
…Ndalu dhe vetë, bre Veton, se Shqipëria ka shumë më shumë se ty personalitete të kulturës shqiptare, që e duan këtë vend dhe nuk vetëshiten për para të pista!

Nga Arben MALAJ
Ndaleni shokun Baton, këtë “zjarrvënës”, përçarës në kohezionin krahinor dhe në kulturën shqiptare! Para pak ditësh, ky shpifës jo i paqëllimshëm (ndoshta Veton Surroi e di më mirë se kushdo pse e paguajnë shtrenjtë) nxiti përçarje krahinore, kur deklaronte se e majta nuk e kthen dot kokën nga Veriu për keqtrajtimin që i ka bërë gjatë kohës së komunizmit.
Një gjë është e vërtetë: në varfërinë tonë materiale ishim të barabartë, njësoj siç theksonte Churchill se: “Kapitalizmi ndan në mënyrë të pabarabarë pasurinë dhe socialistët ndajnë në mënyrë të barabartë varfërinë”.
Të gjitha institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore kishin të njëjtën pagë si në Tiranë, në Tropojë dhe në Sarandë.
Mësuesit, mjekët, ndihmës-mjekët, drejtuesit dhe punëtorët në çdo institucion dhe ndërnarrje homologe, kishin një sistem pagash të barabartë, nga Veriu ne Jug.
Një pjesë e mirë e minierave dhe industrisë përpunuese ishte në veri, ku pagat ishin të mira dhe zbutnin varfërinë.
Në shkollat e mesme dhe universitete ne ishim njësoj dhe respektonim maksimalisht njëri-tjetrin, madje edhe duke u martuar pa asnje dallim krahinore, etnik apo fetarë..
I vetmi moment kritik ishte pas vitit 1990, kur, me të drejtë, shumë specialistë dhe banorë të zonave veriore zbritën, edhe duke zaptuar toka në Tiranë dhe në qytetet e mëdha. Atëherë pati fodullë dhe shpirtzinj që si ju i quajtën padrejtësisht “çeçenë”.
Por ata u integruan shumë mirë, punojnë në institucione dhe ndërmarrje publike, kanë bizneset e tyre, sakrifikuan për mirarsimimin e fëmijëve dhe përmirësuan kujdesin shëndetësor dhe mundësitë për punësim.
Edhe në SHBA shtetet kanë diferenca të ndjeshme në të ardhurat për frymë.
Baton! Paraja e pistë nga burime kriminale edhe tek disa analistë të parapaguar edhe nga shërbimet sekrete të vendeve jo miqësore me Shqipërinë, SHBA-në dhe BE-në , ku shpesh në media përmendet edhe emrin juaj, klasifikohet aktivitet kriminal i dënueshëm me dhjetra vite burg.
Provoi Berisha në vitin 1997 të keq-përdorte vëllezërit tanë fisnikë të Veriut si mercenarë kundër Jugut, dhe dështoi turpshëm.
Një provë e qartë, Baton, është edhe fakti që konkurrimi politik në këto 33 vite nuk ka nxitur dhe as ka krijuar ndasi krahinore.
Të majtët dhe të djathtët kanë bastionet e tyre, por kurrë nuk kanë nxitur urrejtje krahinore.
Vëllezërit tanë nga Veriu e gëzojnë bregdetin e vendit të tyre deri në Ksamil si në shtëpinë e tyre.
Po ashtu sikurse ne ndjehemi të respektuar dhe si në shtëpinë tonë me çdo pjesë të Veriut tonë fisnik për nga shpirti i tyre dhe nga magjia e mrekullive natyrore.
Në fillim të viteve 2000 Banka Botërore nuk desh të investonte asnjë dollar në Bathore, sepse ajo nuk investon asnjëherë në toka me konflikte pronësore.
Ishte qeverisja socialiste deri 2005 që garantoi BB se, zgjidhja e çdo konflikti pronësie mbetej përgjegjësi e jona.
E dyta, pas një diskutimi te brendshem përballë një zhvendosje të mijëra familjeve nga Veriu në perzgjodhëm opsionin e legalizimit për të zhvendosurit nga Veriu, përpara urbanizimit. Nëse nuk do të kishim përzgjedhur urbanizimin si hapin e parë, do të kishte më pak kosto financiare, por shumë më shumë kosto shpirtërore, të papërballueshme… Do të nxitej ndarja Veri -Jug dhe vendi do të shkiste në instabilitete shoqërore dhe politike nga ku do të përfitonin dhe fërkonin duart vendet jo miqësore dhe emisarët e tyre mediatikë të mirëparapaguar.
Tani, ti hedh helmin e dytë: kërkon publikisht shkatërrimin e RTSH-së pasurisë më të madhe të identitetit tonë kombëtar!
Çdo njeri i kulturuar do të ofronte opsione ristrukturimi, jo shkatërrimi.
Mos të kanë detyruar oligarkët të ndezësh këtë flakë shkatërruese në RTSH, se aty mund të ngrihen kullat e oligarkëve për të cilët ti je shërbyesi më i babëzitur dhe pa asnjë limit moral?
Ndal, bre Veton, se Shqipëria ka shumë më shumë se ty personalitete të kulturës shqiptare, që e duan këtë vend dhe nuk vetëshiten për para të pista!
Ndal, bre Baton, se personalitetet e kulturës shqiptare kanë rrënjë atdhedashurire shekullore, ndërsa ju jeni një bar i keq që mbin dhe lulëzon kudo dhe kurdoherë ku gjen para të pista, dhe vetofrohet për shërbime të pista!