
KALENDAR HISTORIK
“HOSTENI” SHQIPTAR,
NË 80 – VJETORIN E TIJ TË LINDJES
22 GUSHT 1945 – 22 GUSHT 2025

Nga Skënder DEMOLLI
Si sot në vitin 1945 doli në qarkullim në Tiranën e porsa çliruar nga lufta kundër nazi – fashizmit, si aleate e Boshtit së Atlantikut në Luftën e Dytë Botërore, numri i parë i revistës të humorit e satirës “Hosteni”, pagëzuar me këtë emër nga një prej nismëtarëve të krijimit të saj, Sekretari i Përgjithshëm i Unionit të Rinisë Shqiptare, Nako Spiro.
Dhe jo rastësisht u quajt kështu – simbol i një mjeti të zakonshëm pune në duart e bujkut shqiptar, siç është hosteni që përdoret për të shpuar e nxitur nga pas, me thepin a kunjin që ka në majë të shkopit të gjatë, pendën e qeve gjatë punimit të tokës, a transportit me qerre, duke u dhënë edhe drejtimin e duhur, si dhe për të pastruar me presën metalike mbërthyher nga fundi, baltën e ugarit nga plori dhe këpucët e veta.
Hosteni i traditës së humorit shqiptar, me alegorinë e fjalës për t’i shkundur dembelët, hileqarët, për t’i futur ata në “brazdë” të ecnin drejt, po edhe për të shpuar paq vitheve ata që u bënin bisht punëve e për tu çjerë maskën mashtruesëve dhe pseudove.
Ishte revista e parë satirike që dilte në vend, fillimisht e përjavëshme dhe më pas, duke qënë organ i Bashkimit të Gazetarëve të Shqipërisë dy herë në muaj, me një tirazh që në vitet ’60-të e ’70-të, arrinte në 30 mijë kopje. Gjë që dëshmonte popullaritetin e madh që kish fituar dhe interesin e lexuesit me larminë tematike e nivelin cilësor të materialeve që botonte në faqet e saj, duke lëvruar të gjitha gjinitë e humorit bashkë me skicat e karikaturat, të cilat ishin si pjergullat e rrushit mbi lis dhe kolori magjik i saj.
Dhe jo rastësisht, redaksia dhe stafi i saj përbëhej nga shkrimtarë e poetë të shquar të kohës me krijimtarinë e tyre në gjininë e humorit si Qamil Buxheli, Petro Marko, Ali Asllani, Spiro Çomora, Nonda Bulka, Kolë Jakova, Dritëro Agolli, Niko Nikolla, Gaqo Veshi (Hyskë Borobojka), Miço Kallamata, Ymer Minxhozi, Dionis Bubani, Tasim Aliaj, Gjikë Kurtiqi, Pëllumb Kulla, Foto Malo, Petraq Samsuri, Filip Çakuli e më pas një brez i tërë autorësh të rinj, të cilët sot me veprën e tyre e kanë çuar edhe më lart nivelin artistik të letërsisë humoristike në vendin tonë.
Firma të shquara brenda dhe jashtë vendit që i jepnin vlera të mëdha revistës “Hosteni” me karikaturat e tyre ishin dhe mjeshtrat që dinin ç’bënin me penën e tyre të ndihmonin njerëzit për të sfiduar varfërinë e prapambetjen e theksuar të vendit vitet e para pas çlirimit e më pas me optimizëm ikona emblematike të kësaj gjinie të satirës si Zef Bumçi (i cili ishte edhe autori i logos emblematike të revistës), Bardhyl Fico, Sabaudin Xhaferi, Dhimitër Ligori, Enriko Veizi, Arben Meksi, Bujar Kapexhiu e më tej Medi Belortaja, Agim Sulaj, Kosta Raka, Shtjefën Palushi etj, pa përmendur korespondentët e bashkëpunëtorët e shumtë të saj.
Por në një përvjetor si ky e shumë të tjerë në historinë e suksesit të kësaj reviste rol të madh luajti për më shumë se një çerek shekulli kryeredaktori i saj Niko Nikolla, i cili si njeri e menaxher i rrallë, ishte njëherazi një shkrimtar i veçantë i satirës dhe humorit, që të qeshurën e kish burim të natyrës së vet, ashtu si populli ynë që e karakterizon si popull mesdhetar… Dëshirë që nuk ia kanë zhdukur as kohët më të errta që ka kaluar e nuk do të zhduket kurrë pasi që përmes së qeshurës njerëzit duan të jetojnë.
Ndaj edhe edhe në krijimtarinë e tij gojore, por edhe në poezinë satirike, tregimin, romanin humoristik, komedinë, karikaturën e ka parë dhe e sheh si burim shprese e optimizmi.
Bumi i kësaj reviste mes mediave të tjera të Shqipërisë komuniste nuk ishte thjesht sepse qe e vetmia për publikun në llojin e vet, por edhe te niveli i saj artistik për t’i bërë njerëzit të qeshin, e të ndiheshin më të çlirët në mendime e në lrinë e shprehjes përballë klisheve e shablloneve skematike të propagandës…
Ngase jemi popull në karakter që i duam gjërat “açik” e ta shohim e të na shohë tjetri në sy, pavarsisht nga rangu, a pozita që ka.
Por erdhi një ditë që pas Kongresit të shtatë të partisë shtet, ku Enver Hoxha si sekretar i parë i saj kish shpallur fundin e luftës së kontradiktave antagoniste në gjirin e shoqërisë socialiste dhe se ato ekzistonin vetëm me armikun e klasës e atë të jashtëm humori dhe satira hynë në krizë më shumë se çdo gjini tjetër e letërsisë. Vendimet e pleniumeve të njëpasnjëshme që nga ai i prillit 1974, për t’i materializuar “poshtë në bazë”, sollën masa të repta, sulme e ndëshkime edhe për mjaft shkrimtarë të humorit e karikaturistë, duke i dënuar, internuar e larguar nga puna e qendra e banimit në qytetet e tyre.
Megjithatë paranoja e despotizmi i Diktatorit nuk i shpëtoi “Hostenit” në dorën e popullit. Madje edhe revistës humoristike me të njëjtin emër, disa nga numurat e së cilës, për shkak të përmbajtjes e materialeve të botuara nuk qarkulluan në publik e kaluan për karton, deri në vitin 1990. Por krijues të guximshëm dhe vetë qytetari shqiptar, i cili nuk mund të pajtohej me shtypjen e padrejtësitë e regjimit stalinist të Hoxhës, qarkullonte në kushte ilegale e me rrezikun pas kokës, me “pasaportën” e ndaluar të humorit, në një atmosferë terrori e cila nga ana tjetër e nxiste edhe më shumë fenomenin e të bërit humor. Jo vetëm përballë realitetit të ashpër, ku populli ishte i mbyllur brenda frikës së dënimit, por edhe përballë “humorit pozitiv”, me kritika të shplara, deri në nivele të ulta të hierarkisë shtetërore, si në letërsi e teatër, ashtu edhe në shtypin partiak e revistën humoristike “Hosteni” (e cila me shkrimtarët e humorit dhe karikaturistët aq të shquar, ishte nga ana tjetër embrioni latent i një opozite të vogël, që i rezistonte si ajo fara e barit dimrit), edhe pse qe e njohur ajo aksioma e famshme popullore “peshku qelbet nga koka” dhe, misioni i humorit, i cili padashur të na bëjë “të keqen e madhe”, na shtyn të mendojmë, të gjykojmë e të vetëkorigjohemi.
Po, gjithçka ishte e kushtëzuar nga liria e fjalës, kushte e kufizime të cilat i vendoste parreshtur pushteti, duke e futur në krizë jo vetëm satirën e humorin, por dhe marrëdhëniet sociale.
E megjithëse ajo kohë, që e dëshmojnë jo vetëm historikisht koleksionet e ruajtura në arkiv të kësaj reviste, që doli e printuar deri në vitin 2010 me drejtor Pëllumb Vraka, kanë mbetur pas, ato lexohen me interes jo vetëm për humorin , karakterin njohës të jetës, ngjarjeve, fenomeneve, bindjeve politike e parimeve etike të popullit nën diktaturë, por kanë rëndësinë e tyre e janë pjesë e kujtesës kolektive.
Humori ndriçon njeriun dhe jetën e tij. Vetëm ai, i cili njeh veten e tij si njeri, do të shkruante Charle de Bovelles, ”Liber de intelektu” Paris 1510, është njeri, është një me veten e tij. Si i tillë ai, humori i shëndetshëm, është dhe një masë profilaktike, për kujtesën që harron. Dhe kujtesa ka të drejtë sot, me tregime e anekdota për ishët në pushtetin postkomunist… Sepse ata nuk mundën (deshën) të përshtaten me erën e demokracisë pas rënies së Murit të Berlinit dhe shëmbjes hollivudiane të shtatores të Enverit, duke e futur vendin në udhën e një tranzicioni pa fund.
Parë me këtë sy ky përvjetor i një reviste gati shekullore, si “Hosteni” ynë që renditet me më të hershmet të satirës e humorit për nga vlerat në kontinent dhe sot e gjejmë online me të gjitha gjinitë në rrjetet sociale, me logon e “Konkursit Mbarëkombëtar të satirës e humorit që mban emrin e emblemës së tij “Niko Nikolla”, me kryeredaktore e botuese gazetaren e aftë e me përvojë dhe shkrimtaren Flora Nikolla. Dalja e tij në këtë mënyrë duhet mbështetur, duke pasur parasysh shtypjen globale të lirisë së shprehjes… dhe humorin e satirën që edhe te ne po vihet në pikëpyetje si kurrë më parë pas shembjes së diktaturës, duke e konfonduar me afishe dhe instalacione banale që nuk kanë asnjë lidhje me artin e qëllimin e tij e hamendësuar për nene, ligje e censurë në Kodin e ri Penal të Republikës.
“Trendi është vërtet shqetësues”, tha për DW karikaturisti Patrick Lamassure, i njohur me pseudonimin KAK.
“Në vendet ku ka censurë të shtypit dhe karikaturistët shpesh sulmohen dhe kërcënohen.”
“Nuk kanë mbetur shumë vende ku mund të qeshësh me çdo gjë pa u kërcënuar”, thotë Lamassure i “famëkeqes satirike franceze “Charlie Hebdo”. Ai ndihet përgjegjës për mbajtjen gjallë të kësaj flake, “sepse aftësia për të qeshur me ata që janë në pushtet është një nevojë themelore e shoqërisë, një liri shumë e rëndësishme. Edhe njerëzit që kritikojnë karikaturistët kanë nevojë për këtë liri.”
Edhe nëse karikaturat i mërzisin disa njerëz, Lamasur beson se vetëm ligji mund të vendosë se çfarë është e pranueshme. “Sepse çdo gjë që them dhe bëj mund të mërzisë dikë – çdo gjë. Dhe i vetmi kufizim mund të jetë ligji, sepse ligji është diçka për të cilën të gjithë biem dakord”, tha ai.
Për një kulturë të tillë të mediumit kemi nevojë edhe ne do të thosha me këtë rast, jubilari i të cilit do të festohet në një sesion të veçantë dialogu e diskutimesh të autorëve të humorit, në finalen e shpalljes së fituesëve të Konkursit për krijimtarinë e tyre për të mos e humbur këtë traditë të çmuar të satirës e humorit për emancipimin e shoqërisë e demokracinë që kemi…
Tradita e cila ka mbijetuar edhe në terrorin më të egër totalitar deri më sot sepse: “ humori, karikaturat simbolizojnë aftësinë e qytetarëve për t’i parë ata që janë në pushtet në sy dhe për të thënë: “Ne e shohim çfarë po bëni dhe mund të qeshim me ju!”
Edhe 100 vite të tjera, “Hostenit” tonë të lavdishëm! Shëndet e suksese autorëve të humorit në krijimtarinë e tyre!