
Në Konsullatën e Kosovës në Zyrih u shfaq dokumentari i Julius Strauss, me rrëfimin e familjes Deliu nga Abri e Epërme; diplomatë, përfaqësues vendorë dhe nga diaspora u bashkuan në një homazh të fuqishëm për të vërtetën dhe kujtesën.
Në një sallë të mbushur me emocion, Konsullata e Republikës së Kosovës në Zyrih organizoi shfaqjen e dokumentarit “Return to Kosovo” të gazetarit britanik Julius Strauss. “Në përvojën time 15-vjeçare në institucionet e Republikës së Kosovës, kjo shfaqje mbetet një ndër aktivitetet më të veçanta në detyrën time diplomatike,” -u shpreh Konsulli Vigan Berisha, duke hapur mbrëmjen.
Filmi vendos në qendër Besnik Deliun, nga Abri e Epërme, pesëvjeçarin e mbijetuar të masakrës ku humbën jetën 23 anëtarë të familjes së tij dhe rikthimin e autorit pas dy dekadash për ta takuar Besnikun sot: burrë, bashkëshort, baba dhe pjesëtar i Ushtrisë së Kosovës. Ky ribashkim i dhimbshëm e shndërron dokumentarin në një rrëfim për qëndresën dhe dinjitetin.
Dokumentari sjell edhe histori të tjera që nguliten në kujtesë, si ajo e një vajze dhjetëvjeçare që çdo ditë ndalonte fshehurazi te varri i nënës së vrarë, duke marrë një gur që e mbante nën jastëk, një detaj i vogël që tregon peshën e madhe të traumës te fëmijët e luftës.
Mbrëmja u shënua nga prani e gjerë diplomatike: përfaqësues të Shqipërisë, Turqisë, Kroacisë, Portugalisë, Italisë, Japonisë, Belgjikës, Çekisë, Estonisë, Sllovakisë, Gambias, Bahamas, Maltës, Monakos dhe Seychelles. Morën pjesë edhe deputetë kantonalë e komunalë si Drin Alaj, Daniel Wäfler dhe Dafi Muharemi, si dhe personalitete të shëndetësisë, mes tyre Labinot Demaj, Sekretar i Përgjithshëm i Departamentit të Shëndetësisë në Kantonin e Zyrihut.
Konsulli Berisha falënderoi diasporën shqiptare në Zvicër, shoqatat kulturore e sportive, misionet fetare, ansamblet, bizneset dhe mjekët, duke theksuar se uniteti i tyre e mban gjallë kujtesën kolektive. Mbrëmjen e mbylli interpretimi nê piano i Flutura Bytyqit, që i dha tingull reflektimit dhe respektit për të rënët.
“Return to Kosovo” është një ftesë për të parë të shkuarën në sy, për t’u rikthyer tek e vërteta dhe për ta kthyer kujtesën në urë mes brezave.