Monday

27-10-2025 Vol 19

Një nënë që “takoi” vajzën e vdekur

Nga Ethem RUKA

Gjithmonë, të gjallët kanë ëndërruar të kapërcejnë pragun e pakthyeshëm të vdekjes, për të ndërtuar një urë drejt botës së panjohur ku prehen të dashurit e tyre të larguar. Kjo dëshirë nuk është thjesht një kërkim shpirtëror, por një nevojë e thellë njerëzore, një përpjekje për të ndalur kohën, për të sfiduar heshtjen dhe për të mposhtur harresën që mbështjell kujtimet e të ndjerëve.

Që nga tempujt e shenjtë të Greqisë së lashtë, ku priftërinjtë thërrisnin shpirtrat për të kërkuar këshilla hyjnore, e deri te altarët e përkushtimit ndaj paraardhësve në kulturën kineze, njerëzimi ka ndërtuar gjithnjë mënyra për të komunikuar me të përtejmen.

Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, kjo prirje shekullore mori një formë të re përmes seancave spiritualiste, rituale të mistershme ku thirrja e shpirtrave ndodhte përmes mediumeve, individë që pohonin se zotëronin dhuntinë për të folur me botën e të vdekurve. Ata shërbenin si urë mes të gjallëve dhe shpirtrave të të shuarve, duke u përpjekur t’u sjellin të afërmve një fjalë, një shenjë, një çast ngushëllimi nga përtej vdekjes.

Sot, është teknologjia ajo që ka marrë përsipër rolin e lashtë të ndërmjetësit mes të gjallëve dhe të vdekurve. Nuk janë më shpirtërat që trokasin në tavolina të errëta, por avatarë digjitalë që flasin, ecin, ndoshta na shikojnë në sy dhe vrapojnë drejt nesh. Realiteti virtual, kjo botë artificiale, por e ndërtuar me përpikëri nga fuqia e algoritmeve dhe kompiuterëve, shpesh na shfaqet më e gjallë, më prekëse, se vetë realiteti.

Për ta përjetuar këtë dimension të ri, do të mjaftonin një palë syze ose një kaskë speciale. Dhe ja ku nis udhëtimi në një botë me tre dimensione, ku mund të ecim, të prekim, të flasim, madje edhe të qajmë. Realiteti virtual ka hyrë në jetët tona për arsye të ndryshme, turizëm, edukim, terapi, mjekësi, por edhe për të shuar një mall të madh, mallin për ata që nuk janë më.

Komunikimi virtual me të vdekurit, i njohur si deadbot, apo si bisedë robotike me avatarin digjital të të ndjerit, përfaqëson një mënyrë krejtësisht të re për të ripërfytyruar marrëdhënien mes të gjallëve dhe të larguarve. Ky formësim teknologjik i kujtimit shkon përtej fjalës, duke i dhënë dhimbjes një pamje, një zë, madje edhe një përqafim të mundshëm. Në këtë mënyrë, ndarja e përjetshme merr një përmasë befasuese të “realitetit”.

Një nga shembujt më tronditës është ai i nënës koreano-jugore, Jang Ji-sung, e cila në vitin 2020 u takua virtualisht me vajzën e saj shtatëvjeçare, Nayeon, e cila kishte ndërruar jetë disa muaj më parë. Në një kopsht virtual, ku vajza e vogël dikur luante me nënën, të dyja u panë sërish. Takimi zgjati vetëm pak minuta, por mjaftoi për të lëkundur botën.

U deshën tetë muaj punë për të krijuar avatarin (kopje digjitale) e vogëlushes me aq përpikëri sa ajo dukej e gjallë. E gjithë kjo u dokumentua në filmin “Takim me ju” (Meeting You), një dokumentar që nuk la askënd indiferent.

Imagjinoni një nënë që dëgjon sërish zërin e së bijës që thërret “mami”, dhe vrapon nxitimthi drejt saj me krahë hapur. Është një nënë që qan, flet, pyet vajzën për muajt e mungesës, dhe që e përqafon atë me një pamje të dhimbshme e plot dashuri. Është një përjetim përtej fjalëve, që rrëzon çdo kufi mes realitetit dhe iluzionit.

Çdo lexues, çdo zemër që ka njohur dhimbjen e mungesës, mund ta ndjejë thellë këtë emocion, duke parë videon që preku miliona shpirtra anembanë botës. Kur e ripash atë skenë të përmallshme, ku nëna takon vajzën e saj të ndjerë, ndjeva se diçka u thye brenda meje. U zhytja plotësisht në botën e tyre, në dhimbjen e njerëzore që përshkonte çdo fjalë e çdo përqafim virtual. Ishte një përjetim që trondit, një trishtim që duket sikur të thotë: kujdes jeta është e shtrenjtë dhe duhet ruajtur me çdo çmim.

E megjithatë, kjo përvojë, sado mbresëlënëse, ngre pyetje të mëdha. A po e zgjatim vuajtjen përmes teknologjisë? A po e vrasim harresën, që ka qenë gjithmonë mënyra më njerëzore për të ecur përpara? Pavdekësia digjitale, ky koncept i ri që po hyn në jetët tona, është një dritë, por edhe një hije njëkohësisht.

Në çdo kulturë, zia për të vdekurit është një përvojë universale, e pashmangshme, por thellësisht personale. Dhe ndërsa teknologjia na jep iluzionin e një takimi të dytë, ajo na vë përballë një dileme të madhe emocionale dhe psikologjike: A është mirë të shohësh përsëri atë që ke humbur, apo është më mirë ta lësh të pushojë në kujtime? Sepse nganjëherë, rikthimi i së shkuarës mund të na mbajë të lidhur me dhimbjen, në vend që të na çlirojë prej saj.

Shënim: Avatari i një të vdekuri është një përfaqësim digjital, shpesh i gjeneruar me ndihmën e teknologjisë si realiteti virtual (VR), inteligjenca artificiale (AI) apo modelimi 3D, që synon të rikrijojë pamjen, zërin, lëvizjet, madje edhe mënyrën e të folurit ose sjelljes së një personi që ka ndërruar jetë.

_____

Ps: Pjesëz nga kapitulli i botimit ne proces: Përjetësia digjitale e njeriut

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *