Monday

27-10-2025 Vol 19

Oliver Cromwelli: “Në emër të Zotit, largohuni!”

Nga Klodi STRALLA

Si nuk doli edhe tek ne, një personalitet moral si Oliver Cromwelli?!

Me rastin e hapjes të sesionit të ri parlamentar, të dalë nga “zgjedhjet” e 11 majit, po ju sjell për lexim fjalën që mbajti në Parlamentin britanik, Oliver Cromwelli, në prill të vitit 1653, përkthyer mjeshtërisht nga miku im, Lluka Qafoku. Pas kësaj ligjerate ai, me fuqinë që i jepte virtuti personal, e shpërndau atë parlament vesi, për të mos u mbledhur më, veç pas shumë vitesh.

Cromwelli u drejtohet parlamentarëve të kohës të tij, aq të ngjashëm me parlamentarët tanë, ndonse nga ajo kohë kanë kaluar afro 4 shekuj. Të paskrupuj, interesaxhinj, sharlatanë e injorantë, vemje të partive politike, që për yll polar kanë veç interesat e tyre të ngushta, personale e fisnore.

Si nuk doli edhe tek ne një njeri si Cromwelli që t’ua përplasë në sallën e Parlamentit të vërtetë këtyre birbove, injorantë, pa dinjitet e personalitet vetiak, e kundërta e atyre virtuteve që u dikton ligji dhe detyra që mbajnë. Mesa duket na mungon virtuti e na ka mbuluar vesi!

“Në emër të Zotit largohuni! Hiqmuni shpejt nga sytë!

Qërohuni këtej, ju skllevër të vesit! Ka ardhur koha për mua t’i jap fund qëndrimit tuaj në këtë vend, që ju e keni turpëruar duke treguar përbuzje për të gjitha virtytet dhe e keni njollosur me të gjitha veset tuaja!

Ju jeni një tufë përçarësish dhe armiq të çdo qeverisjeje të mirë.

Ju jeni një bandë mjerane mercenarësh, që do ta shisnit vendin tuaj si Esau për një lugë çorbë e njëlloj si Juda do ta tradhtonit Zotin tuaj për tridhjetë aspra.

A ju ka mbetur më ndonjë thërrime virtyti?

A ka mbetur ndonjë ves që ju të mos e keni?

Ju nuk jeni më shumë fetare se kali im! Paraja është Zoti juaj. Kush prej jush nuk e ka shitur ndërgjegjen për rryshfet?

Ju jeni bërë të urrejtshëm e të padurueshëm për të gjithë kombin! Ju ishit dërguar këtu nga populli për të lehtësuar fatkeqësitë e tij, por u kthyet ju vetë në fatkeqësinë e tij më të madhe! Ndaj dhe vendi juaj më bën thirrje ta pastroj këtë stallë të Augjisë, duke i dhënë fund një periudhe të procedurave tuaja të padrejta në këtë Dhomë dhe që, me ndihmën e Zotit dhe me fuqinë që ai më ka dhënë, kam ardhur ta kryej tani.

Ndaj dhe po ju urdhëroj që për të shpëtuar lëkurën, të dilni menjëherë nga kjo sallë, të çoheni e të dilni jashtë! Hiqmuni shpejt nga sytë! Qërohuni këtej, ju skllevër të vesit!

Shporruni! Hiqeni andej atë skeptër vezullues dhe mbyllini dyert!

Në emër të Zotit!”


P.s.: Oliver Cromwell (1599–1658) ishte një figurë kyçe në një nga periudhat më të turbullta në historinë angleze. Një udhëheqës ushtarak i vendosur puritan dhe i aftë, Cromwell u ngrit në pah gjatë Luftës Civile angleze si komandant i Ushtrisë, e cila luftoi kundër mbretit Charles I dhe forcave mbretërore. Pas ekzekutimit të mbretit në 1649, Anglia u bë Republikë, dhe Cromwell përfundimisht doli si forca e saj politike dominuese. Më 20 prill 1653, i pakënaqur me atë që e pa si korrupsion dhe joefikasitet, Cromwell u fut në Dhomën e Commons dhe shpërndau Parlamentin e Gjatë me mbështetjen e ushtarëve të armatosur – një akt i guximshëm dhe i paprecedentë. Më pas ai vendosi Protektoratin dhe sundoi si Zot Mbrojtës i Komonuelthit të Anglisë, Skocisë dhe Irlandës. Edhe pse i përshëndetur nga disa si kampion i lirisë dhe sundimit parlamentar, Cromwell mbahet mend gjithashtu për qeverisjen e tij autoritare dhe fushatat e ashpra ushtarake, veçanërisht në Irlandë. Trashëgimia e tij mbetet thellësisht polarizuese mes republikanëve dhe rivalëve të tyre, monarkistëve.

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *