Monday

27-10-2025 Vol 19

Shtatori mori Anagnostin, por jo artin e tij

Shtatori erdhi sot me një ngarkesë të pazakontë emocionale për Shqipërinë. Ndërsa vendi u përball me stuhi të forta, reshje të dendura dhe aksidente rrugore tragjike, dhimbja më e thellë u ndje në shpirtin e artit shqiptar. Humbja e artistit të popullit Dhimitër Anagnosti, do të lerë një boshllëk të ndjeshëm në memorien kulturore të vendit. Kjo figurë e shquar, e cila i dha artit shqiptar dimensione të reja, u largua në një periudhë që duket se përsërit një ekuinoks të dhimbshëm: çdo pesë apo dhjetë vjet, Shqipëria humb njerëz të mëdhenj nga fusha të ndryshme të jetës, duke na kujtuar se koha nuk kursen as më të ndriturit…

Dhimitër Anagnosti nuk ishte thjesht një regjisor. Ai ishte një institucion më vete, një pikë referimi për brezat e rinj që e shihnin kinemanë si një formë të lartë të shprehjes artistike dhe identitare. Me një përkushtim të rrallë ndaj disiplinës artistike dhe një ndjeshmëri të hollë për detajet, Anagnosti arriti të krijojë një gjuhë filmike që komunikonte me publikun shqiptar në mënyrë të thellë, por që njëkohësisht fliste edhe me botën. Filmat e tij, si “Lulëkuqet mbi mure”, “Në shtëpinë tonë” dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, nuk ishin thjesht vepra kinematografike – ata ishin pasqyra të shpirtit shqiptar, të dilemave, të krenarisë dhe të dhimbjes së një populli që kërkon të kuptojë veten.

Në filmat e Anagnostit, shqiptari nuk është një figurë e thjeshtë – ai është kompleks, i brendshëm dhe i jashtëm, i ndjeshëm dhe luftarak, i përvuajtur dhe krenar. Lirizmi dhe epopeja janë dy shtyllat mbi të cilat mbështetet arti i tij, duke krijuar një balancë të rrallë mes ndjenjës dhe veprimit. Ai nuk pyeste për cenet biografike të artistëve, por përkushtohej ndaj veprës, duke zgjedhur ata që kishin vërtetë diçka për të thënë përmes artit. Kjo qasje e tij e bëri të veçantë në një kohë kur kompromiset ishin të zakonshme dhe kur arti shpesh duhej të lëvizte brenda kufijve të ngushtë ideologjikë.

Himara, vendlindja e shumë kujtimeve dhe frymëzimeve, u shfaq në filmat e tij si një vend i shenjtë, një bibël e gdhendur në ar, e mbushur me dhimbje, lot dhe rezistencë. Përmes panoramave të saj, Anagnosti solli një estetikë që rivalizonte rivierat më të njohura botërore, duke e bërë Shqipërinë të duket si një vend i artit dhe i shpirtit të lartë. Ai konkurroi me veprën e Kadaresë dhe me regjisorët më të mirë të botës, duke e vendosur filmin shqiptar në një nivel të ri, të denjë për vëmendjen ndërkombëtare.

Karriera e tij është një testament i pasionit, përkushtimit dhe vizionit. Si një artist polivalent, që njihte mirë kamerën, skenarin dhe ritmin e tregimit, ai u bë një autor i vërtetë filmi – një fenomen i rrallë në kinemanë botërore. Popujt që e kanë kulturën si tempullin e tyre më të çmuar, e vuajnë thellë humbjen e figurave të tilla. Dhe Shqipëria, që ka nevojë më shumë se kurrë për modele të tilla, duhet ta përkujtojë Anagnostin jo vetëm me fjalë, por me vepra.

Nëse dikur mbilleshin pemë në kujtim të artistëve të “Teatrit Popullor”, sot është koha për të menduar seriozisht për ngritjen e një “Muzeu të Artit Shqiptar”. Duhet të ndalojnë qokat për oligarkët dhe t’i jepen hapësirat publike artit. Nuk mund të vazhdojmë të marrim me qira toka nga privatët për aktivitete artistike, e aq më pak të gjejmë justifikime për të mos ngritur një muze të tillë. Vepra e Dhimitër Anagnostit është një thirrje për reflektim, për kujtesë dhe për veprim. Në vendin e shqiponjave, biseda për artin është qielli ku lartësohen shpirtrat e artistëve – engjëj që nuk i kemi më mes nesh, por që na kanë lënë një trashëgimi të pashlyeshme.


Nga Kastriot KOTONI

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *