
(Piktura nga Edward Lear)
Të dhënat e udhëtarëve anglezë për pashallëqet shqiptare dhe për politikën e tyre autonome, të brendshme dhe të jashtme, përqendrohen në pjesën dërmuese te pashallëku i Janinës dhe sundimtari i tij Ali pashë Tepelen. Vetëm kur Mustafa pashë Bushati, në fund të sundimit të tij, përpiqet të çlirohet nga varësia prej Portës së Lartë, ai tërheq vëmendjen e udhëtarëve anglezë, të cilët na japin njoftime për qëndrimin dhe dështimin e tij në konfliktin dhe ndeshjen përfundimtare me sulltanin, duke hedhur dritë mbi këtë sundimtar, si figurë historike e kohës. Kurse për Ali Pashën të dhënat e udhëtarëve nisin që “me kohën e fëmijërisë së tij” siç shprehet Hollandi, periudhë gjatë së cilës, “Shqipëria ishte në duart e një numri pashallarësh e krerësh, autoriteti i të cilëve zakonisht rridhte prej uzurpimeve dhe pushtimeve dhe që përherë ishin në luftë me qëllim që të ruanin dhe të shtrinin më tej pushtetin e tyre”, madje disa prej këtyre pashallarëve e krerëve, si ata të Beratit, Janinës, Delvinës, Çamërisë, Shkodrës etj, “kishin territor të konsiderueshëm dhe forca të fuqishme ushtarake”. Në një vend si Shqipëria ku në shumë krahina “autoriteti i Portës nuk njihej as si emër”, feudalë të medhenj, të mesëm e të vegjël, bejlerë dhe agallarë, në përpjekje për të rritur sundimin e tyre politik e territorial e kishin futur vendin në luftra lokale, duke dobësuar së tepërmi sundimin politik të Portës së Lartë në trojet shqiptare. Ky sundim ishte dobësuar deri në atë shkallë saqë Ërkhartit, “në Shqipëri osmanllinjtëjanë në një gjendje të tillë poshtëruese varësie, saqë bejlerët turq shpesh nuk lejohen të vizitojnë çifligjet tyre, pa patur një leje me shkrim nga qeveritari Arnaut”. Jo vetëm kaq, por sipas udhëtarëve anglezë as që mund të flitej për rivendosjen e autoritetit të Portës së Lartë në Shqipëri, “përderisa ajo Porta e Lartë nuk është në gjendje të emëroj ose të miratojë një qeveritar krahine, i cili të mos jetë shqiptar (a native of Albania) dhe të mos ketë forcuar që më parë ndikimin e tij me anë të pushkës, politikës dhe tarafeve të tij”. Kjo gjendje anarkie” luftërash të vogla, të cilat zhvilloheshin me të njëjtën mëri që është karakteristike për luftërat midis shtetve, rezultoi në krijimin e pashallëqeve kryesore, të ndarë në mënyrë të atillë, ”në gjysmën e së cilës mbizotëron ndikimi i tij (Ali Pashës), ndërsa pjesa tjetër është ndarë në mënyrë gati të barabartë midis Ibrahim Pashës së Beratit dhe Ibrahim Pashës së Shkodrës”, kjo gjendje nuk zgjati shumë sepse në fund të dhjetëvjeçarit të parë të shekullit XIX, Ali pashë Tepelena shtiu në dorë tërë pashallëkun e Jugut “që përbëjnë një shtesë shumë të rëndësishme politike për këto territtore”. Ali Pashë Tepelena “ky njeri i jashtëzakonshëm qeveris në këtë pjesë të Turqisë Evropiane dhe gjatë njëzet vjetësh konfuzion dhe luftëra, që kanë tronditur kombet e Evropës, ka rritur gradualisht territorin e tij, duke i dhënë pavarësi pushtetit të vet… në mbretërinë e lashtë të Pirros dhe në vendin e Skënderbeut”. Por duhet thënë se nëse “mbretëria e Pirros” hyri plotësisht nën pushtetin e tij, vetëm një pjesë fare e vogël e “vendit të Skënderbeut “ndodhej nën pushtetin ose nën ndikimin e Ali pashë Tepelenës, prandaj nënshtrimi i tërë trojeve shqiptare nën pushtetin e tij ishte “synimi i tërë veprimtarisë së vezirit”, “për ta futur Shqipërinë e ndarë midis krerëve të ndryshëm dhe të shqetësuar prej luftërave të pandërpresa, nën zotërimin e tij të rreptë”. Nga informatat dhe gjykimet e udhëtarëve anglezë, lidhur me marrëdhëniet e pashallëkut të Janinës dhe të Portës së Lartë, del i qartë karakteri i këtij pashallëku. Askush nuk e njeh më mirë se ai (Ali pashë Tepelena) plakjen dhe topitjen e Perandorisë Osmane… shthurjen atij sistemi ushtarak, që dikur mbante botën në ankth, shkruan Hjuzi,-“grykësinë e oficerëve të saj, pakënaqësinë e shtetasve… si dhe çdo shenjë tjetër të një gjendjejemarramendëse, në buzë të greminis”. Megjithatë Ali pashë Tepelena mbante marrëdhënie të rregullta me pushtetin qendror, për të mënjanuar çdo konflikt të pazakonshëm dhe për ta përdorur atë në dobi të fuqizimit të mëtejshëm të pashallëkut të tij. Ai nga njëra anë bënte të mundur që ofiqet e tij të “njihen si të nxjerra prej sulltanit” edhe pse “shumë prej autoritetit që e ka lidhur zyrtarisht me këta tituj është aprovuar zyrtarisht, pasi ai e ka siguruar atë faktikisht”. Liku deklaron “Duhet pranuar se Aliu ka realizuar me sukses ambiciet e veta në Greqi dhe në Shqipëri, jo vetëm duke sfiduar Portën, por deri tani edhe me një rritje të vazhdueshme të ndikimit të tij mbi qeverinë supreme”. Kjo njohje formale e Portës prej Aliut ishte “një system i ngadalshëm dhe këmbëngulës zmadhimi… një politikë e kujdesshme dhe veprime, të cilat I kanë dhënë shkas uzurpimeve të përhershme…, një ruajtje, në pamje të jahtëme, pa ndonjë ndërpreje serioze, të miqësisë me Portën”, por që faktikisht i kishin dhënë mundësi Ali pashës që shkallë-shkallë, të bëhej “më i tmerrshëm për integriteti e Perandorisë Osmane sesa ata që kanë dhunuar portat e Kostandinopojës me ushtritë e tyre ose që kanë flakur sulltanin sundues nga froni i tij”. Pashallëku ku sundonte Ali pashë Tepelena kishte marrë tiparet e një shteti të vërtetë brenda shtetit Osman, ndonëse nuk njihej si i tillë nga Porta e Lartë. Ali pasha faktikisht “mbledh dhe shpërndan ushtritë e tij, shpallë luftë dhe lidh aleanca me qeveritë fqinje, rregullon taksat dhe tatimet tregtare të zotërimeve të tij dhe qeveris me cilësinë e ligjvënësit, pa dhënë mundësinë për apelim. Ai mban në Kostandinopojë një numër agjentësh, grekë dhe turq, që mbështesin ndikimin e tij pranë Divanit dhe i hapin rrugën e pikëpamjeve të tij politike”. Tregues më të qartë për një sundim autonomy, gati të pavarur, për një sundues nuk mund të gjenden, shprehen udhëtarët anglezë. Brenda këtij territori udhëtarët anglezë vinin re me habi se fermanët perandorak nuk respektoheshin, ndërsa një letër me firmën e Aliut ishte si e një “zoti absolut”. “Një copë bujurdi e zubravitur, sa gjysma e dorës nga Janina, ka më shumë efekt sesa një feman i Portës, tre këmbë të gjatë”. Shtetasit shqiptar- shkruan Hollandi, duke përbërë mbështetjen kryesore të forcës së tij ushtarake, “janë pjesa më e rëndësishme e çdo pjesë tjetër e popullsisë së këtyre territoreve”. Shqiptarët, jo vetëm që përbënin “burimin e vërtetë të fuqisë së Ali Pashës”, por te popullsia shqiptare përveç “forcës ushtarake më efikase”, ai mund të gjente edhe “dashurinë dhe besnikërinë e popullit. I lindur mes tyre, i edukuar me zakonet dhe gjuhën e tyre dhe duke arritur të bëhet më i madh në saje të besnikërisë së tyre, shqiptarët janë krenarë për bashatdhetarin e tyre”. Të gjithë shqiptarët bile edhe ata që nuk i janë nënshtruar pushtit të tij, – shton Hobhausi, – flasin me entuziazëm për bashkëatdhetarin e tyre, por vdekja e tij mund të shkatërrojë çdo shpresë dhe bashkim për rezistencë.
(Fundi i pjesës II)
Timoleo GURI