E zeza

Nga Zija VUKAJ
Bibla dhe astrofizika nuk e kanë monopolin e këtij imazhi që gjendet në pjesën më të madhe të mitologjisë kur është puna për të treguar apo shpjeguar lindjen e botës. Në fillim të natës, të natës së stërmadhe të origjinave dhe duke dalë nga errësira, është koha kur jeta ka mundur të marrë formë. Mitologjia greke, për shembull, e bën Nyx, mbretëreshën e natës, bijën e Kaosit, boshllëkun zanafillor; nënën e Uranit e të Gaias, qiellit e tokës. Vendbanimi i saj ndodhej në një shpellë që gjendej në skajin fundor të perëndimit të botës. Pastaj prej aty, përshkonte qiellin, e veshur në të zeza, në një karrocë me katër kuaj të së njëjtës ngjyrë. Në disa tradita jepet e pajisur me krahë të zinj; në të tjera ka pamje kaq të errët e të frikshme sa tremb edhe vetë Zeusin. Në periudhën arkaike natës i bënin fli gjithandej dele dhe qengja krejt të zinj. Përveç qiellit dhe tokës, Nyx, hyjnia ktonike (e tokës), i solli botës edhe një mori entitetesh, lista e të cilave ndryshon sipas burimeve, por që janë të gjitha të lidhura simbolikisht, në mënyrë pak a shumë të dukshme, me ngjyrën e zezë: gjumi, ëndrrat, ankthi, sekreti, përçartja, mjerimi, plakja, fatkeqësia dhe vdekja. Disa autorë paraqesin si bija të Natës edhe Eriniet dhe Parket, zotërueset e fatit të njerëzve dhe Nemesën, personifikim i hakmarrjes hyjnore, e caktuar me ndëshkimin e krimeve dhe të çdo gjëje që prish rregullin e botës. Tempulli kryesor i saj ndodhej në Ranunte, qytet i vogël në Atikë, ku mund të soditej një statujë gjigante e perëndeshës, gdhendur në shekullin V para Krishtit nga i madhi Fidia, një bllok i zi mermeri.
Kjo e zezë e origjinave, gjendej edhe në mitologji të tjera, jo vetëm në Evropë por edhe në Azi e në Afrikë. Shpesh është fjala për një të zezë të mbarsur e pjellore, si ajo e Egjiptit që i kundërvihet të kuqes shterpë të rërës së shkretëtirës dhe simbolizon lymin e depozituar nga ujërat e Nilit, vërshimet e të cilit janë të dobishme dhe priten çdo vit me shpresë. Tjetërkund e zeza pjellore është paraqitur thjesht nga retë e errëta e të mëdha, të fryra nga shiu dhe gati për të rënë në tokë për ta mbarsur atë. Apo duke mbuluar statuetat e hyjnive- nëna prehistorike ose duke veshur ca hyjni të lidhura me pjellorinë (Cibela, Κυβέλη, Kybélē, Demetra, Hekata, Isida, Kalia), që mund të kenë pasur lëkurën e errët, duke mbajtur në dorë apo duke marrë obekte të zeza e duke kërkuar t’u flijoheshin kafshë të kësaj ngjyre. Gjurmë të kësaj të zeze pjellore gjenden akoma në zemrën e mesjetës së kishterë ku simbolizmit të ngjyrave i shoqërohen katër elementët përbërës, madje një prej vazhdimësive më të gjata: zjarri është i kuq, uji është i gjelbër, ajri është i bardhë e toka është e zezë. Propozuar nga Aristoteli katër shekuj para Krishtit, një simbolizëm i tillë rimerret nga enciklopeditë e mëdha latine të shekullit XIII, në mënyrë të veçantë nga Bartolomeo Angliko dhe është akoma prezent në librat e emblemave dhe në traktatet e shypit në ikonologjinë e fundit të shekullit XVI. Kjo e zezë e tokës është një e zezë mbarsëse, shpesh atribuar forcës jetësore të së kuqes, që lidhet me atë të zjarrit dhe atë të gjakut. As njëra, as tjetra ngjyrë nuk janë konsideruar negative apo shkatërruese, pëkundrazi janë burime jete dhe nganjëherë marrin kuptimin e rritjes së vlerës së tyre në mënyrë eksponenciale.
Pjelloria e të zezës zanafillore lë gjurmë edhe në organizimet me tri funksione të shumë shoqërive të vjetra dhe mesjetare: e bardha në përgjithësi është ngjyra e priftërinjve, e kuqja ajo e luftëtarëve, e zeza ajo e zejtarëve. Në Romën e lashtë, përkatësa e këtyre tri ngjyrave ndaj tri klasave shoqërore rezulton veçanërisht e qartë, por takohet edhe në autorë të ndryshëm grekë që përshkruajnë qytetin ideal dhe më vonë, në mesjetë në epokën feudale, në kronikat dhe në tekstet letrare, nganjëherë në imazhet: e bardha për ata që luten (oratores), e kuqja për ata që ndeshen (bellatores), e zeza për ata që punojnë (laboratores). Kostume, të leshta, emblema, simbole të ndryshme dëshmojnë për këtë përhapje, pa qenë e sistemuar qartazi. Disa eruditë kanë dashur të shohin në funksionin shoqëror të kësaj triade ngjyrash një trashëgimi indoevropiane; hipoteza duket e themeltë, por për sa i përket të zezës dhe lidhjes së saj me prodhimin apo pjellorinë është pa dyshim e mundur të ecim akoma më prapa. E zeza pjellore e origjinave ka mbetur e lidhur për shumë kohë me disa vende dhe vlerën e tyre simbolike, shpellat për shembull, dhe hapësira të tjera natyrore që duken sikur komunikojnë me barkun e tokës: guva, shpella, hone, tunele nëtokësore apo gërxhe. Megjithëse pa dritë, janë kazanë pjellorë, vende lindjesh apo shndërrimesh, grumbullime energjie dhe për pasojë hapësira të shenjta që kanë krijuar pa dyshim vendet më të lashta të kulteve të njerëzimit dhe nga paleoliti deri në epokat historike kanë pritur gati të gjitha ceremonitë magjike apo fetare. Në vazhdim, shpella e guva janë bërë vende të lindjes së zotave e të heronjve të preferuar; dhe pastaj vende strehimesh dhe shndërrimesh: aty hyhej për t’u fshehur, për t’u këndellur, për të kryer një rit kalimi. Më vonë, ndoshta nën ndikimin e mitologjive nordike, pyjet kanë zënë vendin e shpellave, por edhe në këtë rast disa hapësira të errëta ose pa dritë kanë vazhduar të konsiderohen të shenjta.
Megjithatë, siç ndodh gjithmonë nëpër motologjitë dhe fetë, simbolizmi i lidhur me hapësira të tilla është i dyvlershëm dhe sjell një dimension të fortë negativ: të gjitha vendet e errëta e pjellore janë edhe vende vuajtjesh dhe fatkeqësish, të banuar nga përbindësha apo ku janë mbyllur të burgosurit, të mbledhur nga çdo lloj rreziku dhe sa më shqetësues që janë aq më shumë tek ata mbretëron errësira. Pjesa më e njohur e “Republikës” së Platonit- një nga tekstet më të mëdha themelues të kulturës perëndimore- vë në skenë një shpellë të tillë, vend dhimbjeje e ndëshkimi ku shpirtrat njerëzorë janë mbyllur e prangosur nga zotat: mbi një mur shohin një shfaqje hijesh që simbolizon botën mashtruese të dukjeve; dëshirojnë të këpusin zinxhirët, të dalin nga shpella për të soditur botën e vërtetë, atë të Ideve, por nuk mund ta bëjnë. Shumë kohë para se me qenë burim jete apo energjie, errësira këtu u bë shpellë, një burg, një vend ndëshkimi e torture, një varrezë apo një ferr i vërtetë. E zeza këtu është vdekjeprurëse.
z.v