Nga Klodi STRALLA
Kultura qytetare e zbatimit të Ligjit nënkupton:
“Si ka mundësi në Amerikë, emigrantë me një diversitet kulturash nga Afrika në Azi e Europë bashkëjetojnë me referencë ligjin? Kush e krijon moralin shoqëror (p.sh: bindjen ndaj ligjit) ?!” – është një pyetje me vend që ma drejton një miku im virtual i Fb-ut, Lulëzim Skraqi, ndaj një statusi tim për rolin që luan në shoqëri – Kultura e zbatimit të Ligjit.
Po i përgjigjem shkurt, me qëllim që statusi të bëhet objekt debati, marr shkas edhe nga hartimi i Kodit të Ri Penal, që po na propagandohet aq shumë si “shpëtimtari i situatës”.
Së pari, Ligji duhet të jetë i dobishëm, qe t’u sjellë lehtësi njerëzve në veprimtarinë e tyre private dhe publike. Ja p.sh., një Semafor, respektohet nga pjesa dërrmuese e njerëzve sepse të gjithë e kuptojnë se çfarë pasojash vijnë nga mosrespektimi i tij.
Se dyti, Ligji duhet të jetë i arsyshëm, dhe jo arbitrar, si p.sh., të ndëshkojë me burg atë që nuk paguan faturën e dritave ose atë fshatarin që sjell për shitje në qytet 4-5 l qumësht pa kupon tatimor.
Së treti, Ligji duhet tē zbatohet me parë nga ata që e kanë bërë ligjin, deputetë, ministra, gjyqtarë e prokurorë etj. Shembulli personal është mjeti më efikas i edukimit social.
Ligji, sado i mirë të jetë në vetvete, i pashoqëruar me Kulturën qytetare të zbatimit të tij, mbetet i paefektshëm.
Tek ne, fatkeqësisht, në masë të madhe, mungojne të tre komponentët e mësipërm, prandaj edhe njerëzit nuk e respektojnë Ligjin, por, sapo u jepet rasti, e anashkalojnë atë, duke iu drejtuar “Maliqit”.