Monday

27-10-2025 Vol 19

Në kalendarin e kujtesës. 12 Shtator 1990: Kur nisën të rroknin duart dy Gjermanitë

Përkujtim për ditën që hapi rrugën e bashkimit. Një marrëveshje historike që jo vetëm bashkoi Gjermaninë, por frymëzoi edhe popujt e tjerë ish-komunistë të ëndërronin liri, demokraci dhe një të ardhme evropiane të përbashkët.

Në histori, ka data që thjesht ndodhin dhe ka të tjera që ndriçojnë epoka.

12 Shtatori 1990 është një nga ato data që nuk shënohet thjesht me bojë në kalendar, por me ndjenjë në ndërgjegjen e një kombi.

Në këtë ditë, u nënshkrua Traktati “Dy plus Katër”, marrëveshja e madhe që hapi rrugën për bashkimin përfundimtar të Gjermanisë, pas më shumë se katër dekadash ndarjeje të dhimbshme.

Në letër, ky ishte një akt diplomatik mes dy shteteve gjermane; Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës Demokratike Gjermane, me katër fuqitë fituese të Luftës së Dytë Botërore: SHBA, Bashkimi Sovjetik, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, por në thelb, ky ishte një akt njerëzor, një kthesë që vulosi fundin e Luftës së Ftohtë dhe la pas epokën e mureve, perdes së hekurt dhe kufijve të pashkelshëm në mes të një kombi të vetëm.

Për dekada me radhë, Gjermania ishte plagë e vetvetes, e ndarë me dhunë, e kontrolluar nga ideologji të kundërta, e mbajtur pezull në një tension që frymëzonte frikë.

Rënia e Murit të Berlinit në nëntor 1989 ishte shpërthimi i parë i asaj shprese të shumëpritur. Por ishte 12 shtatori i vitit 1990 që e bëri bashkimin të pakthyeshëm dhe të njohur ndërkombëtarisht. Aty nuk u bashkua vetëm një territor, u bashkua një popull. U rikthye liria në vend të kontrollit, e drejta për të udhëtuar, në vend të telave me gjemba dhe mbi të gjitha, e drejta për të qenë një.

Kjo ditë është shembull për botën, ajo tregon se nuk ka ndarje që nuk mund të shërohet, nuk ka mur që nuk mund të bjerë, kur përballë qëndron vullneti i njeriut për bashkim, paqe dhe dinjitet.

Gjermania nuk u ribashkua vetëm me hartë, por me shpirt, me dëshirën për të jetuar në paqe me vetveten dhe me fqinjët. Kjo arritje u bë me maturi politike, diplomaci të mençur dhe mbi të gjitha me forcën e popullit që nuk reshti së besuari në ndryshim.

Sot, më 12 shtator 2025, kujtojmë me nderim këtë gur themeli të historisë evropiane. Nderojmë të gjithë ata që punuan në heshtje apo me zë të lartë për të sjellë bashkimin. Mësojmë se paqja nuk është dhuratë, është zgjedhje dhe besojmë se bashkimi i së ardhmes është gjithmonë më i fortë se ndarja e së kaluarës.

Nga Borea Lisi

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *