
Firmëtari i Pavarësisë që i dha zë diplomacisë shqiptare
Dhimitër Berati u nda nga jeta më 8 shtator 1970, në Romë, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar kombëtare dhe kulturore. Ai mbetet një ndër figurat e shquara të historisë shqiptare, një ndër ata burra që i dhanë formë shtetit të ri shqiptar, në ditët më të trazuara të ekzistencës së tij.
Si një ndër firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë në Vlorë, më 28 nëntor 1912, emri i tij është skalitur përjetësisht në themelet e shtetit shqiptar. Pena e tij, e mprehtë dhe e pasionuar, i shërbeu jo vetëm publicistikës, por edhe formimit të ndërgjegjes kombëtare. Gazetari i angazhuar, intelektuali i pavarur, njeriu i kulturës, të gjitha këto bashkë u shkrinë në figurën e tij.
Në shërbim të diplomacisë shqiptare, Berati ishte sekretar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris (1919), ku u ngrit në këmbë për të mbrojtur kufijtë, dinjitetin dhe të drejtën e Shqipërisë. Ai ishte pjesë e brezit të diplomacisë shqiptare që e kuptoi herët se fjalët dhe argumentet janë armë po aq të forta sa pushka, kur përdoren për të mbrojtur një kauzë të drejtë.
Jeta e tij ishte shembull përkushtimi ndaj atdheut. Nga gazetaria te diplomacia, nga veprimtaria politike te mbrojtja e çështjes kombëtare në arenën ndërkombëtare, Dhimitër Berati mbetet një figurë që mishëron shpirtin e rilindjes së vonë shqiptare.
Sot, emri i tij kumbon si një kujtesë e gjallë: pa kulturë nuk ka shtet, pa diplomaci nuk ka dinjitet, pa sakrificë nuk ka pavarësi.
Në ditën e ndarjes nga jeta, përkulemi me nderim përpara figurës së tij.
Nga Borea Lisi