Monday

27-10-2025 Vol 19

QEVERIA GJERMANE NËN KANCELARIN MERZ FILLON ME DINAMIZËM PUNËN

Nga Auron DODI

Një javë e shënuar mbyllet në Gjermani, ku qeveria e kancelarit të ri Merz ka nisur aktivitete në politikën e jashtme dhe të brendshme, pas zgjedhjes së Merzit kancelar në Bundestag.
“Gjermania është sërish në kurs”, tha kancelari i ri gjerman pas zgjedhjes.


Ia vlen të theksohet se qeveria gjermane nën kancelarin Friedrich Merz ka filluar punën sipas planit – ky është lajmi qendror nga Gjermania. Ndërrimi i pushtetit ishte i qetë dhe i civilizuar. Kjo nuk ndodh kudo sot. Dhe janë dy parti të qendrës, kristjandemokratët dhe socialdemokratët që qeverisin demokracinë më të madhe funksionuese të Evropës.

Është e vërtetë që votimi të martën solli një të papritur: Friedrich Merzi u zgjodh kancelar disa orë më vonë nga plani, në raundin e dytë të votimit. Në votimin e fshehtë ai mori 325 vota pro, dhe në këtë mënyrë 9 vota më shumë se shumica e nevojshme, prej 316. Në fund të ditës, në televizion vetë kancelari Merz e quajti “një ditë të ndershme”, ditën e votimit.

KANCELARË TË FAMSHËM GJERMANË JANË ZGJEDHUR ME PAK VOTA MBËSHTETJE

Ka pasur kancelarë të famshëm gjermanë që janë zgjedhur edhe me më pak vota se Merzi. Kancelari i pasluftës, Konrad Adenauer u zgjodh kancelar me vetëm një votë më shumë. Por ndenji 14 vjet kancelar. Edhe Helmut Kohli, që ribashkoi Gjermaninë u zgjodh kancelar, më 1982, me vetëm dy vota më shumë. Por qeverisi 16 vjet rresht.

E pazakonshmja ishte mosdhënia e votave Merzit që në raundin e parë. Kjo nuk kishte ndodhur në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë.

Por si përfundim patëm një “ndërrim qeverie të rregullt dhe me elegancë”, siç e quajti Merzi votimin, në televizion. Ai kujtoi edhe se “në fund të ditës…kemi një dëshmi besimi për koalicionin e CDU/CSU me SPD.”

EKUILIBRE DELIKATE NË BUNDESTAG

Në Evropë nuk janë mësuar me të papritura në funksionimin e proceseve në Gjermani. Zgjedhja e Merzit në raundin e dytë nga disa vëzhgues është interpretuar si shenjë brishtësie e fitueses së zgjedhjeve parlamentare, CDU-së.

Njëkohësisht tronditja e sigurisë është aktualisht tendencë e përbotshme. As Gjermania nuk mbetet e paprekur. Koalicioni qeveritar CDU/CSU me SPD ka 12 vota më shumë në parlamentin federal, Bundestag. Kjo është e mjaftueshme për një funksionim më se normal të qeverisë. Parakushti është që si deputetët e CDU/CSU, ashtu edhe të SPD ta mbështesin të gjithë qeverinë e tyre.

Në votimin për Merzin kjo nuk ndodhi. Vota qe e fshehtë, por u supozua pakënaqësi për poste te socialdemokratët. Ndoshta edhe të CDU pati pakënaqësi, se qe zbutur profili konservator, në programin qeveritar me socialdemokratët.

Përvoja me zgjedhjen e Merzit kancelar megjithatë i tregoi CDU-së se nuk duhet të jetë e ashpër me partitë e tjera. Që për Merzin raundi i dytë i votimit u lejua të bëhej të njëjtën ditë, u desh një shumicë dy të tretash e deputetëve. CDU-ja bisedoi me Të Gjelbrit dhe me partinë E Majta, për të cilën CDU-ja, ka një vendim mosbashkëpunimi. Shefi i kabinetit Merz, Thorsten Frei u tha medieve të nesërmen se “me siguri jemi në një situatë kur një çështje ose një tjetër na duhet ta rivlerësojmë”.

HAPAT E PARË TË QEVERISË MERZ

Kemi hapa të shpejtë, si në politikën e jashtme, ashtu edhe të brendshme. Në politikën e jashtme, Friedrich Merzi zhvilloi një telefonatë me Presidentin amerikan Donald Trump. Merzi vizitoi të mërkurën (07.05.) Parisin dhe Varshavën dhe të premten (09.05.) Brukselin.

Në politikën e brendshme Friedrich Merzi vuri në jetë premtimin që kishte bërë: se do të ketë kthime pas të azilkërkuesve në kufi, që ditën e parë të qeverisjes.

Ministri i Brendshëm Alexandër Dobrindt dha urdhër të shtohet numri i policëve në kufi. Dhe të sprapësohen edhe azilkërkues, me përjashtim të të sëmurëve, grave dhe fëmijëve.

TELEFONATA ME SHTËPINË E BARDHË

Në telefonatën të enjten me Presidentin amerikan Donald Trump, kancelari Merz “ra dakord për një bashkëpunim të ngushtë, me synim përfundimin e luftës në Ukrainë”. Në vizitën në Paris, më parë Merzi pati deklaruar se sapo të arrihet një armëpushim, Gjermania është gati të marrë pjesë në mbikëqyrjen e tij “nën udhëheqjen dhe me pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara”.

Pas telefonatës me Merzin, pasdite, Presidenti Trump i kërkoi sërish Rusisë një armëpushim 30 ditë “pa kushte”. Dhe e kërcënoi Rusinë me “sanksione të tjera”.

Pas kësaj, edhe Merzi tha (të premten, 09.05. në Bruksel) se Gjermania është e përgatitur të rrisë presionin me sanksione ndaj Rusisë.

Trumpi dhe Merzi ranë dakord “t’i sheshojnë shpejt mosmarrëveshjet tregtare” si dhe të bëjnë vizita reciproke në SHBA dhe në Gjermani.

Në telefonatën me Presidentin e Ukrainës, Zelenski, kancelari Merz premtoi ta ndihmojë Ukrainën “të mbrohet efektivisht kundër agresionit rus”.

PRITJET NË MARRËDHËNIET ME PARISIN DHE VARSHAVËN

Merzi u tha korrespondentëve se synon një “fillim të ri” me të dyja vendet. Kjo mbi bazën e “Trekëndëshit të Vajmarit”, aleancës rajonale midis Gjermanisë, Francës dhe Polonisë (të krijuar në Vajmar më 1991). Këtë aleancë Merzi e sheh si zemrën e projektit të tij evropian.

Analistë gjermanë vërejnë se Polonia nuk zë krejtësisht të njëjtin vend që ka Franca te Gjermania, sepse pikënisjet e të dyja vendeve janë të ndryshme.

Por për Merzin, Polonia ka rëndësi, si vend i NATO-s në kufi me Rusinë. Dhe për shkak të ndërthurrjes së ekonomisë polake me atë gjermane.

KANCELARI I RI GJERMAN DHE PRESIDENTI FRANCEZ

Pritjet sidomos në Paris janë të mëdha. Merzi e Macroni kanë të përbashkëta si personalitete: të dy kanë punuar gjatë në ekonominë private; të dy bëjnë deklarata të vendosura në politikën e jashtme. Në Paris, Kancelari Merz njoftoi rritje të bashkëpunimit me Francën në mbrojtje. Kurse Macroni njoftoi se do të krijohet “një Këshill i Mbrojtjes dhe Sigurisë franko-gjermane”.

Sipas korrespondentëve gjermanë, në të do të marrin pjesë Merzi dhe Macroni, ministrat e mbrojtjes dhe ministrat e jashtëm të Gjermanisë dhe Francës. Merzi kërkoi në Paris që të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian të rrisin shpenzimet e mbrojtjes.

PRITJA NË VARSHAVË

Kryeministri polak Donald Tusk e priti ngrohtësisht kancelarin Merz. Në mandatin e tij të parë, Tusku ka punuar edhe me kancelaren Merkel. Merzi shihet në Poloni si një shans për t’i dhënë fund bllokadës në disa çështje bilaterale. Këtu bëjnë pjesë dëmshpërblime për viktimat polake të Luftës së Dytë Botërore; si dhe kultura e kujtimit të luftës, për të cilën Gjermania është në shënjestër të goditjeve nga partitë konservatore në Poloni. Megjithatë, Tusku kritikoi kontrollet gjermane për migrantët në kufi. Kancelari Merz premtoi se kontrollet do të kryhen „në mënyrë të pranueshme“ për fqinjët.

perpjekjashqiptare.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *