Umberto ECO
SHËMTIA
Ndërsa gati në çdo shekull filozofët dhe artistët kanë shkruar idetë e tyre mbi të bukurën, nuk ka tekste të rëndësishme mbi idenë e së shëmtuarës, përveç disave, si “Estetika e së shëmtuarës” të Karl Rozenkrancit (1853). Gjithsesi, e shëmtuara është parë gjithnjë në marrëdhënie me të bukurën- e Bukura dhe Bisha në format e veta të ndryshme- pra, me të caktuar një kriter të bukurisë është shfaqur automatikisht caktimi i kriterit përgjegjës të shëmtisë: “Vetëm e bukura bën simetrinë, shëmtia përkundrazi, e prish simetrinë” (Jeta e Pitagorës). Nëse për të bukurën duhen tri veti- së pari integriteti apo përsosmëria- atëherë gjërat e paplota, si të të tilla, ‘turpia sunt’ Janë të shëmtuara) (Tomas Akuini). Dhe komenton Gulielmi i Overnjës: “I themi i shëmtuar dikujt që ka tre sy apo një sy të vetëm.”
Ashtu si e bukura, pra, e shëmtuara është koncept relativ.
E shëmtuara është përkufizuar shumë mirë nga Marksi tek “Dorëshkrimet ekonomiko- filozofike” (1884) duke folur për paranë, por së këtejmi, ne mund të kuptojmë edhe pushtetin.
Marksi thotë:
“Unë jam i shëmtuar, por mund të blej gruan më të bukur. Pra, nuk jam i shëmtuar, përderisa efekti i shëmtisë, fuqia e saj dekurajuese, është asgjësuar nga paraja. Si individ unë jam sakat, por paraja më jep njëzet e katër këmbë: nuk jam pra sakat. Unë jam njeri i prapë, i ulët, pa ndërgjegje, pa karakter, por paraja është e nderuar, pra i tillë është edhe i zoti i saj (…) Unë jam budalla, por paraja është inteligjenca e vërtetë e çdo gjëje: si mund të jetë budalla i zoti i saj? Veç kësaj, ai mund të blejë personat inteligjentë (a s’është e vërtetë: shumë njerëz kanë blerë vetëm budallenj, por kjo është tjetër histori) dhe kush ka pushtet mbi personat inteligjentë, a nuk është ai më inteligjent se njeriu inteligjent?”
(“Sulle spalle dei giganti”, Eco)
Përktheu Zija VUKAJ