Monday

27-10-2025 Vol 19

Miku im më i mirë…

Nga Kasriot KOTONI 

______________________

“Miku im më mirë, ai që më çoi drejt një libri të ri”

Abraham Lincoln

Historia e librit fillon diku në pjesën jugore të Mesapotamisë, me popujt më të vjetër të historisë njerëzore-sumerët, të cilët krijuan një civilizim jashtëzakonisht të lartë. Ky popull supozohet se ka ardhur nga veriu diku nga zona e detit Kaspik dhe u shtri në pjesën ndërmjet lumenjve Tigër dhe Eufrat dhe shkëlqeu me një zhvillim i cili do të frymëzonte edhe qytetërimet e tjera të mëdha në Lindjen e Mesme. Sumerët pasi humbin pavarësinë politike nga mijëvjeçari III, shpejt zhduken nga skena historike. Trashgimtarët e tyre në këtë zonë: akadët, babilonasit, asirianët e çojnë më tej civilizimin e tyre. Sumerët ishin të parët që e kanë përsosur shkrimin ideografik dhe gradualisht, e kanë thjeshtuar dhe e kanë shndëruar në sistem shenjash me tipare gjithnjë e më të theksuara fonetike. Në një qytet me emrin Uruk janë zbuluar disa qindra rrasa argjile të shkruara me shkrim piktografik, që datohen nga mesi i mijëvjeçarit IV para erës së re. Në atë kohë sumerët përdornin 2000 shenja (piktograme). Në gërmadhat e shtetit sumer e kulturës së tyre do të zhvillohet shteti i fuqishëm i Babilonisë. Lulëzimi i shkrimit gjatë sundimit të Hamurabit në shekullin XVIII para erës së re, babilonasit zhvillojnë një prodhimtari të fuqishme të librave. Ky qytet sipas arkelogut gjerman R.Koldevej, është quajtur qyteti grafoman dhe në këtë qytet janë gjendur 600.000 rrasa argjile babilonase me përmbajtje nga më të ndryshmet. Në qytetin Ebla të Sirisë është zbuluar një nga biblotekat më e vjetra e hulumtuar në Lindjen e Mesme me 17.000 rrasa. Edhe pse e djegur bibloteka ka aq shumë rrasa të pa deshifruara dhe pjesa më e madhe janë regjistra me përmbajtje ekonomike, administrative, juridike, udhëresa të ndryshme mbretërore, tarktate tregtare ndërmjet shteteve. Në qytetin sumer Lagash janë zbuluar 100.000 rrasa argjile. Babiloni ishte mbushur me shumë bibloteka private, kështu, përmendet bibloteka e pasur e familjes Egibi, përveç rrasave të argjiles kishte edhe rule lëkure. Një popull tjetër i cli u shqua për kulturën e shkrimit ishin fenikasit të cilët u shfaqën në shekullin e tretë para erës së re. Ata banuan në njërën pjesë të Sirisë dhe të Libanit. Nga qytetet fenikase Biblos, Sidon, Tir e qytete të tjera niseshin anijet e tyre tregtare në të gjitha anët e Mesdheut, ndaj këtij populli i lindi nevoja për një tip shkrimi të ri më të thjeshtë e më praktik se shkrimi kunjor, heroglifik e shkrime të tjera. Shkrimi fenikas ka pas 22 shenja me të cilat shkruheshin bashkëtingëlloret; fenikasit nuk kanë patur shenja për zanoret. Këtë do ta bëjnë vetëm grekët të cilët do t’ia përshtasin shkrimin fenikas nevojave të veta. Fenikasit janë shquar si krijuesit e alfabetit. Që nga shekulli XI ata e blejnë papirusin në Egjipt e ua shesin popujve të tjerë. Meqë papirusi të cilin e blenin grekët prej fenikasve, kalonte nëpër qyetetin e Biblos, kjo u bë arsyeja që ata, së pari papirusin, e pastaj edhe librin e quajtën biblos, sipas këtij qyteti fenikas. Kartagjena njihet si nga qytetet që është rrënuar nga prijësi ushtarak Scipion i Afrikës në vitin 146 para erës së re. Ai ua shpërndau librat sunduesve fqinj afrikanë. Libri i dytë i Makabesë përmendet në biblotekën e Nehemia dhe është quajtur libri i hebrenjve ose libri i shenjtë. Jeruzalemi ka në tempullin e tij shumë fakte për bibloteka. Bibloteka e Kumranit ngjalli interesim të madh të ekspertëve për hulumtime biblike dhe janë shkruar libra në gjuhën hebraike qysh në shekullin e I të erës së re, kurse pjesa tjetër në gjuhën arameje e greke. Pikërisht, për nevojat e hebrenjve, të cilët jetuan në Egjipt, është bërë përkthimi i rëndësishëm i “Dhjatës së Vjetër” të njohur si Septuaginta. Civilizimi i madh egjiptian në të cilin fjala e shkruar ka pasur vlerë të veçantë, sa që të dije të shkruaje e të lexoje siguroje një status të privelegjuar në shoqëri. Me shkrimin e vet dekorativ hieroglifik egjiptianët më së shpeshti kanë shkruar në rrasat të tempujve, të varrezave e të godinave të tjera ose të tjera ose dru, më rrallë edhe në materiale të buta. Materiali më i zakonshëm i shkrimit, gjatë kulturës egjiptiane, ishte papirusi. Për të shkruar egjiptianët përdornin kërcellin e një bime moçalike të gjatë 16-23 cm në njërën anë mprehej pjerrtazi. Piktura të shumta tregojnë se si e ushtronin punën e tyre shkruesit. Ata gjynjëzoheshin me këmbën e majtë, kurse me këmbën e djathtë të ngritur mbështetsinin dorën e majtë në të cilën mbanin rulin. Prodhimi i kufizuar i librit në klasat e klerikëve e burrokratëve tregon, pse biblotekat ishin të rralla e të varfra. Me përjashtim të atyre që ishin pronë indiviuale. Sipas historianit grek i shekullit të parë Diodor Siciliani dimë për ekzistencën e biblotekës së faraonit Ramzesi II (1292-1225) para erës së re në qytetin e Tebës. Termi kryeshef i librave dhe i biri i tij shef i librave. Bibloteka e vetme në Egjiptin e Vjetër, për ekzistencën e së cilës nuk mund të dyshohet, është ajo që është zbuluar në tempullin e zotit Horus në vendin Edfa. Kultura minoike në Kretë ushqyen shumë elemente të civilizimit, që shënuan fillimin e frymës evropiane në art, letërsi dhe kulturë në përgjithësi, këto kultura ndër të tjera, do të jenë të parat në truallin evropian, të cilat do të përdorin shkrimin. Në Kretë së pari shkrimi paraqitet me formën e shkrimit piktografik. Më vonë do të zhvillohet shkrimi i ashtuquajtur linear A, kurse në kohën e civilizimit mikenas në gjysmën e dytë të mijëvjeçarit II, në Kretë, e veçanërisht në truallin grek, do të shkruhet me shkrimin linear B. Me këtë shkrim janë deshifruar shumë rrasa të argjilës. Nuk ka vazhdimësi ndërmjet shkrimit kreto-mikenas dhe shkrimit të mëvonshëm grek. Shkrimin e vet grekët e kanë prej popullit fenikas. Për librat e Jonit e biblotekat e tyre, nuk ka shumë të dhëna. Bibloteka e qytetit të Jonit është shkatëruar nga Persët. Kjo zonë u bë porta nëpërmjet së cilës shkenca e Lindjes së Mesme dëpërtoi drejt botës greke. Zhvillimi i Athinës si fuqia më e madhe politike-ekonomike e botës helenistike solli edhe qendresën intelektuale nga Azia e Vogël në Ahtinë. Athina u bë qendër e kulturës së librit, kurse mes qytetarëve të saj shkrimi ishte përhapur shumë saqë papiruset vareshin në mure ose shkrimi gdhendej në gur për të komunikuar me publikun. Populli misterioz i etruskëve për të cilët shkruan Tit Livi shkrimtar romak dhe perandori romak Klaudi, i cili i ka njohur shumë mirë historinë e etruskëve i përmend në veprën “auctores Tusci” autorët etruskë, si shkrimtarë të veprave historike dhe aristike. Etruskët morën nga grekët alfabetin me të cilat shkruan librat e tyre që nga mesi i shekullit VIII deri në shekullin e III para erës së re. Etruskët librat i kanë shkruar me beze (libri lentei). Deri më sot është ruajtur vetëm një ekzemplar i vetëm i librit etrusk. Libri është I gjatë 13,75 cm me tekst që ka rreth 1500 fjalë dhe është punuar në Etruri. Romakët ranë në kontakt me etruskët dhe grekët e Italisë së Jugut (Magna Grecia) prej të cilëve kanë mësuar të shkruajnë e ta çmojnë librin. Nga luftërat punike gjeneralët sillnin me vete jo vetëm skllevër dhe ar, por edhe bibloteka të tëra që i plaçkisnin nëpër qytetet e pushtuara greke. Kështu Lucil Emili Pauli solli në Romë biblotekën e sundimtarëve maqedonas, që gjendej në Pela, kurse Lukuli pasi theu mbretin Pontit, Mitridatin solli në Romë biblotekën më të pasur. Diktatori Sul pasi arriti në Athinë në vitin 84 para erës së re, në prenë e vet të luftës futi edhe mbeturinat e biblotekës së Aristotelit me dorëshkrimet e Aristotelit dhe të nxënësit të tij Teofastit. Krahas me depërtimet e librit grek në Romë zhvillohet edhe një literaturë në gjuhën e vendit (latine). Për kohën para Ciceronit nuk ekziston në Romë veprimtaria e organizuar e biblotekave. Në shekulln e I, para erës së re, domethënë nga mbarimi i kohës republikane, libri bëhet jo vetëm nevojë e elitës shpirtërore të shoqërisë së lartë romake, por edhe stoli në shtëpitë dhe vilat e sklavopronarëve të pasur. Veprat e Enit, Varonit, Ciceronit dhe shkrimtarëve të mëdhenj romakë kopjohen e shiten si në Romë, ashtu edhe në pjesët e tjera të perandorisë. Me Augustin, perandorin e parë romakë nis koha e artë e kulturës romake. Gjithnjë e më tej rritet ineresimi për librat e Virgjilit, Horacit, Ovidit. Perandori i stimulon botuesit që të nxjerrin në dritë veprat e tyre. Ndërtohen godina monumentale të biblotekave të reja të perandorisë. Një dukuri e re në shoqërinë romake është edhe paraqitja e biblofilëve, e madje edhe e biblomanëve të shumtë. Lukiani e Seneka janë më të llastuarit për paraqitjen e librave të tyre. Fjala e shkruar u bë e pazëvendësueshme në një territor aq të madh siç qe Perandoria Romake me qendra kulturore të një rëndësie të veçantë: si Aleksandria në Egjipt, Athina në Greqi e shumë qytete të tjera, të cilat shfaqën lulëzimin më të madh të Romës e të kulturës latine. Pulsi i lirisë së mendimit është kundër shërbimit të verbër besnik që i bëhej religjonit dhe pushtetit, i bëri shkrimtarët që të hynin në konflikt me autoritet shtetërore. Shkrimet e filozofit Protogora janë djegur publikisht në Agoran e Athinës, kurse autorit i është bërë gjyq dhe është dënuar me internim në vitin 481-411. Ndër poetët, veprat e të cilëve duheshin censuruar, sipas mendimit të Platonit, ishin madje edhe eposi i Homerit, si edhe vepra e tragjedianëve grekë. Ndërsa në Romë ndaj autorëve të papërshtatshëm, dhe ndaj veprave të tjera veprohej shumë më rreptë se sa në Greqi. Autorët kërcënoheshin me dënimin me vdekje ose internim. Në Romë nuk ishte e udhës të kritikoje perandorët dhe bashkëpunëtorët e tyre. Augusti nuk kënaqej vetëm duke i përbuzur librat e (rrezikshëm), por u sul edhe kundër autorve të tyre. Ai nuk kurseu edhe Ovidin e madh, për të cilin gjeti dënimin më të keq, me të cilin mund ta dënonte-e dëboi në Tomin e largët. 

Krahas papirusit, materiali tjetër më i rëndësishëmi shkrimit, në kohën antike, ishte pergamena. Mbi pergamenë shkruhej rregullisht në dy anët. Përsosia e pergamenit dhe nevojat gjithnjë në rritje për këtë material, bënë që, gradualisht, papirusi të dalë nga përdorimi. Një rol të rëndësishëm në këtë proces luajti krishtërimi që e preferonte përherë pergamenën para papirurusit. Me triumfin e këtij materiali, afirmohet përfundimisht edhe forma e re e librit-kodeks në vend të rulit të mëparshëm. Përparësitë e kodeksit të pergamenës ndaj rulit të papirusit ishin të shumta. Fjali ose faqe të tëra të shkruara gabimisht, mund të fshiheshin me lehtësi dhe pergama të përdorej përsëri. Forma e kodeksit ishte shumë më e thjeshtë për t’u mbajtur në dorë dhe për t’u vendosur nëpër rafte, sesa ishte ruajtja e rulave. Me afirmimin e e kodeksit të pergamenës, libri merr gjithmonë e më shumë tiparet e një objekti luksi. Nga fundi i antikitetit kopertinat e librave punohen me llamarina të argjendëta ose të arta. Me prodhimin e librave pranë kishave e manastireve të krishtera zhvillohet një varg i tërë zejesh artistike. Rëndësinë e madhe të kodikut e shohim tek porosia e perandorit Kostandin (reth viteve 280-337), drejtuar peshkopit Euzebi në Cezare për pesëdhjetë libra të Shkrimit të Shenjtë, për nevoja të kishave në Kostandinopojë. Në serine kodikëve në kohët e hershme Bizantine, përbën edhe Kodiku i Purpurt i Beratit i njohur nga shkenca “Codex Purpreus Beratinus”. Ai është i shkruar në gjuhën greke dhe përmban pjesë nga ungjijt e Mateut e të Markut dhe i përket shekullit VI të erës re me ngjyrë të kuqe, prandaj është quajtur “i purpurtë”. Mbi papirus dhe pergamenë shkruhej me fëndyell të mprehur kallami (greqisht xxlamo V; latinisht calamus. Përdoreshin gjithashtu penda shpendësh ose pena të punuara me metal. Leximet publike kanë qenë shumë të dashura në Greqinë antike, po ashtu u bënë edhe në Romën këtë mode e futi Azini Polioni, po ai romak i ditur i cili në Romë ka formuar biblotekën e parë publike. Në Romë u përhap recitimi i veprave në vende publike nga vetë shkrimtari, po ky mund të thërriste recitues profesionist. Vetë shkrimtari mund të lunate rolin e botuesit derisa kërkesa për libra ishte shumë e vogël. Nevoja që librat të arrinin në vendet e qytetet më të largëta të perandorisë Romake kërkonte punën e botuesit ai organizonte skriptoriumet (vendi ku punonin shkruesit). Këta ishin kaligrafë të stërvitur të cilët zanatin e mësonin qysh në fëmijëri. Në kohët helenistike dhe në shekujt e parë të Perandorisë Romake librat kishin mesatarisht një tirazh prej 500 kopjesh dhe librat më të lexuar mund të arrinin 1000 kopje. Çmimi i librit konsiderohet se, si në kohën greke dhe romake, nuk ka qenë tepër i shtrenjtë. Në kohën helenistike shkencëtarët, letrarët, bibliotekarët, biblofilët e të tjerë, të cilët nga kërkesat e ndryshme ishin të interesuar për risitë në tregun letrar, u gjetën para problemeve të vështira. Ata donin të dinin se ç’gjë gjendet në treg, kush shkruan dhe përse shkruan? Kjo etje për informata lindi në atë kohë një lloj të ri të publikimeve-publikime referenciale, e kjo do të thotë biblografi të ndryshme, leksione biografike. Idea që të hartohej një vepër e tillë të parit i bie ndërmend Kalimahut, shkrimtar e drejtor i Biblotekës së Aleksandrisë. Ai me veprën Pinakes në 120 vepra të cilat besohet se kanë qenë katalogët e kësaj bibloteke. Sipas shembullit të Kalimahut, në shekullin e II para erës sonë, gramatikani e drejtori i Biblotekës së Pergamit, Kratesi nga Melosi, hartoi katalogun e kësaj e bibloteke, kurse rreth vitit 100 para erës së re një katalog i ngjashëm u hartua edhe për një biblotekë në Rodos. Artemoni nga Kasandra dhe Herinios Piloni nga Biblosi hartuan katalog librash ose regjistër librash. Sundues të arsimuar nëpër pallatet e veta arrijnë të mbledhin shumë libra. Një biblotekë të tillë në Athinë e ka themeluar Pisistrati (605-527) para erës së re. Vend qendror ndër biblotekat e kohës helenistike dhe të gjithë botës greko-romake, zë bibloteka e Aleksandrisë. Nismëtar ishte greku Demetri nga Faleroni shtetar dhe shkrimtar nxënës i peripatetikut Teofrast dhe një ndër përfaqësuesit më tipik të elitës intelektuale të Athinës. Aleksandri i Madh themeloi në vitin 331 qytetin që do të mbajë emrin e tij. Dinastija e Ptolemeive do ta zhvilloj këtë qytet dhe do të formojnë Aleksandri Museione-akademinë e cila mendohej si universi i gjithë botës Helene. Përveç biblotekës kryesore “amë”, që gjendej pranë Museionit, Ptolemeit formojnë edhe një biblotekë më të vogël “motër”, e cila ishte vendosur në tempullin e perëndisë Serapis (Serapeion), në pjesën egjiptiane të qytetit. Mënyra më e thjeshtë e sigurimit të biblotekave të pasura për romakët, ishte plaçkitja e biblotekave në qytetet e pushtuara. Biblotekat private i krijonin duke blerë libra në tregun e Romës ose edhe në qendra të tjera kulturore të asaj kohe: si në Aleksandri, në Athinë e gjetkë. Ciceroni mbahet mend deri në ditët e sotme, si një mbledhës i librave për biblotekën e tij private. Cezari ishte i mahnitur nga çfarë kishte parë në Aleksandri dhe vendosi të ngrejë një biblotekë publike, të ngjashme me atë të Ptolemeive, nga e cila, si duket, mendonte të barte një pjesë të thesarit librar në Romë. Kësaj sipërmarrjeje iu besua Mark Terenc Varonit një njeriu të dëgjuar. Trashëgimtarët e Agustit vazhdojnë të ndërtojnë bibloteka. Një biblotekë e madhe publike ishte vendosur në tempullin e madh, që ishte ngritur për nder të Augustit e të gruas së tij Livia. Biblotekën private më të rëndësishme në Romë e ngrti në vitin 113 të erës së re perandor Trajani. Në kohën e Trajanit dhe Adrianit pjesa më e madhe e biblotekave themelohet jashtë Romës. Në fillim të shekullit të II të erës së re, në Efes ndërtohet bibloteka e njohur e Celziusit. Po ashtu edhe në Konstndinopojë në vitin 356 perandori Konstanci II themelon biblotekën e madhe perandorake e cila t’i shërbente Shkollës së Lartë të themeluar më parë në këtë qytet. Për interesat e tyre filluan të mbledhin libra edhe shkollat fetare. Çfarë ndodhi me librin në agim të mesjetës, libri bëhet objekt luksi, objekt magjik. Luftrat e gjata mes barbarëve dhe të krishterëve me kundërshtarët e tyre i zhytën edhe në shkatërrimin e biblotekave dhe djegien e librave deri në zhdukje pa gjurmë së bashku me qytetërimin e tyre. Afrika Veriore dhe Spanja u bënë strehë e re e biblotekave të manastireve. Isidori i Seviles (shkrimtar spanjoll i viteve 570-636), autor i Enciklopedisë antike të Mitologjisë ka pasur një numër të madh veprash të shkrimtarëve antikë. Një nga pasojat më të këqija të shkaktuara nga pushtimi i barbarëve ishte asgjesimi i sistemit shkollor, në të cilin bazohej kultura antike. Në shkolla përgatiteshin nënpunës, diplomat, klerikë e kështu me radhë. Oaze të shkrimit bëhen manastiret, mirëpo në to, jo të gjithë murgjit dinin të shkruanin e të lexonin. Vetë Shën Benedikti në rregullat e veta, që i kishte hartuar për manastirin në Monte Kasino, përmend murgjër analfabetë. Me pak fjalë, Europa i kthehet komunikimit gojor, sepse fjala e shkruar bëhet e rrallë edhe e papërshtatshme për pjesën më të madhe të njerëzve. Njeriu më i arsimuar në mesjetën e hershme ishte murgu anglez ALKUIN i cili i mbushte mendjen Karlit të Madh që të hidhte shikimin drejt shkollimit dhe t’i kushtojë kujdes të madh. Ky sundimtar i fuqishëm, i cili ishte