Monday

27-10-2025 Vol 19

Diplomacia e Faik Konicës në Amerikë

Aquitania” një kruzer gjigand i linjave Cunard, po u aforhej brigjeve të Nju Jorkut me pasagjerin e nderuar shqiptar Faik Konica. Ai ndryshe nga pasagjerët e tjerë të klasit parë që luanin në kuvertën e kruzerit lojën e preferuar minigolf, e kalonte kohën e çmuar duke lexuar libra dhe reflektuar mbi gjithçka që kishte parë e dëgjuar në Shqipëri. Njerëzit që rrethonin Zogun nuk i shihte dot me sy. Mes këtyre ishte Xhafer Vila, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtëme, i cili në të vërtetë, sipas diplomatëve të huaj, ishte ndër zyrtarët më inteligjentë dhe të besueshëm. Milto Tutulani, ministri i financave, ishte për Faikun një cop mishi me dy sy dhe filojugosllav sepse në një rast, në vjeshtë të vitit 1928, kur nënshkroi me italianët një kredi, as që denjoi t’i falenderonte miqtë. Më i urryeri për Faikun ishte Kryeministri Koço Kota, që mbante edhe postin e ministrit të brendshëm. Kota ishte një korçar fjalëpakë që kishte bërë shkollë në Amerikë dhe kishte punuar si ahçi (gjellbërës) në një restorant të Bostonit. Kur Faiku ishte në Tiranë, e kishte takuar disa herë, vetëm për vetëm ose në mbledhjet e kabinetit, ku ishte i ftuar të merrte pjesë. Nuk dukej që kryeministri të kishte ndonjë gjë kundër tij. Madje Kota kishte qenë për nder të Faikut në fillim të dhjetorit. Por, për ministrin e Shqipërisë në Uashington, ai ishte i fëlliqur me korrupsion, shkruan në librin e tij Iir Ikonomi me titull “Faik Konica Jeta në Uashington”. Faiku kishte vendosur t’i vinte në lojë këta njerëz sapo të kthehej në Amerikë. Do të shkruante në Dielli. Do të bënte çmos që ata të diskretitoheshin. Në të vërtetë, Dielli ishte e vetmja gazetë e rëndësishme në gjuhën shqipe që mund të fliste lirshëm, sepse në Shqipëri as që bëhej fjalë për ndonjë pavarësi të shtypit. Faiku mbërriti në Amerikë më 29 janar dhe iu vu punës për të hedhur në letër përshtypje nga vizita. Në Mayflower, mungesa e ministrit shqiptar ishte ndjerë. “Kthimi i Dr. Faik Konicës së Shqipërisë është për t’u përshëndetur”, lajmëronte Margaret B.Downing në revistën The Washingtonian që vëzhgonte me imtësi hyrje-daljet në hotelin e famshëm. “Ai është ndër një beqarët e trupit diplomatik. Por ka merita të rëndësishme që e shquajnë, si fakti që ka shkruar një novelë me një tirazh të jashtëzakonshëm për një vepër filozofiko-politike. Quhet “Doktor Gjilpëra,” mirëpo për fat të keq nuk është përkthyer. Dr Konica ka luajtur role që mund të krahasohen me ato të Benjamin Franklinit… Pinjoll i një familjeje të njohur dhe historike të Shqipërisë, ministri ka të afërm të fuqishëm në çdo fushë të jetës së saj, ushtarake, shoqërore, letrave si dhe grupet politike që rrethojnë sundimtarin e ri”, shkruante Downing sigurisht në bazë të informacioneve që duhet t’ia kishte dhënë vetë Faiku. Më 26 mars Dielli, nisi të botojë përshtypjet e Faikut nga udhëtimi i paharruar me titull “Shqipëria si mu duk”. Në fillim përshkruan arritjen në Shqipëri, Tiranën, ndjenjat e vizitorit të përmalluar. Vazhdon me Zogun, të cilin e ngre në qiell duke e krahasuar me Skënderbeun. Pastaj përgatit drurin që do të godasë veset e zyrtarëve të lartë, të politikanëve dhe pseudo-intelektualëve. E gjithë kjo është shkruar në frymën e një përbuzjeje të thellë për mendësinë anadollake të Shqipërisë. Faiku flet për kategori njerëzish që i quan herë robotë dhe herë levantinë, borrokratë pa tru, tipa që imitojnë të huajën dhe antishqiptaren. Nuk përmenden emra, por ata nënkuptohen. Këta janë në rradhë të parë njerëzit e kabinetit, me Kryeministrin Koço Kota në krye, servilët që rrethojnë Zogun e që ndodhen në çdo ministri. Atyre u ka vënë emrin kolektiv “Beberët e Bejollit”. Në njërën prej kritikave më të drejtpërdrejta për Mbretin, Faiku shkruante: Të kqyrur nga të huajt, gjer pak vjet më parë, si një popull i rëndë, i ashpër po fisnik, për të cilin një ingliz ka thënë një herë se është një popull plot dinjitet tragjik, shqiptarët sot janë bërë qeshja e botës. Pyetja është: Kush e ka fajin që zbritmë nga tragjedia në operetë? Pas mëndjes sime fajin më të madh e kanë levantinët.Në një kohë kur njerëzia sa vete e po largohet nga forma monarqike duke shfaqur përlqimin për formën republikane të governës, është një fatbardhësi e papritur për Shqipërinë që ndryshimi i regjimit u njoh aq shpejt prej të gjithëve. Mbreti i urren marrëzitë. Dëshira e tij është të zhdukë çdo ceremoni të panevojshme, të shuajë frazeologjit e fryra, t’arrijë në simplicitetin fisnik që ka, për shembull ka oborrin e Danimarkës dhe të Norvegjisë. Por në vend të gjejë përkrahje të mençur për këtë dëshirë të tij, gjen kundërshtime se dallkaukët që e rrethojnë duan të tregojnë zell, një zell i cili duhet të na verë në dyshim për kthjellësinë e tyre. Se po ta donin Mbretin me të vërtetë, do të mundoheshin t’i rritnin nderin në sy të botës. Botimi i serisë “Shqipëria si mu duk” shkaktoi zemërim në Tiranën zyrtare. Të gjithë ndiheshin të poshtëruar. “Krejt kabineti i Zogut, pa asnjë përjashtim është kundër Faikut”, i raportonte Uashingtonit ministri në Tiranë, Hart.

Ilir Ikonomi shkruan edhe për analogjinë e ditëve tona me fenomenin e korrupsionit. Sado të përpiqeshin ato gazeta të mbronin pjatalarësin e Brocktonit, nuk mund t’i fshinin dot pjatat e tij të ndotura”. Pjatat e ndotura ishin korrupsioni. Në artikullin e Diellit të asaj kohe kupton se nuk kanë ndryshuar disa gjëra në botën shqiptare. Koço Kota, shkruante Dielli, “ka blerë dy çifligje nga tri mijë napolona secilin, po bën edhe një hotel në Tiranë, i cili do të kushtojë nënëtë mijë napolona, ka aksione në disa shoqëri tregtare që veprojnë në Shqipëri dhe të gjitha këto i ka fituar në një kohë shumë të shkurtër me një rrogë kryeministri që thuhet se nuk është më tepër se njëqind e pesëdhjetë dollarë në muaj… Kur hipi në fuqi, Koço Kota ishte aq i vobektë sa s’kish para të blejë një palë këpucë. Në qoftë se kjo është e vërtetë, ahere nga i nxorri tërë këto mijë napolona Koço Kota në një periudhë pesëvjetësh?”…

Duket se kusaritë për të cilat përgojohej kabineti e kishin zhgënjyer Faikun. Mospërfillja e tij për qeverinë e Tiranës ishte e dukshme. Zogu dhe Ministria e Jashtëme rrallë informoheshin nga ministri në Uashington për çfarë ndodhte në Amerikë. Mbreti i druhej një acarimi të marrëdhënieve me ministrin në Uashington (Ambasadorin e tij në Amerikë), sepse armiqësimi me të mund t’i sillte vetëm telashe, ndërkohë në simbiozën e të dyve, Faiku i bënte një shërbim të çmuar kreut të shtetit shqiptar. Ish Ambasadori amerikan Charles Hart në Shqipëri, pasi mbaroi shërbimin e tij diplomatik në Shqipëri u ftua në Boston nga Faik Konica për t’u njohur me “Vatrën” dhe e çoi në zyrat e saj. Shtroi një drekë të madhe në hotelin e bukur Bellevue dhe të dy mbajtën fjalime. Faiku e këshilloi të mos i ndërpriste lidhjet me Shqipërinë. Duke i thënë: “Miqtë tuaj të shumtë në Shqipëri dëshirojnë që ju të shkoni çdo mot një pjesë të pushimit tuaj”. Hart tha se ishte prekur thellë nga respekti që kishte treguar Faiku për të. Shpjegoi se në Shqipëri kishte qenë dëshmitar i “stabilizimit të qeverisjes dhe i realizimit të një programi të madh përmisimesh, si ndërtimi i rrugëve, i urave dhe i centraleve elektrike dhe çka ishte më e mira zgjerimi të përgjithshëm i sistemit të shkollave publike. Brendapërbrenda, Hart nuk dukej të kishte simpati për Zogun, për të cilin në një rast i raportonte UASHINGTONIT SE “NUK KA BËRË ASGJË PËR POPULLIN E TIJ”.Megjithatë, aikishte krijuar marrëdhënie të afërta me Mbretin, respekti i të cilit për Amerikën ishte i padiskutueshëm. Aq konfidenciale ishin raportet sa, në një rast, kur ministri do të shkonte në Amerikë për pushime, Zogu e kishte thirrur dhe i ishte lutur t’i gjente një nuse amerikane, me kushtin që vajza të ishte jo vetëm e bukur dhe tërheqëse, por edhe e pasur. Hart kërkoi dhe u kthye me një listë, mirëpo kushti që vajzat të kishin një million dollarë i rrëzoi të gjitha kandidaturat. Në vend të Hartit në Shqipëri, Presidenti Hoover emëroi një tjetër gazetar. Ky ishte një hebre i shquar, i quajtur Herman Bernstein. Kishte bërë karrierë me inervistat që, si korrespondent i gazetës New Jork Times në Europë, u kishte marrë disa njërëzve më të njohur të botës: Leon Trockit, Albert Eishtein, Papa Benedikt XV, Woodrow Willson, Henry Ford, Leon Tolstoi, Bernard Show dhe Auguste Rodin. Bernstein ishte autor i librit Herber Hoover, njeriu që e solli Amerikën në botë. Në fund të marsit 1930 Benstein u përcoll për në Shqipëri me një darkë të madhe në hotelin Asor të Nju Jorkut. Faiku i cili ishte mes të fuarve, mbajti një fjalim: “Bernstein – tha ai – bashkon në personin e tij dy gjëra që rrallë rrinë bashkë: ëndrrën dhe veprimin. Ai është si njeri i letrave edhe njeri i veprimit, si ëndrrimtar ashtu edhe luftëtar”.  Pastaj, me stilin e tij tërë kripë, Faiku iu kthye temës së tij të dashur, imazhit të Shqipërisë. Një gjë që zoti Bernstein ka për të vënë re menjëherë është ndryshim i madh mes Shqipërisë siç është dhe Shqipërisë siç e kanë përshkruar gazetarët. Faiku nisi të kritikojë ata që “çpikin lajme mbi Mbretin e Shqiptarëve”. Bernsteini ia paraqiti letrat kredenciale Zogut më 29 prill 1930. Që nga ajo ditë, ky njeri i palodhur nuk rreshti së dërguari raporte të hollësishme Departamentit të Shtetit. Ai kërkonte të informohej mbi simpatitë e ministrave të kabinetit, sa të korruptuar ishin, cilit shteti të huaj i shërbente njëri apo tjetri. Si gazetar dhe shkrimtar i profesionit, Bernstein vdiste për të mësuar mekanizmin misterioz të fuksionimit të mbretërisë shqiptare. Një ditë për shembull, përfaqësuesi diplomatik i Jugosllavisë në Tiranë, Nastejeviç, i kishte lënë të kuptohej se nuk shihte asgjë të keqe që kishte paguar Musa Jukën, ministrin e brendshëm, njeriun më me personalitet të kabinetit. Më 1932, kur Bernstein shkoi në Amerikë për pushime, Faiku posaçërisht shkoi në Nju Jork për ta takuar dhe për ta ftuar për darkë si ta kishte mik të vjetër. Gjatë ditëve që ndejti Në Amerikë, Bernsteini nuk pushoi së foluri mirë për Shqipërinë. “Në Shqipëri, Lindja dhe Perëndimi kryqëzohen si në asnjë vend tjetër. Gratë shqiptare respektohen shumë nga burrat. Një grua që udhëton e vetme është e sigurt kudo në Shqipëri. Asnjë burrë nuk ka pse të ketë frikë nga gjakmarrja e vjetër nëse ai është i shoqëruar nga gruaja apo vajza e tij”. Ndërsa për Zogun ai thoshte: “Ai është një djalosh 36 vjeçar, i gjatë dhe inteligjent, i cili rrezaton thjeshtësi, dinjitet dhe ekuilibër”. Kur Presidenti Hoover humbi zgjedhjet në garën presidenciale të vitit 1932, Faiku i shkruante Bernsteinit: “Druhem se rezultati i zgjedhjeve do ta shkurtonte misionin tuaj diplomatik në Shqipëri. E di se Shqipëria do të humbiste një mik të mirë e të sinqertë, por shpresoj se lidhjet tuaja me vendin tim nuk do të ndërpriten kurrë”. Një vit më vonë Zogu i dha atij Kordonin e Madh të Urdhërit të Skënderbeut, tituli më i lartë që i akordohej një të huaji. Në ceremoninë e thjeshtë, që ishte organizuar në hotelin Ritz Carlton më 23 mars 1934 Bernstein nuk i përmbajti dot emocionet. “Amerika dhe amerikanët-tha ai-janë jashtëzakonisht popullorë në vendin tuaj. Ata nuk harrojnë se si Presidenti Willson e ndihmoi Shqipërinë në Konferencën e Paqes për të rifituar pavarsinë tuaj. Shqipëria është ndër të paktat vende në Europë që i ka Amerikës vetëm detyrime dhe borxhe morale. Kjo e ka shtuar popullaritetin e Amerikës në Shqipëri”. Medaljen nga Uashingtoni në Nju Jork e pruri Faik Konica dhe ia kreu ceremoninë. Bernstein dërgoi 100 letra në adresë të njerëzve të njohur në vende të ndryshme të botës, ku i pyeste se çfarë formule propozonin për arritjen e një paqeje të qëndrueshme? Nga përgjigjet që iu kthyen, Bernstein përgatiti një libër me titull “A mund të shmangim luftën”. Libri u botua në prill të 1935 dhe Faiku ishte ndër të parët që e lexoi. I shkroi menjëherë Bernsteinit dhe e përgëzoi. Kjo ishte ndoshta letra e fundit për të, sepse Bernsteini vdiq më 31 gusht të 1935 nga një goditje në zemër. Faiku ishte lexues i rregullt i revistës së përmuajshme The Judge (Gjykatësi), një nga botimet më të mira satirike të Amerikës e cila shpallte çdo numër çmimin prestigjioz High Hat (Kapelja e Lartë). Në fund të vitit 1938 çmimi Kapelja e Lartë iu dha Faikut. Në të kaluarën fitues të çmimit kishin qenë Edgar Hoover i njohur si drejtori i parë i FBI-së në Amerikë, prokurori i Manhatanit, Thomas Dewy, piloti i guximshëm Charle Lindbegh dhe Presidenti Franklin Roosvelt. Siç do të shkruante gazetari më me emër në Amerikë në atë kohë Dew Pearson për Faikun se ai përfaqësonte një ndër vendet më të panjohura të botës, por ishte bërë ndër diplomatët më të shquar të Uashingtonit. Faiku nuk njihej si njeri servil e lajkatar. Ai e kishte në majë të gjuhës për ata të huaj që përpiqeshin ta ulnin dhe poshtëronin publikisht Zogun. Faiku kërkoi një lutje për të lexuar një lutje për gazetarët që sajonin të pavërteta për Shqipërinë dhe Mbretin. Është një lutje tha ai që vlen për të gjitha besimet. Jepna një ndjenjë të hollë drejtësie që të praktikojmë dhe të predikojmë paanshmërinë! Shpëtona nga kurthet gramatikore, nga gafat gjuhësore dhe nga gabimet e shtypit. Amin! Faiku nuk e takoi kurrë Zogun. Por siç do ta pohonte ai vetë nuk kishte ndonjë respekt për Mbretin si individ, ndërkohë që marrëdhëniet e tij me zyrtarët e qeverisë mbetën të ndera. Me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë, Faiku iu përgjegj ftesës me një telegram fyes ku thoshte se nuk do të shkonte kurrë në Tiranë për sa kohë që Koço Kota të ishte kryeministër. Ky mund të ishte preteksi, sepse tërthorazi zemërimi i tij ishte me Zogun, për të cilin publikisht thoshte vetëm fjalë lavdërimi.

__________________

Kastriot KOTONI

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *