Festa e 4 korrikut na kujton vitin 1776 kur u miratua Deklarata e Pavarësisë nga burrat e shtetit amerikan të cilët më 7 qershor të 1776-ës, ishin mbledhur në Kongresin Kontinental me delegatë nga Kongreset Koloniale. Dhe si gjithmonë ngjarjet e mëdha historike kanë edhe parangjarjen e tyre, kështu më 14 qershor të 1775 ishte votuar për krijimin e Ushtrisë Kontinentale, Institucionin e parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Propozimi i delegatit të Virxhinias në Filadelfia, Richard Henry Lee, duke propozuar një mocion, për pavarësinë e kolonive. Ky mocion pas shumë debatesh dhe dakortësimesh e shtyu hartimin e Deklaratën e Pavarësisë. Delegati Lee propozoi dhe miratoi një komitet prej pesë vetësh. Thomas Jefferson nga Virxhinia, Jon Adams nga Massachusesetts, Roger Sherman nga Conecticut, Benjamin Franklin nga Pennsylvania dhe Robert. R. Livingston nga NJy Jorku të cilët nënshkruan një deklaratë që të justifikonin ndarjen nga Britania e Madhe. Kongresi Kontinental i mbledhur më datën 2 korrik të vitit 1776 votoi pro pavarësisë dhe më datën 4 korrik delegatët e 13 kolonive votuan Deklaratën e Pavarësisë, sipas tekstit të hartuar nga Thomas Jeffersoni. Kjo datë historikisht është festuar në Fladelfia që nga 4 korriku i 1777, si festimi i parë i Pavarësisë së Amerikës. Dokumenti zyrtar i Pavarësisë së Amerikës nga Britania e Madhe është më datën 2 gusht të 1776-ës. Festimet e 4 korrikut përfshinë edhe shtete të tjera në vitet pasardhëse si në Massachusetts u festua në vitin 1781. Por në vitin 1870, Kongresi Amerikan e bëri 4 korrikun festë federale. Festimi 2 dhe 3 ditor i 4 korrikut u njoh me ligj në vitin 1941 për punonjësit federal. Deklarata e pavarsisë në paragrafet e saj shkruan “Të gjithë njerëzit janë të barabartë, si të paisur nga Zoti me të drejta të patjetërsueshme, siç janë jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë”Në kuadrin e 101 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, duhet të kujtohet edhe një nga fjalimet brilante të Fan Nolit mbajtur në bazën ushtarake të “Camp Devens” përpara ushtarëve amerikano-shqiptar dhe autoriteteve ushtarake amerikane.Një nga fjalimet më të ndjera, më frymëzueset dhe me ndjenjë të thellë mirënjohje për Amerikën të Fan Nolit, botuar në revistën periodike “The Adriatic Revieë”. Ja një paragraf se si fillon ky shkrim: I Përndershmi AtFan Noli foli më 8 shtator, ditën e dielë, në një mbledhje të ushtarëve amerikanë me prejardhje shqiptare në Camp Devens. Aty u dha një koncert nga Banda Kombëtare “Vatra”, e Usterit, e dirigjuar nga ushtari i thjeshtë Thoma Nashi, një solist shqiptar, i diplomuar në Konservatorin e Muzikës së Nju Englandit. Në këtë koncert me këngë e melodi shqiptare, që të mallëngjenin shpirtin e ushtarëve e mori fjalën edhe AtFan Noli.Fjalimi i Fan Nolit fillon me titullin “SHQIPËRIA I ËSHTË BORXHLI AMERIKËS”. Noli pas fjalës falënderuese për ftesën që i është bërë thotë ndër të tjera se ndihet krenar, e ju drejtohem juve ushtarëve amerikanë me prejardhje shqiptare. Dëshiroj që ne të kemi këtu të gjithë djemtë shqiptarë që i shërbejnë flamurit amerikan, në mënyrë që ne të jemi në gjendje të kemi një ide lidhur me ndihmën që shqiptarët i kanë dhënë çështjes së njerëzimit. Por thotë Noli unë e di se përsa i përket rrethanave, është e pamundur, sepse pjesa më e madhe e vëllezërve të gjakut dhe shokë lufte, janë çuar nëpër kampe të largëta, ose janë duke luftuar për beteja për demokraci atje në Francë. Ndër të tjera vijon Fan Noli . Unë duhet të mbetem i kënaqur që po ju dërgoj juve e nëpërmjet jush këtë mesazh gjith djemve të amerikanë, duke falenderuar trupën e oficerëve të cilëve ne të gjith u jemi mirnjohës për organizimin e këtij mitingu. Shqipëria i detyrohet një borxhi të jashtëzakonshëm moral Amerikës. Ky borxh, duke e lidhur edhe me gjendjen e sotme, është tani në Kongresin e ardhshëm të Paqes do të ngrihet në lartësi të papara, sa që të shmanget, çdo mundësi e jona për ta shlyer krejtësisht. Le të shohim se ç’është ky borxh dhe çfarë do të ndodhë në të ardhmen e afërt dhe çka pritet që shqiptarët të bëjnë me qëllim, që të paguajnë të paktën një pjesë të këtij borxhi, duke shmangur rrugën e falimentimit moral. Shqiptarët kanë filluar të vijnë në Amerikë kur atdheu i tyre ishte akoma provincë turke. Ata po iknin nga keq-qeverisja e Turqisë, nga zija e bukës, shtypja, pengesat fetare dhe dëshpërimi. Ata u pritën këtu, në këto brigje mikpritëse, me krahë hapur, atyre ju dha mundësia të fitonin para për veten dhe për të afërmit që lanë prapa, ata u trajtuan si të barabartë, ata gëzuan bekimin e mirkuptimin fetar, lirinë e shtypit dhe të mbledhjes, ata panë dritën e ëmbël të lirisë dhe demokracisë, dhe për më tepër ata ngritën pishtarin që i ka udhëhequr vendin e tyre të lashtë në luftën për pavarësi kombëtare. Në Shqipëri gjatë regjimit turk nuk lejohej të botohen asnjë gjë në ship, asnjë shërbesë fetare në gjuhë shqipe, asnjë shkollë ku të mësohej shqip. Dhe ne erdhëm këtu për të botuar të gjitha librat e gazetat dhe themeluam kisha dhe shoqata aq sa patëm nevojë. Kështu e vetmja gazetë e përditshme shqiptare që doli”Dielli” , është botuar në Boston, e para kishë shqiptare ku fjala e Zotit mund të jepej në gjuhën amtare, siç bëri shën Pavli shekuj më parë në shtëpin tonë të lashtë ilire, u themelua këtu në Amerikë, dhe organizata shqiptare jonë e madhe dhe më e rëndësishmja në botë , Federata jonë “Vatra” ka selinë në Boston dhe ju të gjithë e dini se në sajë të përhapjes të gjerë të shqiptarëve të Amerikës, Shqipërisë ju garantua pavarësia në Konferencën e Londrës më 1913. E si mund t’ia paguajmë këtë borxh Amerikës? Shqipëria i detyrohet një borxhi të jashtëzakonshëm moral Amerikës, për përfitimet që ka pasur në të shkuarën nëpërmjet atyre djemve të saj të emigruar dhe kanë gjetur strehim. Ky borxh, duke e lidhur edhe me gjendjen e sotme, shkruan ndër të tjera Fan Noli. Le të shohim se ç’është ky borxh dhe çfarë pritet të ndodhë në të ardhmen e afërt dhe se çfarë pritet që shqiptarët të bëjnë me qëllim që të paguajnë të paktën një pjesë të këtij borxhi duke shmangur rrugën drejt një falementimi moral. (Bëhet fjalë për Konferencën e Paqes ku qëndrimi i Amerikës është deciziv). Shqipëria u shkretua dhe iu nënshtrua në një farë mënyre, pushtimeve dhe ripushtimeve të njëpasnjëshme dhe vendi u shkretua e nuk rihej më. Qindra e mijra pleq gra e fëmijë u përzunë nga shtëpitë e tyre e shpërngulën në Vlorë e në qytetet e tjera bregdetare. Sëmundjet epidemike bënë kërdinë në refugjatët e pa ndihmuar e pa shpresë dhe që vuanin nga zija e bukës dhe atje nuk kishte as mjek e as infermierë të Kryqit Kuq, as ilaçe e as ushqime e strehim. Me mijëra vdiqën. Të varfërve u kishte mbetur vetëm vuajtja e të sëmurëve vetëm vdekja. Në të vërtetë kishte një ndihmë dhe kjo ishte një anije amerikane me furnizim amerikan të paguar nga amerikanët zemërgjerë. Dhe të vetmet para që ndihmuan përshpejtimin e tyre ishin para amerikane të dërguara nga shqiptarët e Amerikës. Mijëra jetë shpëtuan në këtë kohë nga zija e bukës, falë Amerikës. Më thoni vëllezër si mund t’ia shlyejmë këtë borxh Amerikës. Po ka edhe më tepër. Ne i kemi sytë nga Amerika për mëkëmbjen e pavarësisë shqiptare. Duke gjykuar nga rrjedha e zhvillimit të ngjarjeve në fushën e betejës , tani nuk ka asnjë dyshim, që kjo luftë do të përfundojë me fitoren e Amerikës, që do të jetë një fitore për demokracinë botërore, dhe kushtet e palëve do të kushtëzohen brenda territorit gjerman, nga një arbitër botëror që e do drejtësinë , siç është presidenti Uillson. Kushtet e tija janë të mirënjohura, ai përsërit ato në raste të ndryshme dhe ai e kishte me gjithë mend kur i deklaroi botës që e dëgjonte “Çdo popull do të ketë të drejtën të zgjedhë pavarësinë në të cilën ai do të jetojë”. Kam pasur rastin ta takoj këtë njeri të madh, në një rast historik, që tani është bërë orakulli i njerëzve të vuajtur. Ishte Dita e Pavarësisë, kur përfaqësuesit të të gjitha grupeve kombëtare në Amerikë, ishin të ftuar nga Presidenti Uillson për ta shoqëruar si miqtë e tij të huaj në jahtin Mayfloëer gjatë pelegrinazhit që u bë në varrin e Xhorxh Uashingtonit, në malin Vernon. Gjatë kthimit nga mali Vernon ju afrova këtij njeriu të shquar të kohëve modern, si një lutës i përulur dhe i thashë ta shpëtonte këtë racë heroike dhe të pashpresë dhe ti kthejë atij bukën e jetës-lirinë dhe përgjigja e tij ishte “Unë kam një zë (votë) në Konferencën e ardhme të Paqes dhe atë do ta përdor në favor të Shqipërisë”.Më tej shton Fan Noli: “Unë nuk kam nevojë t’ju tregoj se sa i fortë është ai zë dhe se çfarë vëmendje të respektueshme dhe të bindshme ka ai në të gjithë botën, i shtyrë nga drejtësia dhe i përkrahur nga miqtë e fuqishëm amerikanë, më të fuqishmit që bota kishte parë ndonjëherë. Ky vend ka patur në të shkuarën Linkolnin që nuk mund ta duronte një Amerikë gjysëm të lirë dhe gjysëm skllave. Likolni luftoi dhe fitoi. Presidenti Uillson, gjithashtu është i sigurtë se do të fitojë e do të zerë vend në histori si Likolni për humanizëm dhe si çlirimtar i të gjithë kombeve të mëdhenj dhe të vegjël. Kur do të shpallet paqja. Shqipëria do të fitojë pavarsinë e saj përgjatë rrjedhave historike dhe etnike në sajë të Amerikës. Pra më thoni miq, si mund t’ja shlyejmë këtë borxh Amerikës?E kam menduar gjatë këtë pyetje, që kur Amerika hyri në luftë dhe e vetmja përgjigje që gjeta është: ne nuk mund t’ia shlyejmë plotësisht këtë borxh, kjo është e pamendueshme; po sikur të bëjmë tonën në çështjen e njerëzimit dhe qytetërimit botëror brenda mundësive tona, Amerika me zemërgjerësinë e saj tradicionale, do ta ngrejë atë në katror dhe në këtë mënyrë do të lehtësohemi nga një barrë morale. Gjysma e Shqipërisë tani është duke rënkuar dhe vuajtur nën thundrën e pushtuesve austro-gjermanë dhe një pjesë e gjysmës tjetër është çliruar nga ushtritë franko-italiane. Shqiptarët në trojet e tyre kanë bërë një çështje të përbashkët me ta dhe po ndihmojnë aleatët, duke ndihmuar ata ndihmojnë veten e tyre kundër autokracisë prusiane. Pjesën e tyre po e bëjnë shkëlqyeshëm, sipas njoftimeve zyrtare që kemi, ndaj jemi krenarë për ata.Djemtë shqiptarë që luftojnë në Francë po bëjnë detyrën si të tjerët. Ju po bëni detyrën tuaj dhe do ta bëni atë më mirë kur të shkoni të bashkoheni me ta. Të tjerë shqiptarë do t’ju ndjekin së shpejti, sejcili dhe të gjithë duhet të kryejnë plotësisht pjesën e tyre. Ky është i vetmi rast për t’ja shpërblyer Amerikës. Dhe ç’kombinim i shkëlqyer i rasteve? Çështja është e madhe, e drejtë dhe e shenjtë, është çështje e lirisë dhe e qytetërimit kundër barbarisë dhe autokracisë. Është kryqëzatë si ajo e heroit tonë të madh kombëtar, Mbretit Gjergj Kastrioti Skënderbeu të cilin një historian e ka përshkruar “Shënjtor” si “Shën Luigji i Francës, diplomat si Talejrani dhe gjeneral si Aleksandri i Madh. Ai u caktua nga Papa Piu i II, Kryekomandant i tërë ushtrive kristiane të Evropës. Luftoi për një çerek shekulli kundër mizërive turke. I mundi, në më shumë se 20 beteja, dy prej sulltanëve më të mëdhenj të Turqisë, që ajo ka nxjerrë ndonjëherë, siç ishin sulltan Murati e sulltan Mehmeti, pushtuesi i Kostandinopojës. Shpëtoi Evropën nga tmerret e pushtimit aziatik në shekullin e 15-të. Ka një vjershë të poetit amerikan Henri Longfellou në “Tregimet e një hani anës rrugës”Në fund të fjalimit të Fan Nolit ai thekson: Disa ditë më parë ne mbajtëm shërbesën përkujtimore në kishën tonë të Bostonit për djemtë e parë shqiptarë që dhanë jetën e tyre për Amerikën në Francë. Kisha, për nder të tyre ishte zbukuruar me flamurin amerikan dhe me kurora. Ne të gjithë u lutëm për ta në heshtje, me zemra të lënduara dhe me krenari të fshehur. Të gjithë ata vdiqën si burra, si stërnipër të vërtetë të Skënderbeut, të kryqtarit të Madh të Shqipërisë dhe kampionit të Krishtërimit. Varret e tyre të errët, duhet të jenë në Francë të shënuar me kryqe të vetmuar. Por shpirtrat e tyre janë sot midis nesh dhe me një mesazh solemn për sejcilin dhe për të gjithë, një mesazh i shenjtë i sakrificës supreme. “Bëj edhe ti si të tjerët”. Ky fjalim i Fan Nolit pati jehonë të madhe në shtypin e kohës dhe u prit me entuziazëm nga bashkësitë shqiptare. Siç do të shkruante gazeta “The Trench and Camp”. At Fan Noli çmoi lart veteranët e “Red Triagnle” si dhe vlerësoi si të patjetërsueshme miqësinë e SHBA me Shqipërinë dhe rikonfirmoi mirnjohjen ndaj popullit amerikan për ndihmën në kohën e urisë. Fjalimi i Fan Noli duhej të ishte mbajtur më parë thekson një gazetë, por siç duket do të ketë edhe në këtë rast ndonjë detektiv shqiptar i cili do të keqinformonte autoritetet amerikane me informatë, sikur Noli ishte proaustriak dhe dihet se sa shumë kallzime të rreme bëheshin kundër tij deri ditën kur mbylli sytë. Por siç thoshte vetë Noli “Le t’i bien prapë legenit gjer sa t’u vijnë mendtë, e të kthehen në rrugën e drejtë”.
Kastriot Kotoni