
Tri ditë që sollën vargje, zëra të rinj dhe bashkëpunime mes diasporës dhe skenës letrare italiane.
Në qendrën kulturore “Slow Mill” në Milano u mbajt “Fjalafest”, një maratonë tre-ditore me leximet, debatet, librat, kulinarinë, humorin e muzikën që bashkuan autorë shqiptarë e italianë dhe publikun e diasporës. Shkrimtari Ndue Ukaj e quajti ngjarjen një mbrëmje të kujtesës dhe të fjalës që të shkëput nga përditshmëria dhe të fut në një univers kulturor më të pasur.
Festivali u kurua nga shkrimtari Stefan Çapaliku, ndërsa organizimin në terren e mbajti Besmir Rrjoli, i cili ka ngritur një qendër domethënëse kulturore në një zonë strategjike të Milanos, shembull i fuqisë së komunitetit shqiptar që ecën krah për krah me skenën vendase.
Në program u lexuan pjesë në shqip dhe italisht nga “Antologjia degli autori contemporanei albanesi”, e përkthyer nga Fabio M. dhe Kriselda Rocchi; aktori Indri Shiroka i dha zë versionit italian me interpretim skenik. Mes të pranishmëve ishin autorë e krijues të njohur, që ndanë përvoja mbi letërsinë dygjuhëshe dhe rolin e fjalës në emancipimin shoqëror.
Mesazhi i festivalit: letërsia shqipe ka zë të fuqishëm në qendrat kulturore të Evropës dhe ngjarje si “Fjalafest” janë “gurë këndi” për ndërtimin e një realiteti që zgjedh të bukurën, krijon ura mes kulturave dhe afron brezat përmes fjalës.