“Përpjekja Shqiptare” (tetor, nëntor 1936) botoi në shqip shkrimin e filozofit francez Raymond
Aron (filozof, sociolog, gazetar dhe mendimtar politik francez, i njohur si një nga kritikët më të
fuqishëm të totalitarizmit në shekullin XX), me titujt e përshtatur “Hitlerizma dhe ideologjia e saj”
dhe “Ku vete Gjermania e Hitlerit”.
Në to Aron analizonte mekanizmat e brendshëm të nazizmit, duke e parë si një formë të re totalitare
që synonte ta pushtonte individin dhe shoqërinë në tërësinë e saj. Raymond Aron e kuptoi herët se
nazizmi ishte një sinjal alarmi për çdo shoqëri që e humb lirinë e saj politike, që e ngre udhëheqësin
në kult dhe që e shndërron pluralizmin në farsë dhe jo thjesht një “eksperiment gjerman”. Ai e
përshkroi totalitarizmin si një formë radikale e organizimit politik, ku:
- ideologjia bëhet absolute;
- partia-shtet vendos kontroll të plotë mbi shoqërinë;
- qytetari zhvishet nga autonomia morale dhe politike;
- udhëheqësi kthehet në figurë shpëtimtare;
- opinioni publik shkatërrohet dhe masa manipulohet.
Raymond Aron, që në vitin 1936, i paralajmëroi evropianët për rreziqet e totalitarizmit. Fjalët e tij
tingëllojnë si kambana alarmi edhe sot. Zgjedhjet që shndërrohen në farsë, janë kambana që bien.
Parlamenti që hesht para liderit, është kambanë që bie. Qytetari që mbron me fanatizëm partinë dhe
jo lirinë e vet, është kambanë që bie. Arti, arsimi e media që bëhen vegla propagande, janë kambana
që bien.
Demokracia e brishtë mund të zëvendësohet nga një totalitarizëm i butë, i ngjyrosur me fasadën e
pluralizmit, por i mbushur me thelbin e arbitraritetit. Historia nuk përsëritet kurrë në të njejtën
mënyrë, por gjithmonë i ndëshkon ata që harrojnë mësimet e saj.
Totalitarizmi i shekullit XXI nuk ka tanke, por tendera, nuk ka pushkatime, por linçime publike,
nuk ka burgje politike, por varfëri që i mban njerëzit të përulur e të frikësuar.
Regjimet totalitare nuk lindin vetëm në errësirë, ato ngjizen edhe në dritën e demokracive të
rrënuara, aty ku njerëzit janë lodhur, apatia është normalizuar dhe propaganda është kthyer në
realitetin e vetëm që besohet.
Kur shteti identifikohet me një njeri të vetëm, kur e vërteta është ajo që thotë pushteti dhe kur
shoqëria mbijeton në frikë, ne nuk jemi më të lirë. Ne jemi të pushtuar, jo nga një fuqi e huaj, por
nga vetë indiferenca dhe dorëzimi ynë.
Kambanat po bien për lirinë që po shuhet, për drejtësinë që është kthyer në shërbëtore të politikës,
për brezat që po ikin pa kthim.
Totalitarizmi nuk është thjesht një e shkuar e dhunshme, por një rrezik që rishfaqet sa herë që
qytetaria fle, liria ngatërrohet me kaosin dhe pushteti identifikohet me shtetin, se manipulimi fillon
gjithmonë me një iluzion të bukur dhe se demokracia vdes jo me një krismë, por me një
duartrokitje.
Historia nuk është kurrë një relike e qetë e së shkuarës, ajo është një pasqyrë që reflekton rrezikun e
së tashmes. Kur Raymond Aron analizoi nazizmin, ngriti një kambanë alarmi për çdo shoqëri që do
të lejonte rrëshqitjen drejt autoritarizmit. Ai e pa nazizmin jo vetëm si një ideologji racore, por si
një model totalitar, ku zgjedhjet, parlamenti dhe fjala e lirë nuk ishin më asgjë përveçse dekor.
Totalitarizmi nuk vjen gjithnjë me këmbë të rënda, ndonjëherë ai vjen si një rrëshqitje e ngadaltë,
ku hap pas hapi liria shndërrohet në iluzion, ndërsa pushteti përqendrohet në pak duar.
Kambanat po bien gjithnjë e më fort, po kush i dëgjon?
A ka vesh më të shurdhër se ai që refuzon të dëgjojë?! A ka shpirt më të robëruar se ai që justifikon
shtypjen?!
Kjo nuk është thjesht krizë politike, është krizë e ndërgjegjes kombëtare. Totalitarizmi nuk ka
nevojë për tanke kur ka propagandë, nuk ka nevojë për dhunë kur ka nënshtrim të vullnetshëm, nuk
ka nevojë për dogma kur njerëzit kanë pushuar së menduari.
Nga Borea Lisi