Shpesh e më shpesh dëgjojmë rënkime dhe vajtime për momentet e fundit të jetës së artistëve tanë nga të gjitha fushat e artit. Dyshoj se ky shkrim mund të keqkuptohet, por fjalën e kam këtu: ndryshe nga regjimi i kaluar, kur flitej për sportin dhe artin, çfarë ka bërë shteti shqiptar në këto dekada?
Është skandaloze që ende sot, pas 34 vjetësh, nuk kemi arritur të hartojmë një ligj të qartë për sponsorizimet në sport, art dhe kulturë. Zhvlerësimi i figurës së artistit dhe sportistit është, në fakt, një strategji kriminale që synon të shkëpusë lidhjen shpirtërore të këtij populli me vetveten.
Filantropia nga biznesmenë të ndryshëm në Shqipëri është një akt që kërkon dekada për t’u njohur e vlerësuar. Dikur, ata që ngritën lavdinë e artit dhe sportit ishin njerëz plot pasion, që shkrinë pasurinë e tyre për të ndërtuar themelet e këtyre dy shtyllave të identitetit kombëtar.
Sot shohim emra resortesh nga ndërtues të ndryshëm, por si nuk i shkon ndërmend dikujt të ndërtojë një qendër banimi apo rezidencë për artistët dhe sportistët e niveleve të larta? Artistët dhe sportistët janë telendisur, janë rreshtuar në aksione vullnetare, dhe përsëri kanë qenë modele dhe mite të shoqërisë.
Popujt e vegjël, sado të armatosur apo të zhvilluar ekonomikisht, kanë një armë të vetme për ekzistencën e tyre: kulturën dhe sportin. Imazhi i kombit ndërtohet përmes tyre. Nuk është e denjë që familjet e artistëve dhe sportistëve të luten për ndihmë. Duhet hapur rruga për investime publike-private në kulturë dhe sport, që jeta e tyre të jetë më dinjitoze, dhe arti e sporti të shihen jo vetëm si industri argëtimi, por si qëllime strategjike të kombit.
Stadiumet dhe sallat e teatrit janë çështje kombëtare. Por sot, më shumë se kurrë, nevojitet një strategji kombëtare e mirëstudiuar, që të dimë ku ishim, ku jemi dhe ku duam të shkojmë.
Sot po shterojnë talentet që duhet të ndjekin shkollat e muzikës, dramës dhe pikturës. Edhe në sport ka rënë ndjeshëm numri i nxënësve dhe studentëve. Arti dhe sporti po shihen si profesionet më pak të paguara, dhe nëse nuk i bien sirenave të alarmit sot, nesër do të jetë tepër vonë.
Kursimet shkojnë për kurse private, për ekipe private sportive. Është krijuar një model stanjacioni me nivel të ulët, ku edhe arti ka degraduar, edhe sporti po ashtu. Ekipet janë mbushur me sportistë të huaj.
Ku shkuan të gjitha ato donacione nga bota, paratë, trajnimet dhe shkollimet e njerëzve në këto 34 vjet?
Çfarë produkti kemi sot? E dimë që talentet nga diaspora shkëlqejnë kudo në botë, por edhe ky fenomen do të zbehet, sepse harresa e shtetit amë çrrënjos lidhjet shpirtërore.
Në fillim besuam në meritokraci, u përkushtuam ndaj partisë dhe luftës kundër komunizmit, por i vumë shkelmin kulturës dhe artit. Pastaj erdhi autogoli i korrupsionit, dhe çfarë na mbeti? – “Ndoc Rroku”!
Krijojmë një klimë antihumane për qytetarët, sa që një nga shkaqet e emigracionit është mungesa e të ardhmes për fëmijët. Çdo gjë, nga kopshti, shkolla, arti dhe sporti, është në zgrip.
________________
Hasan SOKOLI