Në Himarë, amaneti nuk është fjalë e thjeshtë, është rrënjë. Himariotët e lënë me zemër vendimin për banesën e fundit: aty ku shikimi prek gurët e shtëpisë, kujtimet e fëmijërisë dhe panoramën e vendlindjes. Është një ritual shqiptar, një mall që nuk shuhet, një lidhje që nuk tretet nga koha. Amaneti nuk tretet nga dheu, ndaj lutemi që të vihet në vend.
Pelegrinazhi në përvjetorët e Taqo Anagnostit, Petro Markos, Lefter Çipës dhe të tjerëve është më shumë se kujtim: është një rikthim shpirtëror në “Himarën, lulen e vilajetit”, siç e këndojnë vargjet e këngës.
Qofsh i paharuar, maestro Anagnosti! Filmografia jote është një monument i gjallë i shpirtit shqiptar. Kudo që ndodhen shqiptarët, larg apo afër, në ekranin e filmave të tu do kërkojnë identitetin e tyre, rrënjët, historinë.
Në botën e hapur, ti do të vlerësohesh si kineast i nivelit botëror. Kritika do të shkruajë për ty gjatë, me respekt dhe admirim. E kujtoj ende kur në televizionin italian RAI Uno, përpara vitit 1988, ndoqa filmin shqiptar “Në shtëpinë tonë”, në orën 17:00. Ishte një moment krenarie, një dritare e vogël për një botë të madhe…
Kjo ditë zie, e shpallur nga qeveria në nder të emrit tënd DHIMITËR ANAGNOSTI që ti e gdhende me gërma të arta, është një akt respekti për të gjithë artistët shqiptarë ndër breza.
Mirënjohje. Mirënjohje. Mirënjohje. U prehsh në paqe!
Sot, të gjithë shqiptarët jemi Anagnost’…
Kastriot KOTONI