Monday

27-10-2025 Vol 19

Bledi MANE: “Na mbytën “malokët”!”

ANALIZA/ Na mbytën “malokët”!


E dallova jo vetëm nga fiziku, por edhe nga ulërimat me dialekt. Më ishte fiksuar edhe modeli i flokëve të tij, onde të dendura, ajo pika sipër ballit që ia shpërndante leshrat simetrikisht porsi petalet e ngjeshura të një trëndafili bullgar.
E kisha parë shpesh në mbledhjet e Forumit Rinor të Partisë Demokratike që bënim në kryeqytet, madje e kisha takuar edhe dy herë kur shoqëronte Sali Berishën në Përmet.
Izet Haxhiaj bashkë me të tjerë patriotë të tij me të njëjtin theks e me të njëjtin model flokësh, po grushtonin dhunshëm një burrë të vetmuar i cili pinte alkoolin pa hile të kohës përballë Hotel Dajtit. Ky i fundit në dehje e sipër i pati ngacmuar me një shprehje fyese që unë adoleshenti provincial kurrë nuk e kisha dëgjuar më parë:
-Po e merrni m’qafë Tironën ju malokët!
Sherri ndodhte në vitin e brishtë 1993, arena e luftimit ishte Bar Kafe “Tirona” me pronar Bixh Balerinën…
2.
32 vjet më pas, fjala “malok” qëndron ende e freskët në manualet e përdorimit të gjuhës shqipe orale e verbale pa u ndaluar kurrë as nga institucionet, as nga mediat, as nga folklorizmat. Fillimisht u përdor si fjalë por më pas u klonua, u krijua e u formëzua si një mit sa fyes aq edhe groteskt, sa përçmues por jo aq ndarës. Kjo qenie e re shëtit virtualisht dhe fizikisht në kokat tona, rrugët tona, lagjet tona, katundet tona, plazhet tona.
Një qenie gjigande si në fantashkencë që zbriti nga mali, zaptoi e vodhi toka, që bërtiste e kërcënonte, që mbillte dhunë, nuk arsimohej, që ishte i uritur për ushqim, për lekë, për seks.
Një qenie tashmë e rafinuar që nuk i përket vetëm Veriut të Jugut apo Jugut të Veriut. Krijuam pa dashje “malokun mbarëshqiptar”…
Dhe e morrëm me shaka kur e vumë re që po tentohej të ngjizej bashkë me vezoret e mitrës hakmarrëse të Sali Berishës. Nuk denjuam as ta këshillonim, as ta orientonim, as ta ndalonim por kujtuam se ajo mitër ishte shterpë dhe nuk riprodhonte. Ne, një e nga një e vadisnim me spermën e indiferencës dhe diferencës sonë.
Ne nuk e ndaluam në kohë “malokun” tropojan, shkodran, “malokun” fierak, skraparlli, elbasanas apo vlonjat të vidhte vota, të plepëzohej gjykatës në Durrës. Nuk e ndaluam të konvertohej në shiks partie, të dhunonte gazetarët, të zaptonte godinat e studentëve, të ndërronte pa leje, të rrethonte plazhe. Ne ndihmuam çdo parti politike të kishte e të ketë armatën e saj të malokëve pavarësisht theksit dhe gjatësisë së trupit. Ne u dhamë një dorë e i ndihmuam zaptuesit e konvikteve studentore dje e që sot janë konvertuar deputetë të majtë e të djathtë, bythlëpirsa kryetarësh, ministra, vjedhës tenderash, vrasës me pagesë, shefa policie, dashnorë këngëtaresh…
Porsi regjimi komunist i Enverit që krijoi “njeriun e ri socialist” edhe regjimet e Berishës, Nanos, Metës, Ramës krijuan dhe përsosën “malokun e ri kapitalist”.
Problemi tashmë qëndron jo se po na mbysin “malokët” por kur do na vi rradha që edhe ne të bëhemi “malokë”!

_________________
P.s.: Ky opinion nga gazetari Bledi Mane është botuar për herë të parë në vitin 2019 por vazhdon ende të mbetet aktual.

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *