Monday

27-10-2025 Vol 19

Në kalendarin e kujtesës. Për të kujtuar ata që folën me jetën e tyre, kur fjala nuk mjaftonte. Rekuiem për Pashko Vasën

Atdhetar, shkrimtar, politikan: Një zë i Shqipërisë që s’heshti kurrë.

Në përvijimin e historisë sonë të mundimshme, herë pas here kanë lindur njerëz që me penën dhe shpirtin e tyre, janë shndërruar në pishtarë drite për një komb të mbetur në hijen e errësirës.

Njëri prej tyre ishte Pashko Vasa, biri i Shkodrës dhe i Shqipërisë. Ai nuk kërkoi lavdi, as nuk priti duartrokitje. Ai shkroi, foli dhe luftoi për një Shqipëri të lirë, të bashkuar, pa mure feje apo krahine.

I lindur më 17 shtator 1825, Pashko Vasa, që në rini, u bë i vetëdijshëm për robërinë shpirtërore dhe politike të vendit të tij. Si shumë rilindas të tjerë, ai e gjeti rrugën drejt lirisë, jo në armë, por në fjalën e shkruar dhe kjo fjalë, e përzier me dhimbje dhe shpresë, u bë një shtyllë në themelimin e vetëdijes kombëtare.

Ai shërbeu si funksionar i lartë në administratën osmane, guvernator i Libanit, por zemra i rrihte për një atdhe që ende nuk frymonte i lirë. Me guxim të rrallë, përdori pozitat që kishte për të ndihmuar çështjen shqiptare, për të promovuar gjuhën shqipe dhe për të kërkuar bashkimin kombëtar, në një kohë kur vetë fjala Shqipëri për shumëkënd ishte ende tabu.

Por ajo që do ta pavdekësojë përjetësisht, është padyshim poezia: “O moj Shqypni!”

Në atë poezi të dhimbshme, që kumbon ende në thellësinë e çdo shqiptari të ndërgjegjshëm, Vasa la një porosi të thjeshtë e të përjetshme: “Feja e shqiptarit asht shqiptaria.”!

Ky varg është thirrje për Bashkim, është mallkim ndaj ndarjes, është lutje ndaj vetëdijes. Ai kërkonte një Shqipëri përtej dogmave, përtej ndasive. Kërkonte një komb që t’i përkiste vetes dhe jo të tjerëve.

Pashko Vasa shkroi në shqip, në frëngjisht, në turqisht, në italisht, por gjithmonë për të njëjtën kauzë. Ai ishte shkrimtar, publicist, mendimtar, një prej të parëve që hodhi idenë e nevojës së një alfabeti kombëtar, të një kulture shqiptare të dokumentuar e të ruajtur. Ishte anëtar i Komitetit të Stambollit, nismëtar i Lidhjes së Prizrenit, por më shumë se gjithçka, ishte njeri që besoi në një Shqipëri që ende nuk ekzistonte.

Vdiq më 1892 në Liban, jo në Shqipëri, jo në Shkodrën e tij të dashur, por në tokë të huaj, si shumë rilindas të mëdhenj që i kaluan vitet e fundit të jetës larg atdheut, që s’kishin arritur ta shihin të lirë.

Sot, kujtimi i tij nuk fle në tokë të huaj. Ai rri zgjuar në mendjet e brezave. Ai është një ndër themelet mbi të cilët u ndërtua vetë identiteti shqiptar.

Lavdi përjetë emrit tënd, Pashko Vasa!

Nga Borea Lisi

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *