
(Piktura nga Edward Lear)
Pozita gjeografike dhe strategjike e Shqipërisë dhe tokave shqiptare ka tërhequr vëmendjen e shumë vendeve të afërta dhe të largëta. Kjo është pasqyruar edhe në interesimin që kanë treguar për Shqipërinë udhëtarë të shumtë. Shumë nga këta udhëtarë kanë lënë shënime dhe përshtypje udhëtimi nga Shqipëria dhe janë ndarë me mbresa e vlerësime për banorët e saj, shqiptarët. Të tillë gjejmë që në kohët e lashtësisë greko-romake e deri tek udhëtarët e vonë, me kombësi nga më të ndryshmet. Të rëndësishme janë edhe të dhënat e udhëtarëve anglezë në gjysmën e parë të shekullit XIX për Shqipërinë dhe shqiptarët. Duhet theksuar se edhe përpara kësaj periudhe mund të kenë shkelur në trojet shqiptare udhëtarët anglezë, por për shumë faktorë si transporti, gjuha, qëndrimi për një kohë të shkurtër ose në territore të kufizuara, ka krijuar fragmentarizim të informacionit së këtyre udhëtarëve. Rritja e lëvizjes kombëtare në Ballkan, lëvizje të cilat po vinin në pozicion të vështirë të ardhmen e Perandorisë Osmane, shtonte interesimin e Fuqive të Mëdha të ndërthurura me çështjen e madhe të Lindjes. Me forcimin e pashallëqeve të mëdha kombësia shqiptare kishte hedhur një të rëndësishëm drejt shkëputjes së saj nga pushteti qendror Osman. Në vitin 1808 erdhi në Shqipëri edhe poeti i shquar romantik Bajroni, i cili gjatë një udhëtimi u frymëzua për të shkruar këngën e dytë të poemës së tij të bukur “Çajld Harold” kushtuar Shqipërisë dhe shqiptarëve. Krahas Bajronit mund të përmendim udhëtarët e tjerë anglezë që kanë vizituar Shqipërinë si Lik, Hobhaus, Holland, Hjuz, Best, Wrkhart, Spenser, Lejard, Lir etj. Në një prononcim të Holland lënë me shkrim, interes të veçantë ai i kushton prejardhjes së shqiptarëve ku ndër të tjera shkruan: “Zbulimi, sepse kështu gati mund të quhet, i një populli në rajonet malore të Ilirikumit dhe të Maqedonisë dhe në disa pjesë të Epirit antic, që ka qenë i dallueshëm përsa i përket gjuhës veshjes dhe zakoneve kombëtare, ka tërhequr natyrisht vëmendjen lidhur me prejardhjen e tij”. Udhëtimi i parë i Lejardit (personalitet politik dhe diplomatiksi dhe arkiolog i njohur për zbulimin e Ninivisë së lashtë) së bashku me mikun e tij Eduart Midfordin konfirmohet andej nga viti 1844 me intenerain Shkodër-Tiranë-Elbasan-Ohër të shoqëruar nga Hasan Pasha qeveritar i Shkodrës. Udhëtimin e dytë e kreu në pranverën e vitit 1844 në intenerain Shkup-Dibër. Ai takohet me prijësin e kryengritjes antiosmane Dervish Carën, me të cilin zhvilloi bisedë për të ulur armët kundër Turqisë me porosi nga Porta e Lartë. Po me këtë mision vjen edhe Edmund Spenser i cili për vite me rradhë ka qenë misionar aktiv i Forin Ofisit në vendet e Ballkanit. Në librin e tij shkruhet se e ka vizituar Shqipërinë në vitin 1847. Përshtypjet e tij janë se kudo, që nga Veriu e Jugu i Shqipërisë kishin shpërthyer kryengritjet antiosmane dhe dukej qartë edhe pse ai kishte ardhur për ruajtjen e Perandorisë Osmane, se sundimi turk në Shqipëri kishte marrë tatëpjetën. Gjatë periudhës maj-nëntor kalon nëpër Shqipëri piktori i njohur peisazhisti Eduart Lir (Eduard Lear). Në parathënien e librit të tij me përshtypje nga vizita në Shqipëri shkruhet: “Ditaret e një piktori peisazhist në Shqipëri” “Liri përmend udhëtarët kryesorë që kanë vizituar Shqipërinë para tij, si Bajroni, Likun, Hollandin, Hjuzin dhe Wrkhartin, veprat e të cilëve i konsideron vepra me vlerë për Shqipërinë dhe shqiptarët, sidomos ato të Likut prandaj është i mendimit se pak mbetet për të, si një piktor peisazhist, që të flaës për këtë vend.Megjithatë , për Krujën e Skënderbeut, për bregdetin e Himarës dhe për disa peisazhe të liqenit të Pogradecit, ai beson se është i pari udhëtar anglez që boton të dhëna. Udhëtari tjetër Lik jep argumentet e tij lidhur me prejardhjen e shqiptarëve mbështetur në dy plane; në planin historik dhe atë gjuhësor. Interesant është fakti se Liku është njohës shumë i mirë i historisë së lashtë të Greqisë dhe i Shqipërisë, ishte në të njëjtën kohë edhe arkiolog i apasionuar; megjithatë, tezat e tij për etnogjenezën e popullit shqiptar, ai nuk i shtrinë edhe në fushën e arkiologjisë, edhe pse në muzeumet e ndryshme të Londrës gjenden edhe sot koleksione objektesh të shumta të mbledhura prej tij, jo vetëm në Greqi, e gjetkë, por edhe në Shqipëri. Në planin historik ky udhëtar i drejtohet historisë së lashtë dhe asaj të mesjetës së Shqipërisë. Konsultimi i tij me autorët e lashtësisë e bëjnë këtë studiues të deklarojë me kompetencë se “gjatë tërë rrjedhës së historisë greke, që nga burimet e saj më të hershme e deri në rënien e Perandorisë së Kostandinopojës, ne gjejmë një popull të dallueshëm nga grekët nga raca dhe gjuha, që banon në pjesën veriperëndimore të vendit (Greqisë) dhe që shtrihet gjatë vargmaleve, që kufizojnë bregdetin ose ecin paralel me të.” Skylaksi e mëson këtë udhëtar anglez se në jug, ky popull arrinte deri Gjirin e Ambraskisë, ku ndodhej kufiri verior i pjesës veriperëndimore të Greqisë. Po ashtu Tuqiditi i bën atij të ditur se vendasit që banonin në kodrat në krye të këtij gjiri, ishin “barbarë”, duke nënkuptuar me këtë ata që flisnin një “gjuhë të ndryshme nga ajo e grekëve”. Po ky autor i sqaron atij se edhe populli i bregdetit të Epirit, përballë ishullit Sybota, ishte “barbar”, pra jo greqishtëfolës. Nga Straboni Liku mësonse fiset epirote ishin të përziera me fiset ilire dhe flisnin dy gjuhë. Por Liku vëren se kjo përhapje e gjuhës dhe kulturës greke në Epir dhe në pjesë të tjera të Ilirisë që më vonë u quajt Epiri i Ri, nuk ndodhi kurrë në atë shkallë që u vu re në Tesali dhe në Maqedoni”. Në vijim të këtij argumenti me karakter historik, ky studiues del në përfundimin se shqiptarët kanë prejardhje ilire. Pë të mbështetur këtë tezë ai u kërkon ndihmë argumentave gjuhësore, të nxjerra nga studimet filologjike të gjuhës shqipe, gjuhë të cilën ai e njihte më mirë se Thunmani (1774). Këto studime më vonë u shërbyen albanologëve të tjerë, nga Bopi deri te Majeri, për të përcaktuar në mënyrë të sigurt përkatësinë e gjuhës shqipe në familjen e gjuhëve indoevropiane. Ja çfarë thotë Liku lidhur me përfundimin e tij se shqiptarët kanë prejardhje ilire: “ky supozim në një pjesë të madhe konfirmohet prej atyre mbetjeve të një gjuhe të dallueshme, e cila formon bazën e dialektit të shqipes së sotme, dhe është për t’u vënë re se të gjitha fjalët që u ngjajnë atyre, me të njëjtën prejadhje, si dhe gjuhët e tjera të sotme, mund t’u kushtohen revolucioneve që prunë kaq shumë kombe të huaja në Shqipëri, ose në afërsi të saj, dhe se këto fjalë të huaja do të shihet se ekzistojnë në të njëjtën masë gjurmët e lëna në vend nga racat e ndryshme të huaja”. Kështu Liku analizon huazimet greke, latine, gote, sllave, frënge, italiane dhe turke në gjuhën shqipe, duke dhënë kohën kur ato kanë hyrë në gjuhën tonë, ndikimin që ato kanë patur mbi të dhe raportin që ato kanë me fondin bazë të shqipes. Liku nuk mund të mos vinte në dukje cilësitë e shkëlqyera luftarake të shqiptarëve, për të cilat na jep njoftimin e mëposhtëm. “Shpejtësia për të ecur në male (në një vend tjetër ai i quan shqiptarët “ më të shpejtë se Akili”, nëpër rrugë e shtigje për ne të pakalueshme, zotësia prej eksperti në përdorimin e pushkës, aftësia e të pamit, për të cilën atyre ua kalojnë vetëm arabët e shkretirës, vigjilenca dhe urtësia e tyre, zotësia në planifikim dhe vrulli në ekzekutim, manovrat më të stërholluara në veprimet e tyre të shkëputura luftarake, në disa raste janë krejt të pabesueshme, po të mos pranoheshin në mënyrë universale edhe prej armiqve të tyre”. Dashuria për atdheun te shqiptarët, sipas udhëtarit Hobhaus vihej re “në tërë popullin” dhe në një mënyrë të atillë që “bënte të zhdukte në një masë të madhe atë dallim aq të madhë në pjesë të tjera të Turqisë, midis pasuesve të dy feve të ndryshme. Kur banorët e provincave të Turqisë pyeten se çfarë janë? Ata të përgjigjen “jemi muhamedanë” ose “të krishterë”, ndërsa banori e këtij vendi të përgjigjet “jam shqiptar”. “Kurrë s’kam parë dashuri më të madhe për vendlindjen!” deklaron në fund të viteve 40-të udhëtari Mek-Farlein, për banorët e një fshati shqiptar në rrethinat e Shkupit, të cilët autoritetet turke kërkonin t’i shpërngulnin me forcën e bajonetave. Udhëtarët anglez nuk e ndajnë atdhetarizmin e shqiptarëve nga krenaria e ligjshme kombëtare, nga ndjenja e fuqishme e përkatësisë etnike, të cilën ata e quajnë nationality dhe e konsiderojnë si tiparin “më të theksuar” (most consipicious) në karakterin e tyre”. Krenaria kombëtare e shqiptarit shfaqej edhe në nderimin e thellë ndaj kujtimit të Skënderbeut. Përsa i përket trimërisë dhe guximit të shqiptarëve udhëtari Dagllas i quan ata “kurajoz proverbialë” (rageous to proverb), pikërisht është kjo “kurajo shtonë Hobhausi, – që ka qenë kurdoherë dhe është edhe sot, pjesë e karakterit të tyre”. Hobhausi do të vinte re tek këta shqiptarë se “tradhtia është një ves që vështirë se haset”. Prandaj thekson udhëtari anglez Spenser për shqiptarët se: ”kur japin fjalën ata nuk e thyejnë atë”. Bajroni fisnik i ndershëm anglez pohonte për ndershmërinë e shqiptarëve, ku midis të tjerash rastin me Dervish Tahirin në çastet e fundit të ndarjes me poetin, i flaku tej të hollat që i takonin dhe i tha atij: “nuk kërkoj të më paguash, por të më duash”. Për mikpritjen shqiptare Spenseri” e konsiderojnë si detyrën e parë të njeriut ndaj njeriut”, prandaj ai e siguron lexuesin me këto fjalë: “ le të bëjë një i huaj një vizitë te një shqiptar, qoftë ky zot i kullës ose i banor i varfër i kasolles së varfër dhe ai me siguri do gjejë te këta njerëz një mikpritje të përzemërt”, detyrën e mipritjes “e konsiderojnë aq të shenjtë saqë njeriut të cilit i kanë dhënë titullin e mikut, nuk i drejtohen me epitet tjetër veç me epitetin vëlla, për të cilin të gjithë janë të detyruar ta mbrojnë edhe me jetën e tyre” Udhëtari i fundit i gjysmës së parë të shekullit XIX që viziton Shqipërinë është G. F. Bouwn (G.F. Bown), anëtar i Kolegjit të Oksfordit. Në nëntor të vitit 1849, niset nga Thesalia dhe vjen për vizitë të shkurtër në Janinë. Në vlerësimët e tija në veprën e tij “Mali Athos, Tesalia dhe Epiri, Ditar udhëtimi”, më tepër jep mendimet e të tjerëve për Shqipërinë si një vend i “trazuar” nga revoltat dhe i degraduar prej keqqeverisjes së gjatë”.
Fundi i pjesë së parë
Nga Timoleo GURI