Fjala naftë vjen nga persishtja (nefata), si dhe nga greqishtja e vjetër (nafdha), që do të thotë “filtrues”. Kështu e nis librin e tij inxhinieri Zenel Hamiti, me titull “Historiku i vajgurit në Shqipëri”, botim i vitit 1966 nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. Më tej ai vazhdon…
Vajguri (nafta) dhe gazi kanë qenë të njohura qysh në kohët e lashta, por përdorimi i tyre ishte shumë i kufizuar. Historiani i lashtësisë, Plutarku, përmend daljen në sipërfaqe të vajgurit dhe gazit në disa vende të Lindjes së Mesme. Në Mesopotami, shumë vjet para erës sonë, bëhej përpunimi i asfaltit për qëllime ndërtimi.
Vajguri (nafta) i vendit tonë, ose siç e quanin të parët tanë “gjaku i dragoit”, ka shpërthyer qysh në kohë shumë të hershme nga thellësitë e nëntokës, duke dalë në sipërfaqe. Shqipëria, me pozicionin e saj në Mesdhe, ka shërbyer si një pikë e rëndësishme tranziti. Detarët e motshëm gjenin në këtë vend strehë të sigurta në gjiret dhe në të futurat e të dalat e bregdetit tonë. Kështu lindën qendra të fuqishme tregtare dhe kulturore, për të cilat kemi të dhëna historike nga dijetarë të ndryshëm që kanë dhënë njoftime mbi vajgurin që 20 shekuj më parë.
Sipas të dhënave historike, në Selenicë, shfaqjet klasike të serës dhe ujërave sulfurore, që lidhen me familjen e vajgurit — “zjarret e përhershme” ose “çezmat që digjen” — janë paraqitur nga autorë të ndryshëm si fenomene të mrekullueshme dhe objekte adhurimi e besimi. Këto kanë qenë të njohura qysh në kohën e Aristotelit, Strabonit, Elianit, si dhe “vullkanet e baltës”.
Shekuj me radhë, Shqipëria ka qenë nën valën e pushtuesve të ndryshëm dhe është kthyer në fushëbetejë të luftërave kundër tyre. Shumë informacione për vajgurin dhe serën tonë janë humbur, sidomos pas rënies së Perandorisë Romake.
Historiani turk H. Jinalçik, duke folur për serën dhe vendburimin e Selenicës, shkruan se ajo shfrytëzohej në shekullin XVI. Vetëm në fillim të shekullit XIX, kur Perandoria Osmane po lëkundej nga themelet, u lejuan të huajt të hynin në Shqipëri për të studiuar burimet minerale dhe për të shprehur mendime mbi rëndësinë e tyre industriale.
Njoftimet e para më të hollësishme nga ana minerare, që flasin për kushtet e lehta të shfrytëzimit dhe për rëndësinë që paraqiste miniera e Selenicës, jepen nga Pukvillë, i cili, duke qenë konsull i Francës pranë Ali Pashë Tepelenës nga viti 1806–1817, ishte njëkohësisht studiues i gjithanshëm.
Më pas vjen gjeologu francez Ami Bue, i cili kryen studime në Gadishullin Ballkanik, i shoqëruar nga gjeologu A. Vikësnel. Në përfundim të studimeve të tij, A. Bue botoi veprën “La Turquie d’Europe”. Pas tij, paleontologu francez H. Kokand bën më 1868 një përshkrim të hollësishëm gjeologjik të vendburimit të serës në Selenicë.
Në vitin 1884, francezi Vivien de St. Martin, në botimin e fjalorit të tij mbi gjeografinë e përgjithshme, në pjesën “Shqipëria”, përmend edhe minierën e Selenicës. Pa kaluar një vit, F. Biankoni boton më 1885, në Paris, një hartë tregtare, fizike, politike, rrugore, etnografike, minerare dhe bujqësore të Shqipërisë, ku vihet re vendburimi i Selenicës.
Një ferman i Perandorisë Osmane, më datën 24.VIII.1885, i dha të drejtën e shfrytëzimit të minierës së Selenicës një shoqërie franceze me qendër në Paris për një periudhë prej 99 vjetësh. Kjo shoqëri, pas Luftës së Parë Botërore, ia shiti koncesionin e saj — që zinte një sipërfaqe mbi 800 ha — shoqërisë italiane Società Italiana Miniere di Seleniza (SIMSA), e përfaqësuar nga inxhinieri Xhovani Nobili.
Më pas, paleontologu italian V. Simoneli përshkruan më 1893 rërat bituminoze të Selenicës. Më vonë, një tjetër inxhinier francez përshkruan më 1903 minierën e Selenicës në shfrytëzim. Ndërmjet gjeologëve të ndryshëm që studiuan Shqipërinë ishte edhe gjeologu italian A. Mateli, i cili, së bashku me B. Nelin dhe M. Doxanon, më 1910, jep përshkrime të hollësishme mbi formacionet bitumbajtëse të Selenicës.
Më 1915, gjeologu F. Plate shkruan për herë të parë për daljet e shtresave të vajgurit në luginën e Shushicës, afër Drashovicës në Vlorë. Lufta e Parë Botërore është quajtur me të drejtë “Lufta për naftën”. Një fuqi që do të zotëronte naftën, do të dominonte botën. Në atë kohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës zotëronin 70% të rezervave botërore të naftës, dhe lufta mes njeriut dhe makinës ishte shprehja më e qartë e gjeopolitikës. Shekulli XX i përkiste luftës për gjetjen e burimeve energjetike dhe minerare.
Gjermania humbi zonën naftëmbajtëse në Mesopotaminë e Irakut, ndërsa në skenë u shfaqën fuqitë e reja: Britania dhe Franca, nëpërmjet një marrëveshjeje të re me qeverinë osmane. Kështu lindën kompanitë “British Petroleum”.
Shqipëria, si një shtet asnjanës, u bë fushëbetejë gjatë Luftës së Parë Botërore. Palët e Antantës kishin hartuar plane për copëtimin e saj, duke synuar krijimin e një territori me 12 mijë kilometra katrorë nën udhëheqjen e Esad Pashë Toptanit, i cili ishte rreshtuar në krah të vendeve të Antantës.
Në një kompromis të arritur mes Francës dhe Anglisë, për të pasur një shtet shqiptar të stabilizuar brenda kufijve të vitit 1913, u konsiderua e domosdoshme — me aprovimin në heshtje të Francës dhe me dijeninë e Anglisë — që një figurë destabilizuese si Esad Pasha të largohej nga skena politike. Atentati ndaj tij nga Avni Rustemi ishte pjesë e këtij kompromisi.
Ishte Presidenti amerikan Woodrow Wilson ai që nuk e firmosi projektin për ndarjen e Shqipërisë, duke i drejtuar dy nota Konferencës së Paqes. Vullneti i popullit shqiptar për të mbajtur Kongresin e Lushnjës, me synimin për t’i rikthyer statusin e pavarësisë të shpallur nga diplomati Ismail Qemali më 28 nëntor 1912, ishte një akt heroik — ndonëse 60% e tokave shqiptare mbetën jashtë territorit të saj.
Interesi i jashtëzakonshëm që paraqiste vendburimi i naftës në Drashovicë, për nga pritshmëria, konsiderohej si “Mesopotamia e Ballkanit”. Ky lajm i bujshëm u publikua në revistën franceze Revue Pétrolifère, nga Profesor Leo Madalena.
Duke përfituar nga gjendja e paqëndrueshme në vend dhe nga situata globale, në Shqipëri vërshuan grupe specialistësh dhe misione të ndryshme. Të parët ishin italianët, të cilët ngritën një mision ekonomiko-shkencor të kryesuar nga majori Silvio Exhidi dhe gjeologët Xhiorxhio Dal Plat dhe Antonio De Toni. Misioni, gjatë punës së tij studimore, arriti deri në Mirditë dhe u strehua në kullën e bajraktarit Gjon Mark Gjoni.
Ky mision italian realizoi një studim strategjik-tektonik të gjirit të vjetër shqiptar, që ndodhet midis Durrësit, Elbasanit dhe Vlorës. Në veri të Shqipërisë ishin dislokuar forcat e ushtrisë austro-hungareze. Në shtabin e tyre ekonomik bënin pjesë disa nga gjeologët më të njohur të Austro-Hungarisë, si Ernest Novak, S. Veigner, Roth, V. Telegt, O. Aufener, W. Hammer, të cilët vazhdonin punën e parardhësve të tyre: baronët F. Nopça dhe H. Vetters.
Ernest Novak, duke përmbledhur edhe studimet e të tjerëve, veçanërisht ato të J. Burkart, botoi në vitin 1929 për herë të parë hartën gjeologjike të Shqipërisë me shkallë 1:200.000. Më 1943, Novak erdhi për herë të fundit në Shqipëri me ushtrinë hitleriane, duke mbajtur gradën e kolonelit.
Studimet gjeologjike në Shqipëri, Nopça i kishte nisur rreth viteve 1903–1904 dhe i vazhdoi deri më 1915. Në juglindje të vendit, në tokat e pushtuara nga ushtria franceze, punonin gjeologë francezë nën drejtimin e akademikut Zhak Burkart. Ai sinjalizoi në botimet e tij shfaqjet e rërave bituminoze të Bërzheshtës (Qukës) dhe gazin metan të zonës së Korçës.
Më 1922, shoqëria franceze ia shiti koncesionin e saj shoqërisë italiane të minierave të Selenicës (SIMSA), e cila e mbajti dhe e shfrytëzoi atë deri më 1944.
Britania e Madhe kërkonte dominancën në Mesdhe dhe interesohej së tepërmi për gjetjen dhe shfrytëzimin e vajgurit në Shqipëri. Ajo gjeti momentin e përshtatshëm më 1920, kur shtetet fqinje synonin copëtimin e Shqipërisë, ndërsa qeveria e Iljaz Bej Vrionit përpiqej të forconte pozitat e shtetit shqiptar në Lidhjen e Kombeve. Anglia luante një rol vendimtar në marrjen e vendimeve të kësaj organizate.
Për të siguruar përkrahjen dhe ndërhyrjen e Anglisë për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, qeveria e Vrionit pranoi pa kushte t’i jepte shoqërisë angleze Anglo-Iraniane (APOC) të drejtën ekskluzive për të kërkuar vajguri në Shqipëri, në një sipërfaqe prej 200 mijë hektarësh. Si rezultat i bisedimeve me ndërhyrjen e lordit Robert Cecil, Asambleja e Përgjithshme e Lidhjes së Kombeve e pranoi Shqipërinë më 17 dhjetor 1920 si anëtare të saj.
Sipas projekt-koncesionit, shoqërisë Anglo-Persiane Oil Company (APOC) i njihej e drejta e kërkimit dhe shfrytëzimit të vajgurit në të gjithë territorin e Shqipërisë. Projekt-akti i koncesionit përcaktonte se 20% të aksioneve do t’i merrte grupi themelues (promotor) si shpërblim, 60% i jepeshin shoqërisë iniciatore APOC dhe vetëm 20% caktoheshin për shtetin shqiptar.
Rivaliteti amerikan për burimet e vajgurit, si në gjithë botën, edhe në Shqipëri, ka qenë shumë i madh. Shoqëria amerikane “Standard Oil Company”, e krijuar më 1870 nga Rokfeleri — i njohur si “mbreti i naftës” — organizoi një betejë ligjore duke përdorur avokatët e saj. Përfaqësuesi i shoqërisë, E.S. Sheffield, ishte autorizuar për të biseduar dhe përfunduar kontrata me qeverinë shqiptare mbi tokat me perspektivë për vajguri, si në zonat e Durrësit, Kavajës, Lushnjës dhe Beratit.
Për grindjet në fushën e vajgurit shqiptar ndërmjet Italisë dhe Anglisë, ja si shprehet A. Baldaçi në veprën e tij Studi speciali Albanesi: “Pengesat e konkurrentëve tanë u bënë të padurueshme… ishim të detyruar t’i lypnim Londrës naftën e Shqipërisë, një vend që e kishim aq fqinj, të cilin duhet ta mbanim nën influencën politike.”
Në librin me kujtime të Sejfi Vllamasit, përmendet një bisedë e ambasadorit anglez Eden me një të arratisur politik shqiptar në Paris, ku ndër të tjera i thotë: “Vajguri hoqi Turqinë nga Mosuli, po ashtu vajguri ju përzuri edhe ju dhe sollëm Zogun.”
Në të njëjtën kohë, rritej rivaliteti mes Britanisë së Madhe dhe SHBA-së për të pasur zonat e veta të burimeve të naftës, sepse, siç dihet, në Luftën e Parë Botërore u shfaqën për herë të parë aeroplanët, të cilët furnizoheshin me naftë — kryesisht nga kompanitë amerikane.
Amerikanët ishin përjashtuar nga marrëveshja e San Remos më 1920, si pjesëtarë në ndarjen e aktiviteteve të vajgurit që kishte pasur Gjermania e mundur në kontinentin euro-aziatik (sidomos në Irak), prandaj nuk lëshonin pe për shtetet e tjera konkurrente.
Francezët, nga ana e tyre, nxituan të krijonin shoqërinë “Sindikata franko-shqiptare e studimeve” me qendër në Paris, si dhe grupin londinez “H.H. Rushton” me qendër në Londër.
Kjo konkurrencë e shoqërive të ndryshme e vinte shpesh qeverinë e Zogut në pozita të lëkundura, me ndërrime të shpeshta të kabineteve ministrore. Opozita me Partinë Popullore, në gjirin e së cilës ishin patriotë të ndershëm si Luigj Gurakuqi, demaskonte politikën antishqiptare me koncesionet politike që binin erë dallavere e pazarllëqe.
Luigj Gurakuqi, në gazetën Ora e Maleve, nr. 24, datë 23 shtator 1923, ndër të tjera shkruante: “Ndonëse e dij shumë mirë se me artikujt e mij mbi çështjen e vajgurit kam fitue e do të fitoj mëninë e shumëkujt… lajthimi i bamun në dhanien e një koncesioni… mund të ketë rrjedhje aq të liga, sa të kompromentojë në mënyrë të pandreqshme zhvillimin ekonomik-financiar të vendit tonë e të sjellë mbi krye tonë mallkimet jo vetëm të bijve, por edhe të nipave e stërnipave tanë.”
Qeveria e Zogut u rikthye në fuqi me mbështetjen financiare të shteteve që përfaqësoheshin nga këto shoqëri aksionere dhe me armët e mercenarëve të Vrangelit, që i kishte dhënë qeveria jugosllave e Kral Aleksandrit. Ajo u dha shoqërive të huaja një sipërfaqe të përgjithshme prej 690.253 hektarësh për të zhvilluar studime, kërkime dhe shfrytëzim për vajguri, që përbënte mbi 25% të territorit të vendit.
Qeveria shqiptare e asaj kohe mori për këtë qëllim një shumë prej 568.336 franga ari, ose 0.82 franga ari për hektar.
Përfaqësuesit e Romës në Shqipëri, sidomos ministri fuqiplotë italian Ugo Sola dhe kryetari i misionit ushtarak, gjeneral Alberto Pariani, shtuan së tepërmi presionet pranë qeverisë shqiptare për të mos penguar vërshimin e shoqërive koncesionare italiane.
Me vendim të qeverisë së Zogut nr. 507, datë 19 qershor 1929, Ministria e Financave autorizohej të lidhte një kontratë me shoqërinë italiane AGIP, sipas së cilës kjo shoqëri do të kishte monopolin e karburanteve në vend dhe do të ishte furnitori i vetëm.
AGIP kishte të drejtën të sillte karburantin me çmimet e bursës së Nju Jorkut dhe, mbi këto çmime, të vendoste edhe çmimin e transportit për në Shqipëri dhe brenda vendit, si dhe atë të ambalazhit. Ambalazhi dhe transporti e tejkalonin disa herë çmimin e bursës së Nju Jorkut, e cila pësonte ulje të vazhdueshme. Kjo situatë, e mbushur me vjedhje dhe mashtrime, u bë objekt protestash ndaj qeverisë së kryeministrit Koço Kota, i cili kishte dhënë këto koncesione AGIP-it.
Shoqëria Anglo-Persiane zhvilloi studime gjeologjike për të sqaruar perspektivën dhe për të plotësuar studimet e saj, por nga ana tjetër ngadalësoi shpimet për shkak të ndërhyrjes brutale të qeverisë italiane në Shqipëri. Me këto studime dhe shpime, u zbulua se vendburimi i Patosit përmbante vajguri në shkallë industriale.
Më 1933, u sollën për herë të parë në Shqipëri sondat e thella rrotulluese të tipit Wirth dhe Haniel nga Gjermania, si dhe të tipit Trausl nga Austria, të cilat u vunë në punë në vendburimin e vajgurit në Kuçovë.
Në një shtojcë-marrëveshje të nënshkruar nga pala shqiptare (Dhimitër Berati) dhe ajo italiane (ministri Indeli), më 19 mars 1936, qeveria shqiptare kishte të drejtën të merrte një taksë prej 13.5% mbi prodhimin në natyrë. Shoqëria AIPA, nga ana tjetër, detyrohej të ngrinte një rafineri të vogël për nevojat e vendit me kapacitet 30 mijë ton vajguri bruto. Megjithëse e detyruar, AIPA nuk iu përmbajt kurrë detyrimeve të saj: nuk e ngriti rafinerinë dhe nuk hoqi monopolin e karburanteve.
Më 1934, qendra e administratës së shoqërisë AIPA u transferua në Kuçovë, ku nga kërkimet e shumta u zbulua vendburimi i naftës. Inxhinieri Çesteleti u zëvendësua më vonë nga inxhinieri Andrea Taraskoni, i cili qëndroi në detyrë deri më 1947 dhe më pas u dënua si sabotator.
Sipas inxhinier Zenel Hamitit, në librin e tij Historiku i Vajgurit në Shqipëri (botim i vitit 1966), në faqen 70 citohet: “Jo më pak i rëndësishëm ka qenë aktiviteti i drejtpërdrejtë që ka zhvilluar Stanislav Zuber në fushën e orientimit të kërkimit dhe zbulimit të vendburimeve të vajgurit nga AIPA.”
Gjeologu Stanislav Zuber kishte kryer studime në koncesionet italiane në Egjipt dhe Irak. (Ai vdiq nga torturat në burgjet komuniste.)
Më 25 dhjetor 1935, u ngarkua vapori i parë çisternë “MAYAR” me vajgurin shqiptar për t’u transportuar drejt uzinës së përpunimit “Fiume” (ROMSA). Më vonë, vajguri bruto i Kuçovës u përpunua në uzinat ANIC të Barit dhe Livornos.
Një tjetër tablo na jepet në librin e Pietro Quaroni Valixhja Diplomatike, në faqet 159–160, ku citohet: “Nevoja e papritur për t’i siguruar AGIP-it monopolin e shitjes së naftës dhe benzinës në Shqipëri solli me vete një nga bisedimet më të komplikuara. Nuk e kam kuptuar kurrë siç duhet, përse ne kërkonim kaq shumë për ta pasur këtë monopol: është e vërtetë që tregtia e naftës merrte një rëndësi të madhe në këtë vend, por po aq e vërtetë është se importuesit më të mëdhenj të naftës në Shqipëri tanimë ishin italianë. Të thoshte mendja që në një çast të dhënë e tërë politika jonë ushtarake do të shembej nga themelet, nëse do të shtyhej ndërtimi i disa rezervuarëve në Durrës e gjetkë. Ishte një gjë që ata nuk arrinin ta kuptonin dhe, nga ana tjetër, arsyetimi i tyre ishte fare i thjeshtë: Italia nuk ka fare naftë, si mund të na furnizojë me të njëjtin çmim si konkurrentët e saj? Duhet të ketë këtu një batakçillëk, por ku?”
Sipas këndvështrimit të Pietro Quaronit, bazuar në një bisedë me Zogun për psikologjinë e bashkëatdhetarëve të tij, ku ai përdorte metaforat e zakonshme, thuhej: “Nëse unë zotëroj një truall që vlen, sipas vlerësimit tim, dhjetë napolona, dhe ju më afroni njëmbëdhjetë, unë do të përpiqem të marr një më tepër dhe përfundojmë duke rënë dakord. Por nëse më afroni njëqind, unë mendoj se ka diçka që nuk e di, ose nuk e kuptoj, dhe për më shumë siguri, ju kërkoj të paktën pesëqind dhe nuk lëshoj më.” Në vjeshtën e vitit 1938, kur vendburimi i Kuçovës kishte kohë që ishte vënë në shfrytëzim dhe ishin bërë instalime industriale për nxjerrjen dhe transportin e vajgurit bruto, erdhën në Shqipëri pjesëmarrësit e Seksionit të 51-të të Shoqërisë Gjeologjike të Italisë, ndër të cilët bënin pjesë të gjithë profesorët e gjeologjisë të fakulteteve italiane. Ndër ta ishin ftuar edhe gjeologë të njohur të huaj: zviceranë, amerikanë, austriakë, etj.
Qëllimi i vizitës së tyre ishte të njiheshin me gjeologjinë e vendit, kryesisht me atë të vajgurit, dhe të përfitonin nga eksperienca e studimeve të bëra për zbulimin dhe shfrytëzimin e tij. Në këtë situatë konkurrimi mes shumë shoqërive, ekzistonte edhe një luftë e fshehtë.
Në librin Retë e zeza të autorit Reshat Nepravishta, në faqet 74–75, përshkruhet një episod: “Në Uashington, operacioni që drejtonte Fultsi e patën pagëzuar me një emër tjetër. Unë po e quaj ‘OPERACIONI FULTS’. Hulli më foli gjatë për të. Sipas mendimit të tij, puna për realizimin e tij kishte hyrë në fazën e parë. Fultsi kishte mundur të krijonte dy grupe me rëndësi. Në grupin e parë hynin ish-studentët e Teknikes së Tiranës. Shumica ishin inxhinierë. Gjatë kohës së Zogut, ata kishin treguar aftësi të mëdha, duke i dhënë zbulimit amerikan informata mbi marrëdhëniet e Zogut me Italinë, mbi pasuritë e nëntokës e mbitokës, etj. Ky grup punonte me entuziazëm.”
Historia e këtij libri të ndaluar ende nuk është e qartë.
Me interes është edhe libri i një prej eksponentëve të “Ballit Kombëtar”, Abas Ermenji, i cili në veprën Albania – Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë, botuar më 1968, në faqen 418 shkruan: “Kështu Zogu iu suall Italisë, me të cilën kishte nisur të afrohej sapo u kthye nga Jugosllavia. Në mars të vitit 1925, dërgoi në Romë Mufit Libohovën për të negociuar me qarqet financiare italiane marrëveshjen e një huaje dhe atë të shfrytëzimit të pasurive natyrore të Shqipërisë. Mufit Libohova, që shkoi si mik ose si agjent i Italisë, u prit në Romë me nderime të mëdha dhe, natyrisht, u shpërblye mirë… Grupet financiare italiane e dinin se si ecnin punët, prandaj nuk i kursyen bakshishet, duke i dhënë Zogut pjesën që i takon luanit, e pastaj rrethit të tij — si Koço Kotës, Fejzi Alizotit, Iliaz Vrionit dhe të tjerëve — pjesën që i takon ujkut dhe dhelprës. Përfundimi ishte se marrëveshjet financiare-ekonomike me Italinë, të cilat filluan të nënshkruheshin në maj të vitit 1925, u bënë të gjitha në përfitim të kapitalit italian, ashtu siç deshi Italia.”
Në librin Problemet shqiptare të Mehdi Frashërit, në kapitullin Shkaqet ekonomike të prapambetjes së Shqipërisë, theksohet: “Shqipëria, si një vend i pasur, ka nevojë të ndjekë një model anglosaksion në legjislacionin e saj, të zhvillojë industrinë metalurgjike, industrinë përpunuese të naftës dhe një transport hekurudhor.”
Një tjetër temë e rëndësishme sipas gazetës Besa, organ i qeverisë së Zogut, në datën 5 dhjetor 1933, pohon: “Kemi konstatuar, p.sh., se ndonjë shoqëri sipërmarrëse i ka mashtruar punëtorët, duke i angazhuar me një çmim dhe duke u dhënë shumë më pak; se i kanë lënë mes katër rrugëve, kur kanë pësuar ndonjë mjerim në punë.”
Punëtorët e naftës janë masakruar dhe kanë punuar në kushte shumë të rënda në shoqëritë italiane. Për të fituar të drejtat e tyre, ata u bashkuan dhe formuan shoqërinë “Puna”, me qendër në Kuçovë.
Pas kapitullimit të Italisë, Gjermania naziste dërgoi me shpejtësi ushtritë e saj dhe pushtoi nyjet kryesore të qyteteve. Ajo solli nga Shkupi për në Kuçovë projektet dhe pajisjet e baterive për ngritjen e impiantit të distilimit atmosferik, të përgatitura më parë në Gjermani, apostafat për t’u përdorur në vendet e okupuara, me qëllim prodhimin e menjëhershëm të karburanteve, sidomos benzinës dhe gazoilit.
Në shërbim të nazistëve u vu i gjithë personeli italian në Kuçovë, me në krye ish-drejtorin e AIPA-s, Andrea Taraskoni.
Pa u çliruar ende i gjithë vendi, qeveria shqiptare, në vjeshtën e vitit 1944, dërgoi menjëherë në Kuçovë Komisarin e saj të jashtëzakonshëm, Koço Theollosin, për të grupuar punëtorët shqiptarë, për të nisur rindërtimin dhe për të vënë në funksion prodhimin e vajgurit si industri me rëndësi të madhe, që do të ndihmonte në ringritjen e vendit.
Në librin e inxhinier F. Arkaxhiut, Të njohim pasuritë e Shqipërisë – Hekuri, botuar më 1966, vihet në dukje jo vetëm pasuria e nëntokës shqiptare me minerale, por edhe nevoja e domosdoshme për ngritjen e industrive metalurgjike. Sipas librit Pasuritë Minerale të Shqipërisë me autor profesor Skënder Dede, botuar në vitin 1966, krahas tabelave që tregojnë sasinë e prodhimit të naftës ndër vite — për shembull, nga viti 1928 me 9 mijë tonë, deri në vitin 1965 me 822 mijë tonë — jepen të dhëna të rëndësishme për prodhimin për frymë. Në vitin 1961, Shqipëria prodhonte 464 kg naftë për frymë, duke ia kaluar shumë shteteve të mëdha të Evropës, si Franca me 47 kg dhe Gjermania Federale me 115 kg.
Më pas, profesor Dede jep të dhëna për bitumin. Miniera e Selenicës është ndër më të lashtat në botë. Vendburimet e bitumit janë shumë të rralla dhe njihen në disa shtete si Rusia, Venezuela, Kuba dhe Palestina.
Libri vijon me informacion për qymyrin, krahinat ku ndodhet dhe industrinë përkatëse. Autori thekson se Shqipëria ka rezerva të mëdha kromi. Vendburimet e kromit lidhen me shkëmbinjtë ultrabazikë, të cilët shtrihen nga veriu — Tropoja, Puka, Kukësi, Lura, Bulqiza, Burreli, Shebeniku — deri në jug, në Leskovik.
Më tej përmendet hekuri, i cili gjendet në zonat e Pogradecit, Librazhdit, Kukësit, Krumës, Bilishtit dhe Lurës. Bakri gjendet në vendburimet e mineralizuara të Mirditës (Rubik), Dervenit dhe Kukësit. Kripërat me perspektivë paraqiten në zonat e Dumresë dhe të Korabit.
Autori përmend edhe silikatet e magnezit, dolomitet, gëlqerorët, boksideve dhe aluminit, si dhe mineralet e rralla si titani, zirkoni, granatet dhe shkrifërimet.
Në kapitullin “Mineralet e Dobishme Jo Metalike”, renditen: squfuri, piriti, fosforitet, argjilat, rërat, haliti, gipsi, granitet, albitofiret dhe kaolina.
Në pjesën e katërt flitet për pasuritë e reja minerale si mangani, plumbi, zinku, arseniku, azbesti dhe talku. Materiale të tjera me shenja premtuese janë ari dhe platini, shkruan në përfundim profesor Skënder Dede.
Shekulli XXI është quajtur “shekulli i energjisë”, ndaj kombet që zotërojnë depozita uraniumi, litiumi, burime ujore dhe energjetike si naftë e gaz, si dhe ata që po përgatiten për energjinë e rinovueshme, do të kenë të ardhme dhe zhvillim. Shqipëria ka hedhur disa hapa në këtë drejtim. E rëndësishme është që politika të hartojë një strategji zhvillimi afatgjatë dhe të dakordësuar, duke shpallur çështjen e energjisë si një prioritet me rëndësi strategjike kombëtare.
Timoleo GURI