Monday

27-10-2025 Vol 19

DOKTOR VASILI I MADH

Dr. Vasil Laboviti (1902-1980)


Doktor Vasil Laboviti, apo Vasili i madh, siç njihej më së shumti sa ishte gjalle, ka drejtuar spitalin e Gjirokastres për gati dy dekada, duke filluar nga viti 1935.

Ka qenë nderkohe kirurgu kampion që realizoi me sukses 50 mijë operacione. Që do të thotë 50 mijë jetë të shpëtuara, madje në kushte modeste me plot mungesa e mjete të kufizuara.

Kishte lindur me 12 prill 1902 ne fshatin Dhuvjan të Dropullit.

Ka mbetur ky rekord në krenarinë e bluzave të bardha, që do ta dëshironte gjithkush prej tyre. Në fakt, Vasili i madh, për çka bëri e realizoi në profesionin e tij, ka qenë një shkollë e madhe, unike në llojin e vet.

Përtej kësaj kreshpe të lartë në karrierën disavjeçare, ai është fiksuar në kujtesën e gjirokastritëve, por jo vetëm, për një ngjarje tjetër të bujshme.

Doktor Vasili, mjeshtri duarartë që shpëtoi nga thonjtë e vdekjes me mijëra pacientë, një ditë të bukur mundi të shpëtojë krejt qytetin nga një katastrofë e tmerrshme.

Këtë radhë jo me mjetet e përhershme bisturi e medikamente, si nga hera, por me armën e mençurisë që funksionoi mrekullisht e shmangu një tragjedi të padëgjuar kurrë.

Ngjarja daton në 27 shtator 1943 kur Gjirokastra ishte pushtuar nga hordhitë naziste dhe në sheshin e Çerçizit 200 burra prisnin nga çasti në çast përballë mitralozëve gjermanë urdhrin e ekzekutimit.

Qyteti sakaq ishte vënë në shënjestër për t’u djegur i tëri. Vetëm ndërhyrja proverbiale e doktor Vasilit bëri të pabesueshmen, shmangu tragjedinë e jashtëzakonshme, shpëtoi qytetin e liroi pengjet.

Aresyeja: …ishin qëlluar dy gjermanë të pararojes dhe, kur erdhen gjermanët nga territori grek, gjetën motorrin, por jo trupat…

Duke menduar që janë vrarë nga shqiptarët, ata vendosën: 2 gjermanë të vrarë…, 200 shqiptarë do të vriteshin.

Por gjermanet e plagosur ishin transportuar nga disa gjirokastritë në spital ku ishin operuar nga Dr. Laboviti dhe ishin jashtë rrezikut për jetën.

Me një gjermanishte perfekte (kishte studjuar 10 vjet në Austri) Dr. Laboviti iu drejtua gjermaneve:
“Nuk e di nëse janë ata të dy që kërkoni ju, po dy ushtarë të plagosur ndodhen në spitalin tonë. I sollën banorët e lagjes që i gjetën të plagosur”.

“Në spital, vërtet?” – u hodh tjetri që nuk e fshehu gëzimin për një çast.

“Po, po, i kam mjekuar me duart e mia” – ia ktheu doktori.

Kaq mjaftoi për rojën gjermane dhe nxitoi për t’ia përcjellë lajmin e porsa marrë eprorit të tij që ndodhej në hotel “Hadëri”.

Komandanti gjerman shkoi menjëherë në spital dhe pa me sytë e tij ushtarët gjermanë të plagosur që ishin mirë dhe lavdëronin doktorin që i kishte risjellë në jetë…

“A ke mjekuar gueriles?” – e pyeti komandanti. “Po” – u përgjigj qetë e shtruar doktori.

“Ke mjekuar gueriles, komunistë?!”. “Ëhëë” – shtoi doktori, “por jo vetëm gueriles e partizanë, por dhe gjermanë, italianë, grekë. Kam mjekuar këdo që ka ardhur në spital, pa dallime.

Se ne mjekët kemi bërë betimin e Hipokratit, sipas të cilit bluzat e bardha nuk njohin ndasi, por vetëm qytetarë që kërkojnë ndihmë.

Madje, ne i shërbejmë edhe hasmit kur na kërkon mjekim, ndërkohë që hasmërinë mund ta vazhdojmë më pas.”

“Ashtu?!” – tha gjermani. Vasili pohoi me kokë.

Gjatë kohës që qëndruan gjermanët në Gjirokastër, ushtarët e plagosur, venin herë pas here në spital për t’u mjekuar. Një rast ata kishin pyetur:

“Doktor,çfarë janë gjithë këta të plagosur këtu? Në luftë me kë, apo me ne?”
– Jo, jo, – u përgjigj doktori… Me njëri – tjetrin.

Dr Laboviti përmendet si personazh i romanit “Darka e gabuar”, shkruar nga Ismail Kadare.

Spitali Rajonal Gjirokastër sot mban emrin e Dr. Omer Nishanit (që, për hir të së vërtetës ishte mjek, edhe ai i diplomuar në Austri), por që e lidhi jetën me politikën, ku edhe pati një fat tragjik (vrau veten në vitin 1953, kur ishte Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë).

Për mendimin tim ky spital duhet te marrë emrin e heroit te tij…, Dr. Vasil Labovitit, ashtu si edhe Stadiumi Subi Bakiri, duhet të marrë emrin e Sefedin Brahos…


Saimir KADIU

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *