hollësishme që duhej të ndërmerreshin menjëherë dhe disa të tjerë që duheshin ndjekur më vonë. Izraeli pranoi të tërhiqej plotësisht nga Gadishulli i Sinait. Nga ana tjetër Izraeli arriti të lidhte me një vend fqinj, një marrëveshje përfundimtare që e kishte kërkuar për dekada të tëra me të gjithë fqinjët arabë. Izraeli pranoi të hynte në bisedime për një traktat paqeje me Jordaninë, si dhe për të bërë bisedime për Bregun Perëndimor dhe Gazën. Izraeli lejoi gjithashtu krijimin e një autoriteti vetëqeverisjes palestineze, duke përfshirë edhe palestinezët për të ardhmen e tyre, në një mënyrë që do të kënaqte kërkesat thelbësore arabe dhe kërkesat e Izraelit për hapat e bisedimeve të paqes. Sadati e mbylli fjalimin me fjalët: “Paqja është një krijim në zhvillim e sipër, ku të gjithë duhet të japim ndihmën tonë duke shtuar secili nga një tullë të re. Ajo shkon shumë përtej një marrëveshjeje apo një traktat zyrtar, shumë përtej disa fjalëve të hedhura në letër. Kjo është arsyeja përse politikanët duhet të kenë vizion dhe imagjinatë, duke vështruar përtej të tashmes, në të ardhmen afatgjatë.” Dy muaj më vonë, Begini dhe Sadati u takuan në qytetin El-Arish, për të zyrtarizuar kalimin e këtij qyteti nga kontrolli i Izraelit në atë të Egjiptit. Thirrja e Sadatit për të rikujtuar aleancën e lashtë midis arabëve dhe hebrenjve, si mishërim i “vëllazërisë biblike të Islamit dhe Isakut” nuk arriti të frymëzonte imagjinatën e njerëzve të nevojshëm që mund ta bënin atë realitet. Më 6 tetor 1981, Egjipti po festonte përvjetorin e tetë të Luftës së Tetorit. Sadati qëndronte ulur në një tribunë të lartë, duke parë paradën ushtarake. Papritur, një nga kamionët e paradës u ndal. Një grup ushtarësh fondamentalist të ushtrisë egjiptiane, duke përfshirë një anëtarë të Xhihadit islamik që i kishte shpëtuar arrestimit, nisi të shtijë me breshëri plumbash drejt Sadatit. Presidenti dhe dhjetë të tjerë mbetën të vrarë. Menjëherë pas atentatit, kryeministri izraelit Begini lavdëroi vizitën e Sadatit në Jerusalem dhe ai tha: se ishte “vrarë nga armiqtë e paqes”. Presidenti Sadat nuk u kushtoi vëmendje fyerjeve dhe armiqësive, por vijoi përpjekjet për të shfuqizuar gjendjen e luftës me Izraelin dhe për të bërë paqe me kombin tonë. Ishte një rrugë e vështirë. Cremonia e varrimit u zhvillua më 10 tetor. Presidenti Regan sapo i kishte mbijetuar një atentati dhe nuk mundi të merrte pjesë. Në shenjë respekti të Amerikës, ai dërgoi ish-presidentët Nikson, Ford, Karter së bashku me sekretarin e Shtetit, Aleksandër Heig, sekretarin e Mbrojtjes Kaspar Uejnberger dhe ambasadoren e OKB-së, Xhoana Kirkpatrik. Ishin gjithashtu pjesëmarrës në këtë ceremoni Begini, Li Kuan Ju, princi i Uellsit, ish kryeministri britanik, Xhejms Kallagan, sekretari i Jahstëm britanik, Lord Kerrington, presidenti francez Fransua Miteran dhe ish presidenti Valeri Zhiskar Dësten, kancelari gjerman Helmut Shmit, dhe ministry i Jashtëm Hans Ditrih Gensher, si dhe presidentja e Parlamentit Europian, Simon Veil. Atmosfera e çuditshme e ceremonisë së varrimit pasqyronte edhe të ardhmen e Lindjes së Mesme. Në faqet me kapitull “Epilog: Një trashëgimi e papërmbushur autori i librit “LIDERSHIP”, Henri Kisinger shkruan: Sadati dëshironte një ndryshim të historik të identitetit të Egjiptit dhe krijimin e një rendi të ri në Lindjen e Mesme, duke ndihmuar në paqen botërore. Pozita gjeografike e Egjiptit, midis botës arabe dhe Mesdheut, ishte njëherazi një mundësi dhe një barrë. Sadati e shihte Egjiptin si një komb islamik paqësor, mjaftueshëm të fuqishëm për të bërë aleancë me armikun e vet, në vend që ta mbizotëronte ose të mbizotërohej prej tij. Vizioni i përgjithshëm i Sadatit ishte tepër i ndryshëm nga ai i kolegëve dhe i bashkëkohësve të tij, për të gjetur mbështetjen e duhur. Gjithçka që mbeti pas vdekjes së tij ishin thjesht gjëra praktike që ai i quante të përkohshme. Sfida kryesore në Lindjen e Mesme modern vazhdon ende sot: ajo është një garë midis përkrahësve të një rendi pluralist fetar ose ideologjik (pra, njerëz që mendojnë se bindjet vetjake dhe shoqërore mund të bashkëjetojnë në një sistem shtetëror) dhe kundërshtarëve të Sadatit, të cilët duan teologjitë ose ideologjitë e tyre të jenë gjithpërfshirëse dhe të kontrollojnë çdo fushë të jetës. Në një fjalim të mbajtur në maj të vitit 1979 në Universitetin Ben-Gurion, ku po merrte një çmim honorific, Sadati bëri thirrje për rigjallërimin e shpirtit të tolerances që karakterizonte epokën e artë të Islamit mesjetar.
Timoleo GURI