gjysëm analfabet (lexonte me vështirësi, kurse shkrimin nuk e kishte mësuar kurrë), dha urdhër që nëpër manastire e peshkopata të hapeshin shkolla duke nxitur përtëritjen e shkrimit. Kjo kohë historike është e ashtuquatura resenansë karliane. T’i afroje shkencën e Krishtit turmës “vulgut” analfabetë ishte detyrë e madhe. Fjala e gjallë, të cilën me aq pasion e theksonte Gregori i Madh, ishte gjithsesi mënyra më e përshtatshme që të bashkohej krahas shkrimit edhe ilustrimi nëpërmjet figurës, për t’u ardhur në ndihmë besimtarëve analfabetë. Komunikimi nëpërmjet ilustrimit do të marrë një rëndësi të veçantë më vonë, kur me teknikë ksilografike shtypeshin   vizatimet e shenjtorëve edhe në libra do të dominojnë ilustrimet, kurse teksti në ta do të ketë rol të dorës së dytë. Në shekujt VI, VII, E VII kemi një zhvillim të madh të palimpsestas. Kishte ndodhur që shumë libra të antikitetit ishin zhdukur dhe djegur dhe ishte mbajtur një qëndrim negativ ndaj atyre autorëve grek e romakë i quanin “shkrimtar paganw” nga shumica e njerëzve të krishterë. Pra shumë libra do të rishkruhen dhe këto janë quajtur palimpsesta i tillë ekziston sot në biblotekën e Vatikanit libri “Republika” i Ciceronit. Në shekujt e mëvonshëm interesi për autorët antikë do të jetë më i dukshëm. Në kohët antike nga vulgu libri i atribohej kulti i magjisë. Disa librave u atriboheshin cilësi mbinatyrore. Për egjiptianët e vjetër, hebrenjtë e për popujt e Lindjes së Mesme, si dhe për romakët, disa libra ishin të “Shenjtë” dhe prandaj nderoheshin në mënyrë të veçantë. Jo rrallë kishin edhe aftësinë e të mjekuarit nga sëmundje të rënda, e mund të sillnin fat nëse prekeshin, kurse gruas i siguronin pjellori e kështu me rradhë. Natyrisht me aureolin e shenjtërisë është libri i Biblës. Tipari kryesor i kulturës së manastireve në Europën mesjetare ishte prodhimi dhe ruajtja e librit. Në to murgjit e zellshëm do t’i rishkruanin librat, do t’i stolisnin librat. Quhej gjë normale që çdo manastir kishte biblotekën e vet dhe ishte krijuar proverbi i njohur “Monasterium sine libris est sicut civitas sine opibusë mensa sine cibis”, që do të thoshte: “Manastiri pa libra është si qyteti pa mure”. Skriptoriumi mesjetar nuk dallonte esencialisht, nga organizimi e pajisjet e skriptoriumeve të kohës antike, vetë emri scriptorium kishte të bënte me lokalin në të cilin murgjit i shkruanin librat. Skriptoriumet e veçanta kanë pasur vend për tre deri në dymbëdhjetë rishkrues. Shkruesit me përvojë të madhe, të cilët mund t’i merrnin vetë porosi për hartimin e kaligrafive të bukura, i quanin “antiquarli”, kurse shkruesit e zakonshëm të cilëve u besoheshin punëra të zakonshme quheshin “skriptores” (shkrues) ose “librari’. Ishin miniaturistët dhe ribricatores mjeshtra të cilët punonin gërmat me ngjyra pikturonin ilustrimet i kryenin iluminatorët. Në fund libërlidhësi dhe për libra të veçantë nëse e kërkonte porositësi hynte artizani i cili i stoliste kopertinat me llamarinë të artë ose me të argjendtë të punuar në mëyrë artistike, me gurë të çmuar. Njihet manastiri i Vivarium në Kalabrinë Jugore me të famshimin Kasidor i cili e shndërroi këtë manastir në qendër shkencore duke rishkruar të gjitha veprat e autorëve greko-romakë. Kasidori shkruante në veprën e tij me titull Variae “Qëllimi ynë është gjithsesi të krijojmë diçka të re, por aq më tepër ta shpëtojmë atë të vjetrën”. Për ringjalljen e shkrimit e për nxitjen e kulturës së re, mesjetare, në Europën kontinentale, është shumë i rëndësishëm roli i manastireve, të themeluar nga misionarët irlandezë e anglosaksonë në mesjetën e hershme. Në shekullin e V, Irlandezët e marrin krishtëimin me meritën e Shën Patrikut, misionar i cili kishte ardhur nga Galia. Shekujt VI-VII janë shekujt e themelimit të manastireve, të cilët bëhen bartës së jetës fetare, por edhe të asaj politiko shoqërore e kulturore. Në to do të kultivohet arti i veçantë origjinal neokelt; do të zhvillohet shkrimi i veçantë, i ashtuquajturi shkrim “scriptura scotica”, një ndër më të bukrit në mesjetën europiane. Në këto manastire u rishkruan me zell të madh librat që i merrnin nga Roma, por edhe nga qendra të tjera europiane. Invadimet vikinge të shekujve IX-X shkatërruan të gjithë prodhimin e murgjëve irlandezë. Ndër librat që mundën të shpëtonin nga shkatërrimi, duhet përmendur evangjelisti i njohur i cili është zbuluar në manastirin Kells dhe sipas emrit të manastirit është quajtur libri “Book of Kells” (Libri i Keellsit). Ky libër i prodhuar në vitin 800 është i stolisur në mënyrë luksoze. Misionarët irlandezë e shtrinë rrjetin e tyre të manastireve në Francë, Itali dhe Zvicër e Gjemani, luajtën një rol të madh në prodhimin e librit dhe shkrimin e tij. Kriza e prodhimit të librit filloi në shekullin XIII, si pasojë ra veprimtaria rishkruese e (scriptoriumeve nëpër manastire), ska kush t’i shkruajë edhe pse merren shkrues profesionist jashtë manastireve prodhimi kishte rënë. Bokaçio tek shkon në biblotekën e Monte Kazinos merr veprën e rrallë Tacitit e të Varonit, sepse murgjit ishin ose gjysmëanalfabetë ose ishin dhënë pas pijeve dhe nuk i çmonin vlerat që kishin krijuar. Kështu që nis gjuetia e librave nga sundimtarë, papë e dijetar të zgjuar, ngjallet intersi për shkrimtarët antikë dhe shkrimet e rralla. Shkrimit të minuskulës karliane ia zuri vendin më vonë shkrimi kursiv, shkrim i shpejtë praktik, që erdhi si shprehje e kulturës laike në Europën e shekullit të XIII-të. Transformimi i jetës ekonomike në Europë e në lidhje me të edhe jetës intelektuale nga manastiret nëpër qytete bëri një hapje drejt shkollave laike, në të cilat vajzat edhe djemtë mësojnë gramatikë, retorikë e lëndë të tjera. Rëndësi të veçantë ka edhe fakti, që në atë kohë paraqiten në Europë universitete në të cilat studentët përgatiten për t’u bërë bankierë, jurist, mjekë ose profesione të tjera, të nevojshme për fuksionin e kulturës së qytetit. Numri i studentëve dhe i profesorëve në qendrat e mëdha universitare si Bolonja, Parisi, Praga, Oksfordi, kërkonte një mënyrë më të shpejtë dhe ekonomike të shumëzimit të librave, sesa ishte mënyra e deriatëhershme. Puna e organizimit të botimit të librave universitar u lihej librarëve (stationarit), të cilëve univesritetet u siguronin pozitë të privilegjuar dhe fitime të sigurta. Skriptoriumi laik i qytetit ishte repart i veçant i pavarur, i cili duhej të punonte me rentabilitet, si edhe të gjithë duke filluar nga kaligrafët, iluminatorët, libralidhësit, duhet ta fitonin bukën e vet me punë. Të gjitha materialet, pergamenët, mereqepin, ngjyrat, lëkurën etj…duhet t’i siguronin prej zejtarëvetë tjerë, e jo si rishkruesit e manastireve, të cilët punën e tyre e konsideronin si vepër të devotshme, prandaj e ushtronin me dashuri e kujdes. Koha kur doli libri i shtypur nga Gutenberg nuk e ndaloi punën e skriptoriumeve. Italia ishte prodhuesja më e madhe e librave në Europë dhe qyteti i Firences bëhet qendra e prodhimit librar  dhe e tregtisë në Europë. Një rrugë në qytet, në bazë të shumë librarive, e merr emrin “Via dei librai” (Rruga e librarëve”. Aty mund të bliheshin jo vetëm libra, por mund të takoje edhe poetë, shkrimtarë dhe njerëz shumë të ditur, por edhe një numër shumë të madh kureshtarësh, të cilët dëshironin të merrnin vesh se ç’kishte të re në tregun e librave dhe se çfarë risish kishte në lëmin letrar e shkencor. Botuesi e librari më i famshëm, i cili në dyqanin e vet, joshte elitën e arsimuar të Firences së atëhershme, ishte Vespaziano da Bistiçi (1421-1498). Ai e meritonte titullin “Princi i të gjitha librave”. Ai ishte një mbledhës i dorëshkrimeve të vjetra dhe shkroi librin “Jetëshkrimi i njerëzve të famshëm të shekullit XV), në të cilin përshkruan ata shkrimtarë të cilët kishin qenë mysafir të shpeshtë në punëtorinë e tij të rishkrimit. Vespaziani punonte me prorositë e princërve e të biblofilëve më të njohur europianë të asaj kohe. Me libra ai furnizonte familjen Mediçi, papa Nikollën V për biblotekën e sapoformuar të Vatikanit, mbretin hungarezo-kroat dhe biblofilin Frederiko da Montefeltro. Lindja dhe përhapja e shpejtë e tipografive i mbylli shumë punëtori të rishkrimit. Në shekullin XVII-XVIII, aty ku nuk kishte depërtuar ende shpypi me tipografi ekzistonin librat e shtypur me dorë. Lindja dhe vdekja e librit në kohë të ndryshme ka sjellur pasoja në shoqëri. Njeherë libri kishte tjetër status, njëher tjetër ishte i magjishëm, dhe shumë herë ishte mjet komunikimi për të gjitha shtresat e shoqërisë. Paraqitja e letërsisë në gjuhën popullore veçanërisht nga shekulli XIII e këtej, ka pasur ndikim pozitiv për ta afruar fjalën e shkruar shtresave të gjëra të lexuesve. Letra ky material i ri, që shpejt do të lerë në hije të