
Nga *Pierre POILIEVRE
Për të bindur kanadezët se Partia Liberale nuk është më partia e deficiteve dhe inflacionit, liberalët zgjodhën që në minutën e fundit ta zëvendësonin të riun dhe naivin Justin Trudeau me teknokratin e rreptë dhe kursimtar Mark Carney.
Kostumi i bankierit dhe çorapet blu kanë zëvendësuar veshjet e çuditshme dhe çorapet shumëngjyrëshe. Slogani i Carney-t “shpenzo më pak, investo më shumë” është thjesht një mënyrë tjetër për të thënë të njëjtën gjë që përsëriste Trudeau: se buxheti do të ekuilibrohet vetë.
Disa e konsiderojnë këtë një ndryshim të madh. Por çfarë thonë shifrat?
Këtë javë, Mark Carney paraqiti projektligjin e tij të parë për shpenzimet për vitin 2025-2026. Dhe nëse e krahasojmë me Trudeau, bilanci nuk është thjesht i keq – është edhe më i keq.
Pavarësisht premtimeve për të “shpenzuar më pak”, projektligji i tij parashikon rritje shpenzimesh me 8% krahasuar me vitin e fundit të Trudeau në pushtet. Në fakt, shpenzimet federale do të rriten thuajse trefish më shpejt se inflacioni dhe rritja e popullsisë së bashku.
Po flasim për një projektligj shpenzimesh prej gjysmë trilioni dollarësh – pa asnjë buxhet të paraqitur. Familjet me një prind, pensionistët dhe bizneset e vogla e të mesme duhet të bëjnë një plan para se të shpenzojnë. Si ka mundësi që Mark Carney, “gjeniu” i financave ndërkombëtare, nuk bën dot të njëjtën gjë, edhe pse për javë të tëra ka përsëritur se “ka një plan”?
Për më tepër, këto nuk janë “investime”. Konsulentët do të marrin një shumë rekord prej 26 miliardë dollarësh – një rritje prej mbi 36% brenda një viti. Kjo përkthehet në më shumë se 1400 dollarë për çdo familje kanadeze. Ndërkohë, shpenzimet për burokracinë janë rritur me 6% dhe kanë kaluar 63 miliardë dollarët, duke tejkaluar sërish inflacionin dhe rritjen e popullsisë.
Në fjalimin e tij të fronit të lexuar nga Mbreti, Carney premtoi se do t’i kufizonte shpenzimet operative në 2% në vit. Por vetëm disa orë më vonë, qeveria e tij paraqiti një projektligj që rrit shpenzimet e përgjithshme me 8%.
Liberalët mund të kenë ndërruar lider dhe të kenë kopjuar fjalorin ekonomik të konservatorëve. Por ajo që ka rëndësi janë faktet – dhe faktet nuk gënjejnë.
Kjo është po e njëjta skuadër liberale, me të njëjtat shpenzime liberale. E njëjta recetë do të prodhojë të njëjtin rezultat: më shumë borxh, më shumë inflacion, më shumë taksa.
Të rinjtë kanadezë do ta kenë ende të pamundur të blejnë një shtëpi, nënat që rrisin vetëm fëmijët do të vazhdojnë të presin në radhë për ndihmë ushqimore, dhe disa nga të moshuarit tanë do të detyrohen të zgjedhin mes bukës dhe ngrohjes.
Ne Konservatorët do të shkurtojmë në mënyrë drastike burokracinë, konsulentët, subvencionet për korporatat, ndihmën e huaj dhe çdo shpenzim të panevojshëm – për të ulur borxhin, inflacionin dhe barrën tatimore. Do të vendosim gjithashtu një kufi për shpenzimet. Në vend që të shtypim më shumë para, ne duam të rikthejmë paratë në xhepat e kanadezëve.
Nuk kemi nevojë për një kryeministër me CV të re, kostum të ri apo çorape të reja.
Ne kemi nevojë për një drejtim të ri. Që të vijë vërtet ndryshimi.
___________________
*Autori është kreu i Partisë Konservatore të Kanadasë
Burimi: Journal de Montreal 29.05.2025