
Nga Osman STAFA
Zoti Kryeministër,
Ndërsa ju shëtisni përmes kopshtit “Eden” që u ndërtua për 4.3 milionë euro brenda godinës së Kryeministrisë, vetëm pak kilometra më tej, në Spitalin Onkologjik, gratë me kancer gjinekologjik presin me shpresën që një pajisje (brakiterapia) të ndizet, të punojë. Ajo s’është në funksion, pasi s’është kryer proçesi i mirëmbajtjes.
Ajo pajisje të ndihmon të luftosh për jetën z. Rama. Po, për jetën. Ajo fjalë që nuk mbillet si pishat e palmat me kosto prej 8 milionë eurosh, që u hoqën e u thanë, me zgjerimin e rrugës Tiranë-Durrës.
Ju që hodhët në orbitë 6 milionë euro për dy satelitë që, deri më sot, nuk kanë parë as kancerin, as korrupsionin, e as skamjen, a do ta ktheni ndonjëherë vështrimin tokësor? Se në tokë po rrezikojnë të shkojnë drejt fatalitetit, gra.
E kuptojmë, ndoshta brakiterapia nuk është për foto instagrami e nuk të jep sharmin e palmave, as sfondin për story, por është më e vlefshme se çdo gjeth i kopshtit tuaj publikuar në facebook.
Të paktën një herë, vendosni prioritetin tek jeta. Jo tek luksi. Jo tek fasada.