gjitha materialet e tjera të shkrimit, u paraqit në Europë së pari si mall tregtar, i cili vinte nga bota arabe. Vinte nga Damasku përmes Kostadinopojës dhe nga Afrika Veriore përmes Siçilisë, kurse për disa vende të Europës perëndimore letra vinte edhe nga Spanja. Mirëpo prodhimi i letrës ishte monopol arab. Supozohet se fabrika e parë e letrës jashtë vendeve arabe ka qenë në Vidalon, në anën franceze të Pirenejve. Zhan Montgolfie pronar i kësaj fabrike mendohet të jetë zënë rob lufte në Damask ku edhe jetoi, e pati mundësinë të shikoj si bëhej letra. Me e rëndësishme ështe se fabrika e parë e letrës dëshmohet në Itali më 1276 në afërsi të Ankonës dhe shpejt Italia bëhet prodhuesi më i madh i letrës në Europë dhe nxjerr jashtë tregut arabët. Numri i lexuesve nëpër qytete ishte rritur, me çfarë mënyre duheshin kënaqur kërkesat për librin? Çështja teknologjike ishte zgjidhur, materiali i ri i shkrimit dhe çështja e shumëzimit të librit u zgjidh me sukses nga gjermani Johan Gutenberg nga Majnci. Por siç njihet nga historia shumicën e librave Gutenbergu i shtypi për kënaqësinë e vet dhe për shtresën e njerëzve të arsimuar dhe të shoqërisë së biblofilëve që shtoheshin çdo ditë e më shumë. Kështu kemi një përplasje kulturore mes kulturës së madhe dhe kulturës humaniste e të pjestarëve të tjerë të elitës shoqërore e kulturore. Shtimi tipografive për të kënaqur masat la pasoja në zhdukjen e librit ksilografik, këtë manifestim me të vërtetë karakteristik të artit të masave e të kulturërës së masave e shohim në Rilindjen Europiane. Nxënësit e Gutenbergut dhe të Shaferit shumë shpejt hapën shtypshkronja në një varg qyetetesh të tjera gjermane. Qendër e rëndësishme e prodhimit të librit u bë Bavaria. Në atë qytet jetonte familja e madhe bankare Fuger e cila nga viti 1468 shtypte librat Gynter Cajner një mjeshtër i tipografisë. Në Nurenberg në vitin 1468 ngre shtypshkronjën e parë Johan Kobrgeri. Ky shtyp veprën voluminoze të humanistit e të polihistorianit Hartman Shedel në gjuhë edhe latinisht edhe gjermanisht. Para vdekjes së Gutenbergut, mjeshtëria tipografike i kaloi Alpet dhe bartet në Itali, vend që për një kohë të shkurtër, kjo mjeshtëri do të bëhet më e zhvilluara në Europën e atëhershme. Në vitin 1904 u ngrit një komision ndërkombëtar, që të bënte një regjistrim të të gjithë librave të shtypur nga shekulli XV, për fat të keq ky projekt nuk përfundoi. Mendohet sipas ekspertëve se numri i titujve arrinte në 40.000 me një tirazh të përgjithshëm prej afro 10.000.000 ekzemplarë. Ndikim i shtimit të tirazhit të librave ishte tejet pozitiv dhe u shtua numri i njerëzve që dinin shkrim e lexim, u përhap shkrimi në popullsinë e qyteteve, shumë bashkësi njerëzish të ngritur intelektualisht, krijuan qendra shkencore, ku debatonin çështje të rëndësishme. Librat e mirë dhe ide të reja shkencore kalojnë me shpejtësi, nga qyteti në qytet edhe shteti në shtet. Gjuha latine ishte akoma gjuhë e shkencës dhe e liturgjisë. Rrjeti librarive dhe i shpërndarjes së librit nëpër qyetet e Europës, bën që ai të gjendet shpejt në duart e lexuesit. Kalimi prej shekullit XVIII në atë XIX ishte në shumë aspekte vendimtare për fatin e librit e të biblotekave. Më 2 nëntor të vitit 1789 Kuvendi Kushtetues Popullor i Francës nxjerr dekretin me anë të të cilit biblotekat kishtare e të manastireve shpallen pronë popullore, kurse më 1792 konfiskohen edhe të gjitha biblotekat e refugjatëve politikë. Përparësi në marrjen e librave kishte Bibloteka Kombëtare, ish (Bibloteka Mbretërore), në të cilën për një kohë të shkurtër u grumbulluan 300.000 libra një numër i madh dorëshkrimesh. Libri si preh lufte në kokën e Napoleonit përpunohej idea e një qendre të kulturës botërore të ishte perandoria e tij. Kjo ide çoi në një plaçkitje të organizuar sistematike, sa që kudo ku shkelte këmba e ushtrisë së Napoleonit do të grabiteshin thesaret kulturore e sidomos librat e dorëshkrimet e rralla. Idetë e Revolucionit Francez, zhvillimi teknik, zhvillimi i shkollimit e i shkrimit, ndikuan në mëyrën e prodhimit të lirë të librit. Zhvillimi shumë i madh i fjalës së shtypur ishte frut i fitores së rëndësishme të revolucionit industrial zhvillimit të teknikës tipografike e prodhimit të letrës me makina. Tregëtimi i librave me çmime të lira ishte çelësi i suksesit i atyre shoqërive në Europë, të cilat krijuan një traditë dhe i dhanë një hov zhvillimit të kulturës dhe shkencës, që në shumë aspekte ishte vendimtare në krijimin e botës moderne. Shumë shkrimtarë të mirë nuk shkruajnë vetëm për elitën. Kështu dominon Aleksandër Dyma me romanet e tij historik dhe sentimental “Tre mosketierët, Konti Monte Kirstos etj. Në Itali Emilio Salgari shkruan romanet tronditëse për kusarët, Valter Skot e shumë shkrimtarë të tjerë shkruajnë libra udhëtimesh e me aventura. Me lindjen e gazetave fjala e shkruar merr edhe më shumë forcë. Gazetat në fillim të shekullit XIX bëhen literatura më e lexuar, sepse me anë të saj fjala e shkruar do të shkojë në çdo shtëpi. Me lindjen e gazetave fjala e shtypur do të bëhet e “mira e përgjithshme e të gjitha shtresave të shoqërisë”. Në vitin 1797 në Francë zbatohet censura shtetërore. Napoleoni me dekretin e 17 janarit konstaton se “populli francez i kishte besuar qeverisë që ta ruante sigurinë e saj” dhe një pjesë e gazetave që shtypej në departamentin Sein, ishte instrument në duart e armiqëve të Republikës. Napoleoni dha urdhër që të ndaloheshin 60 gazeta; të mos lejohej shtypja e të rejave. Napoleoni e kuptoi rrezikun që i vinte shtypi i lirë. Zhvillimi i madh i shkencës solli edhe hapjen e revistave shkencore të cilat jepnin informacione për arritje në shumë zbulime shkencore dhe daljen e teorive të reja të cilat gjenin shpejt rrugën deri tek ata që intereosheshin për to. Akademitë, institucionet shkencore dhe shoqëritë publikonin një numër shumë të madh revistash shkencore. Nga vitet pesëdhjetë të shekullit XIX filluan të dalin edhe lista e “librave më të mirë”, kurse nga mbarimi i shekullit doli dhe idea e krijimit të një biblografie botërore e të gjithë librave të shtypur që nga shekulli XV. Në përfundim të shekullit XIX në Angli Franc, Gjermani, Itali biblotekat marrin statusin e institucioneve kombëtare. Ngarkohen me detyrë kombëtare ta ruajnë thesarin librar të popullit të cilit i takojnë, si institucione publike, të cilat mund t’i shfrytëzonin të gjithë ata që merreshin me shkencë, pa marrë parasysh origjinën e pozitën shoqërore. Sallat e e leximit, klubet e lexuesve, biblotekat popullore së pari në Angli, e pastaj edhe në vende të tjera europiane bëhen edhe për lexuesit e gazetave. Në Angli do të lindin biblotekat shëtitëse në mënyrë që libri e bibloteka të ishin shtrirë edhe në fshatra. Me shumë sukses u hapën bibloteka në qendrat industriale ku kishte shkolla për punëtorët. Edhe në Amerikë erdhën idetë e iluminizmit europian dhe shumë shpejt u përhapën biblotekat publike. Nën shembullin e Franklin i cili themelon Biblotekën e parë publike në Filadelfi me emrin “Library Company of Filadelphia”, në të cilën anëtarësohen 50 veta. Kjo librai ishte nismëtaria e biblotekave popullore në Amerikë, por edhe në botë. Më pas shtohen biblotkat e shkollave dhe të univeristeteve. Biblotekat e universiteteve kthehen në qendra të vërteta shkencore dhe ato maten jo vetëm me numrin e librave, por edhe me rëndësinë që marrin punimet shkencore. Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, përcaktoi edhe fuqinë e fjalës së shkruar si kurrë ndonjëherë dhe u quajt me të drejtë “revolucioni i librit” që do të ndodhë pas mbarimit të luftës së dytë botërore sipas (R.Eskarpit). Për statistikat e numrit të ekzemplarëve të shypur sot merret edhe Unesko dhe kemi një fakt intaresant se janë shtypur për një vit 5 miliardë ekzemplarë librash në vitin 1970. Në shekullin e XXI format e reja të librit me kohën e internetit janë të paparashikuara, sepse zhvillimi i vrullshëm i tekonologjisë, nuk qanë hallin e lexuesit dhe të autoritetit të fjalës së shkruar. Inteligjenca artificiale do të jetë edhe shkopi edhe karrota dhe ka bërë që shumë njerëz të ngazëllehen nga gëzimi, të tjerë do të krijojnë mite me humanoidin të cilët i dinë të gjitha. Diku një miliarder ka postuar në një nga platformat e internetit në postulat -”njeriu më i pasur në botë do të jetë ai që do të grumbullojë më shumë libra” që do të thotë, e paskan një shpresë biblofilët të paktën. Dhe shprehja lapidare e të birit të një druvari të Amerikës, Presidentit të Amerikës, Abraham Lincoln se, “Miku im më i mirë është ai që më çoi drejt një libri të ri”, do të ekzistojë për aq kohë sa do të ketë akoma njerëz në tokë.

______________________

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *