Monday

27-10-2025 Vol 19

Kur kultura bëhet skllave e politikës…

Alarm i heshtur për shoqërinë shqiptare

Në nëntor të vitit 1936, në revistën e tij “PËRPJEKJA SHQIPTARE”, Branko Merxhani shprehu me
kthjelltësi një të vërtetë që ndonëse e thënë gati një shekull më parë, vazhdon të jetë aktuale:
“Politika dhe kultura janë dy veprimtari të ndryshme, me përmbajtje dhe qëllime qartësisht të ndara, të cilat nuk duhet të ngatërrohen me njëra-tjetrën. Kur kjo ndarje cënohet, pasoja nuk është thjesht një ngërç institucional apo administrativ, por një zhbërje e vlerave dhe e integritetit intelektual të shoqërisë.”

Merxhani na paralajmëron se aty ku kultura shndërrohet në skllave të politikës, humbet kuptimi i saj
më themelor; zhvillimi i mendjes, shpirtit dhe vetëdijes kritike të njeriut. Në të njëjtën kohë, kur
politika përpiqet të instrumentalizojë kulturën për interesa propagandistike, apo për të ndërtuar fasada nacionalizmi bosh, edhe vetë ajo humbet vizionin dhe qëllimin afatgjatë të përmirësimit të shoqërisë.

Në shkrimin e tij, ndër të tjera ai citon: “Politika dhe Kultura janë dy farë veprimtarish krejt të ndara
dhe të veçuara njera nga tjetra. Janë të veçuara në përmbajtje dhe të ndara në qëllime. Kombet që
dinë mirë të ndajnë njerën nga tjetra këto dy farë veprimtarie shoqërore, përparojnë dhe lartësojnë hem organizmën e jetës së tyre politike, hem organizmën e jetës së tyre kulturale. Përkundrazi ku këto dy gjëra trazohen midis tyre, atje Kultura bëhet skllavi i Politikës dhe humbet kuptimin e qënies së vet; dhe nga ana tjetër edhe Politika fshin dhe çvleftëson çdo lloj përpjekje që ka si qëllim të
ndihmojë Shoqërin në ecjen e sajë drejt përparimit dhe qytetërimit. Dhe kështu shkatërrohen dhe
degjenerohen të gjitha. Politikani mbetet pa dritë. Intelektuali bëhet dallkauk.”

Merxhani na kujton se politika dhe kultura janë dy veprimtari të ndryshme që duhet të ruajnë kufijtë dhe qëllimet e tyre. Politika ka për detyrë organizimin e jetës shoqërore, drejtësisë dhe rendit,
ndërsa kultura ndërtimin e shpirtit të një kombi përmes dijes, artit, etikës dhe mendimit të lirë. Kur
politika kap kulturën dhe e përdor për interesa të momentit, lind servilizmi, mediokriteti dhe shuarja
e mendimit të pavarur. Kur ndodh kjo, intelektuali nuk frymëzon më, por hesht ose shërben dhe
kultura, në vend që të jetë dritë, bëhet hije e pushtetit.

Kjo marrëdhënie e deformuar fatkeqësisht mbizotëron realitetin shqiptar. Në vend që kultura të jetë
një pushtet i katërt, i pavarur dhe ndikues në mendimin publik, ajo shpesh margjinalizohet,
instrumentalizohet ose stigmatizohet. Ndërhyrja e politikës në çështje që duhej të ishin ekskluzivisht kulturore është e dukshme; nga emërimi politik i drejtuesve të institucioneve kulturore, deri tek përdorimi i ngjarjeve artistike si sfond elektoral apo dekor simbolik në fushata.

Në aktualitetin shqiptar, kjo ndarje është shpesh e turbullt. Politika ka një prani të stërmadhe në
hapësirat publike, mediatike dhe shpesh edhe në institucionet kulturore. Artistët, shkrimtarët apo
studiuesit e pavarur shpesh përjashtohen nga vëmendja, ndërsa promovohet spektakli,
sipërfaqësorja dhe e lehta për t’u konsumuar. Në këtë rrugë, humbet thellësia, kujtesa dhe vizioni,
shtylla mbi të cilat ndërtohet qytetërimi.

Ekzistojnë pak zëra të lirë, pak kritikë realë dhe shumë “intelektualë të oborrit”, që i shërbejnë pushtetit në këmbim të favoreve, titujve apo hapësirave mediatike. Kjo është pikërisht ajo që Merxhani quan “dallkaukizëm” i intelektualit, një gjendje ku mendimi nuk frymëzon, por serviloset.
Nga ana tjetër, vetë politika humbet dritën. E mbështetur në një shoqëri pa debat kulturor të gjallë, pa media kritike dhe pa edukim cilësor, ajo zëvendëson vizionin me populizmin, strategjinë me propagandën, dhe drejtimin me sundimin.

Kombet që ruajnë dinjitetin e kulturës, duke i dhënë asaj pavarësinë që meriton, ndërtojnë një politikë më vizionare dhe më njerëzore, ndaj, mbase sfida më e madhe sot është rindërtimi i një
ekuilibri mes një politike që nuk trembet nga kultura e lirë dhe një kulture që nuk përdoret si vegël
politike. Vetëm kështu, siç thoshte Merxhani, nuk do të mbetemi pa dritë.

Rikthimi tek mendimi i Branko Merxhanit nuk është nostalgji, por një akt reflektimi dhe ringjalljeje
intelektuale. Është një kujtesë se politika pa kulturë është e verbër dhe kultura pa liri është e pavlerë. Është një rikujtesë se një komb përparon vetëm kur politika e ndihmon kulturën të lulëzojë dhe kur kultura i jep politikës thellësi, etikë dhe drejtim.

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *