
Arkitektura popullore shqiptare dallohet jo vetëm për zgjedhje të përkryera tipesh banesash ose ansamblesh të veçanta, por edhe për vlerat e saj në planin urbanistik. Dy prej qyteteve më të njohura të Shqipërisë muzeale, Gjirokastra dhe Berati, ruajnë mirë trashëgiminë dhe fizionominë që morën në gjysmën e parë dhe në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Banesat e këtyre dy qyteteve janë të lidhura pas shkëmbit dhe është zgjedhur materiali i gurit, gjë që tregon aftësinë ndërtimore dhe inteligjencën e zgjidhjes racionale e funksionale të ideatorëve, të cilët e kanë pagëzuar këtë lloj arkitekture.
Mjeshtrit e talentuar kanë njohur mirë materialin, përshtatjen e ndërtimit me terrenin dhe lidhjen me ambientin përreth, duke synuar të ruajnë karakterin dhe proporcionalitetin; ata kanë ditur t’i kapin me intuitë të mprehtë dhe me një ndjenjë të kultivuar estetike shprehje këto të një arkitekture të bukur e me vlerë. Pra, duhej zgjedhur banesa si në formë edhe në përmbajtje, në mënyrë aq harmonike me terrenin e pjerrët, sa nëse Beratin e quajmë qytetin e “një mbi një dritareve”, qytetin e Gjirokastrës e quajmë qytetin e “njëmijë shkallëve”.
Lartësia, si përfaqësim i dialogut komunikativ të përjetshëm, i ka shkëputur këto dy qytete nga ansamble të tjera arkitekturore me qytetet shqiptare. Ndjehet një frymë tjetër dhe ka tipare të ndryshme nga njëri qytet te tjetri. Ndërsa qyteti i Beratit shtrihet në gjerësi horizontalisht, krijon idenë e një qyteti të madh, të ngrohtë e miqësor, por me ndërtime pak më të ulëta, të harmonishme dhe më të lehta, Gjirokastra me 8 kodrat e dala nga gjoksi i Malit të Gjerë, si një kështjellë në formë anijeje, i qëndron si kurorë qytetit.

Kalaja, si një ngrehinë ushtarake, u bë edhe shërbesa e legjendës së Argjiro Menevizës (princesha me një gji të vetëm), e cila, për të mos rënë në duart e turqve, u hodh nga maja e kalasë dhe u bë copa-copa. Emri i këtij qyteti ka ende dilemat e tij, sepse ujdhesat historike, ndonëse të shumta, qysh në kohën e Homerit, tregojnë se poeti grek në vargun 1117 shkruan se qyteti është ngritur nga fisi i Agjirinëve, sepse kalaja, nga ngjyra e gurit, ndriste si argjendi. Kronisti bizantin Johan Kantakuzeni shkruan për Agyrokastron e sunduar nga familja feudale Zenebishi. Për Gjin Bua Shpatën ekziston një ide se ai e krijoi qytetin, pasi kishte qenë qeveritar në Nartë. Marin Barleti, 36 vjet pas vdekjes së Skënderbeut, ka shkruar: “Në kohën e rrethimit të Beratit prej Skënderbeut, GIROKASTRUM ndodhej në duart e turqve.”
“Banesat me kulla të larta, me çati prej guri në formë katrore”, shkruan Evlia Çelebiu. Ali Pashë Tepelena u kujdes që të kryente punime të reja fortifikuese në kala në vitin 1811 dhe ndërtoi një ujësjellës 12 km të gjatë, që merrte ujë nga mali i Sopotit. Këtë ujësjellës e memorizoi me skicat e tij piktori i shquar anglez Eduard Liri.
Janë të shumtë studiuesit që kanë shkruar për Gjirokastrën, ndaj edhe arkitekti Andi Papastefani, i cili ka kaluar sprova me dy librat kushtuar qyteteve të Tiranës dhe Beratit, është joshur për të na sjellë në duart tona edhe librin me skica kushtuar qytetit të Gjirokastrës. Andi ecën me skicat e tij ndër lagjet e qytetit muzeal, të mbrojtur nga UNESCO. Libri ka paraqitje serioze dhe është i kuruar me mjeshtri, duke qenë ndër të vetmit libra deri më sot, në të cilin, krahas çdo faqeje shpjeguese historike në gjuhën amtare dhe në atë angleze, çdo skicë shoqërohet me elementë informimi për llojin e ngjyrave dhe objektet përfaqësuese.
Papastefani e ka trajtuar me shumë dashuri dhe intuitë artistike këtë qytet, duke e filluar me kapitullin aq simbolik “Qyteti i siluetave të gdhendura në gur” dhe, siç e pohon edhe vetë, ky libër është në stilin e librave të ilustruar nga autorë si Eduard Lear në shekullin XIX dhe Albert Laprade në shekullin XX, ku peshën kryesore e mbajnë imazhet. Autori i librit ndjen peshën mbresëlënëse historike të qytetit mesjetar, të lidhur ngushtësisht me luginën e lumit Drino.
Ngjyrat e hirta, vizatimet me tush, pastel, laps dhe flamaster mbizotërojnë në këtë libër. Ato konturojnë një vëllim hapësinor të ansamblit të ndërtesave qytetare të çdo lagjeje, me një këndvështrim të ri, edhe për shkak të ndikimit të shumë historianëve dhe shkrimtarëve që kanë shkruar për këtë qytet, midis tyre padyshim edhe shkrimtari ynë i përmasave botërore, Ismail Kadare. Lagjet Pazar i Vjetër dhe Pllakë, të paraqitura me ngjyra të ftohta në teknikën pastel, laps dhe flamaster, japin ndjesinë e qetësisë dhe mendimit; kështu, siç na është dhënë nga autori, krijojnë thellësi dhe madhështi vizuale.
Kalimi në variante të ndryshme të imazhit i jep një ndjenjë më intime dhe ngrohtësie gjithkujt që shijon pamjet në brendësi të kalasë apo të Muzeut të Armëve. Këto interiere të lakuara, të realizuara me mjeshtëri nga ndërtuesit shqiptarë, tregojnë edhe shkallën e qytetërimit të tyre. Ngjyrat që ka zgjedhur Andi Papastefani në rastin e Muzeut, ndonëse me teknikën e pastelit, lapsit dhe flamasterit mbi letër ngjyrë kafe, japin arsyen e një gjendjeje emocionale për t’u zhytur thellë në histori. Ai ka ditur të komunikojë me ngjyrën në çdo skicë, për të dhënë nga njëra te tjetra vibrime të ndryshme emocionale.
Objekti përfaqësues i çisternës nën shtëpitë e Gjirokastrës është dekoruar me një teknikë pastel, laps dhe flamaster mbi letër ngjyrë gri të errët, që harmonizon me ngjyrën e qytetit. Porta e banesave të Papadhopullit, Pano Zotos dhe Kikinove kanë karakteristikat e tyre në raport me vendosjen drejt kalasë, e cila sinjifikon ngritjen e qytetit. Të ndryshme, por të gjalla, vijnë pamjet e xhamisë së Haxhi Muradit në lagjen Meçite dhe të kishës së Shën Sotirit në lagjen “Pazar i Vjetër”, të paraqitura në tre pamje.
Andi Papastefani, në këtë libër, ka zgjidhur si profesionist i arkitekturës tre elementë kryesorë: së pari, përcjell informacionin historik të qytetit, lagjeve, banesave dhe interiereve; së dyti, e ka trajtuar informacionin turistik edhe si guidë të qytetit, në çdo kapitull e nënkapitull, gjë që e bën lexuesin më të vëmendshëm; dhe së treti, variantin e skicimit, të cilin e ka pasuruar me shumë ngjyra në funksion të simbolikës, por edhe të shkëputjes nga monotonia kromatike.
Në paraqitjen e dhomës tradicionale në banesën Vebiu, autori ka ditur të japë si vëllimin, ashtu edhe hapësirën e objektit me mobilimin dhe orenditë e tij. Në pamjet e tjera, si “Pazari i Ri” dhe “Qafa e Pazarit”, ngjyrat e ftohta në teknikën pastel, laps dhe flamaster komunikojnë po aq sa edhe siluetat e banorëve, duke treguar se qyteti fillon të zgjohet dhe duke ngjallur te lexuesi një ndjenjë shprese për të ardhmen, pse jo edhe kulturën për të ruajtur trashëgiminë e këtij qyteti, larg shëmtisë që ka sjellë betonizimi urban.
Lagjen Palorto, autori na e përcjell me një përshkrim të gjerë, si një lagje që shtrihet në një terren të pjerrët në formë pllaje të gjerë, me Malin e Gjerë në sfond. Tipar karakteristik i banesave është karakteri mbrojtës: vendndërtimi i tyre shkallëzohet me tarraca për të akomoduar banesën, oborrin dhe kopshtin. “Sokaku i të Marrëve”, banesa e Zekatëve, e Skëndulajve, banesa Kokalari, Totozani, Fico dhe Muzeu Etnografik nuk mund të liheshin jashtë këtij libri. Papastefani, në këtë areal magjik të qytetit, ka ditur të godasë në shenjë.
Autori është shprehur me respekt të veçantë për pasurinë e lënë nga brezat e arkitektëve të Gjirokastrës, që nga italiani Vitaliano Poselli në vitin 1927 e deri te arkitekti Skënder Kristo Luarasi, i cili projektoi në vitet 1939–1940 e në vijim. Ata aplikuan arkitekturë moderne, duke përdorur materiale dhe teknika të reja. Është kjo periudhë kur futet ngjyra e kuqe në çatitë prej guri të ndërtesave të reja, në harmoni dhe dialog me individualitetin stilistik të qytetit. Siç thotë Papastefani, ata ruajtën individualitetin tipologjik pa qenë nevoja të sforcohen, duke fragmentuar këto objekte.
Andi Papastefani, ky student i dalë nga shkolla shqiptare në Fakultetin e Arkitekturës në Tiranë, më pas i pasuroi dijet e veta në Landscape Institute/Arnold Arboretum of Harvard University/Boston Architectural College dhe studioi për Rijetëzimin Historik në të njëjtin universitet. Në rrugën e tij 40-vjeçare si pedagog, ai përdor skicat urbane si mjet komunikimi dhe dokumentimi në shërbim të brezave.
Nga Kastriot KOTONI